Salihi kritikon mbrojtjen: Nuk mund të fitosh nëse pëson dy gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2017 | 20:48

Salihi kritikon mbrojtjen: Nuk mund të fitosh nëse pëson dy gola

Ishte autori i dy golave, mirëpo Skënderbeu u largua nga kryeqyteti me vetëm një pikë. Hamdi Salihi nuk e shmang komplimentimin e skuadrës kundërshtare, mirëpo thekson se korçarët duhet të marrin tri pikët në rast se duan arritjen e objektivave. Pas ndeshjes së djeshme, bomberi shkodran deklaroi se në kampin e kampionëve në fuqi mungoi qetësia.

salihi

DOPIETA

Salihi shpreh keqardhjen që nuk i mjaftuan dy golat e tij për të marrë trepikëshin. “Në këtë moment ku jemi na duhen tri pikët, pavarësisht se kundër kujt luajmë. Megjithëse luajtëm kundër Tiranës në kryeqytet, që është një ekip mjaft i mirë, na duhej që të merrnim maksimumin. Më vjen keq që golat e mi nuk shërbyen për ta arritur këtë gjë”, shprehet fillimisht Salihi.

DOBËSIA

Gjatë deklaratës së tij, shkodrani nuk e fsheh faktin që skuadra duhet të jetë më e kujdesshme. “Sot Skënderbeut i mungoi qetësia për të dhënë pasimin e fundit përpara portës kundërshtare, sepse shkuam disa herë në sulm. Gjithashtu, duhet të jesh shumë i kujdesshëm, sepse të pësosh dy gola dhe të pretendosh që të fitosh ndeshjen, është e tepërt”, vijoi shkodrani.

Më tej, ai theksoi faktin që korçarët duhet të marrin maksimumin në çdo ndeshje, ndërsa nuk komenton faktin që bardheblutë mund të bëhen faktor në përcaktimin e titullit.

“Tirana është një ekip mjaft i mirë, por e theksoj edhe një herë se ne duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund, nëse duam të realizojmë atë që duam të marrim. Tirana faktor? Kjo është punë për Tiranën dhe s’më intereson fare mobilizimi i saj i ndryshëm me ekipe të ndryshme”, deklaroi Salihi për mediat pas barazimit 2-2.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"