Samit te Tirana, Halili ngre zërin në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 18:23

Samit te Tirana, Halili ngre zërin në stërvitje

Presidenti Refik Ha lili ka surprizuar për herë të dytë ekipin brenda një jave. Edhe dje ai ka qenë i pranishëm në stërvitjen e Tiranës, ndonëse pa vetëm pjesën e fundit të saj. Ndryshe nga herët e tjera, dje bosi i bardhebluve ishte i shoqëruar nga “arkitektët” e ekipit të sivjetmë, Hektor Çomo dhe Arbi Laçi.

Refik-halili

Në fillim, Halili pa nga afër stërvitjen e skuadrës dhe në fund të saj ftoi gjithë ekipin për një mbledhje para sfidës me Flamurtarin. Nga drejtuesit qëndroi jashtë vetëm Hektor Çomo, i cili qëndroi gjatë gjithë kohës në pankinën e “Skënder Halilit”, së bashku me drejtorin e Akademisë, Devi Muka.

MBLEDHJA – Presidenti Refik Halili ka mbledhur për herë të parë ekipin, që prej fillimit të punës së Ardian Memës. Duke shfrytëzuar ditën që skuadra ka qenë e plotë (veç mungesave), Halili është munduar që të karikojë skuadrën. Për më shumë se 20 minuta, presidenti mbajti një fjalim të gjatë. Në fillim, ai ka folur për të kaluarën dhe çfarë ndodhi me Ze Marian. Më pas, presidenti preku temën e aktualitetit.

ardi mema tirana

Pranoi se skuadra është në moment të vështirë, por pohoi se Tirana ka ekipin më të mirë dhe se nuk e meriton vendin në formacion. Nga ana tjetër, presidenti kërkoi nga skuadra që të fitojë sfidën e radhës që do të luajë në Vlorë. Halili mësohet të jetë shprehur se për fitoren e radhës apo edhe daljen nga kriza e rezultateve, nëse futbollistët ia dalin, do ta shpërblejë skuadrën. Më pas, Halili është larguar nga “Skënder Halili”, i shoqëruar stafi i tij, i cili këtë sezon ka ndërtuar skuadrën e Superiores.

Tirana prej javës së parë vuan shumë rezultatet në fushën e lojës. Për këtë qëllim, bardheblutë bënë “kurban” trajnerin brazilian, Hoze Marselo Ferreira, i cili u shkarkua javën e shkuar. Bardheblutë kanë bërë një nga nisjet më të këqija të Superiores, pasi në tetë javë kanë marrë vetëm tetë pikë dhe e ardhmja është shumë e vështirë.

Ekipi duhet të luajë tre takime në transfertë, me Flamurtarin, Kamzën dhe Teutën dhe marrja e pikëve është e domosdoshme, sepse në të kundërt për bardheblutë do të ishte krizë e vërtetë.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"