Salihi: Ndeshja më e vështirë, ja çfarë u kërkova tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2016 | 12:09

Salihi: Ndeshja më e vështirë, ja çfarë u kërkova tifozëve

salihiBomberi shkodran vijon të shtojë numrin e golave si statistikë personale dhe në një ndeshje si ajo me Tiranën zgjedh të godasë edhe me finesën e një sulmuesi me klas botëror. Në intervistën pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, shkodrani ka folur edhe për rekordin e Vjoresin Sinanit, të cilin ka deklaruar se nuk ka aspak dëshirë që ta thyejë.

Hamdi, fitorja kundër Tiranës erdhi falë jush, por me sa vuajtje?

Ishte takimi më i vështirë që kemi luajtur deri tani, për mendimin tim, por ishim përgatitur për një gjë të tillë. Fitorja sot (dje) na liron shumë. Arritëm ta merrnim dhe ta ruanim atë deri në fund.

Shkoni në kuotën e 19 golave në 19 ndeshje të luajtura. Është e thjeshtë të shënosh në këtë kampionat?

Të shënosh, gjithmonë është shumë e vështirë, madje edhe në stërvitje e jo më në kampionat. Unë kam fatin që luaj në një ekip që krijon shumë raste dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kam arritur të realizoj kaq shumë. Shpresoj që me të tillë efektivitet të vijoj deri në fund dhe të mos ndalem.

Sa gola i keni vënë vetes si objektiv këtë sezon?

Nuk kam asnjë objektiv për golat që do të shënoj këtë sezon. Nuk dua të bëj modestin, por fillimisht shpresoj të fitoj titullin kampion me ekipin dhe golat e mi të ndihmojnë këtë arritje. Realisht nuk e mendoj asnjëherë. Nuk mendoj asgjë tjetër, vetëm t’i jap ekipit tim fitoren e titullit kampion.

S’e mendoni as thyerjen e rekordit që mbahet nga Sinani?

Jo. As nuk e kam menduar asnjëherë një gjë të tillë. Është shumë e vështirë që ai rekord të thyhet dhe e meriton që të mos thyhet. Është mirë që të qëndrojë atje ku është.

Çfarë u thatë tifozëve kur u shkuat afër?

Duket sikur u premtuat gol… Jo, u kam thënë që të mos ofendojnë dhe të mos përdorin fjalor banal, por të vijojnë të na mbështetin dhe të kërkojmë fitoren së bashku. Kjo ishte e gjitha.

E kishit paramenduar që penalltinë ta gjuanit “alla Totti”?

Jo, thjesht ishte zgjedhje momentale. Ashtu më erdhi në çastin e fundit ajo ide dhe ashtu e godita.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"