Sançez më në fund firmos, Interi e paguan shtrenjtë largimin e mesfushorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 17:45


Sançez më në fund firmos, Interi e paguan shtrenjtë largimin e mesfushorit

Aleksis Sançez nuk është më një futbollist i Interit. Mediat italiane kanë bërë të ditur se në ditën e sotme, mesfushori kilian ka firmosur marrëveshjen për prishjen e kontratës me zikaltrit, duke i dhënë fund një aventure jo edhe aq të lumtur në Serinë A.

sancez

Futbollisti ishte jashtë planeve si të Kontes, ashtu edhe të Inzagit dhe ndonëse ishte shpesh protagonist me gola, mbeti zgjedhje e fundit e të dy teknikëve. Kështu, Interi provoi me çdo mënyrë që ta shiste, por pa gjetur një destinacion që i pëlqente lojtarit. Ndaj rruga e vetme mbetej prishja e kontratës, që sigurisht e vendoste futbollistin në kushtet më të përshtatshme për të kërkuar dëmshpërblim.

Pas shumë negociatash, në fund ishte kiliani ai i cili fitoi dhe Interi plotësoi pretendimet e tij, duke e paguar 5 milionë euro që të mbyllte para kohe marrëveshjen që kishte me klubin. Tani mbetet vetëm zyrtarizimi i lamtumirës, me Sançez i cili do të niset menjëherë drejt Marsejës për të firmosur me Olimpik, ku do të paguhet 2,5 milionë euro në sezon.

PANORAMASPORT.AL