Salihi dhe Kapllani, golat përshëndetës të 2013-2014

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2014 | 13:25

Salihi dhe Kapllani, golat përshëndetës të 2013-2014

Salihi golSulmuesi shqiptar Hamdi Salihi ka realizuar një gol për ekipin e tij Hapoel Akre në elitën e futbollit izraelit. Shkodrani ka shënuar me penallti në minutën e 28-të në humbjen e skuadrës së tij 2-1 në fushën e vet nga Ironi Ramat Hasharon. Ky ishte goli i 6-të i Salihit për këtë sezon (në fakt shkoi te kjo skuadër vetëm në fund të janarit të këtij viti), pas atyre të shënuar në ndeshjet: Beitar Jerusalem-Hapoel Akre 0-2, Hapoel Akre-Hapoel Haifa 1-0, Hapoel Akre-Makabi Haifa 1-1 dhe dopietës në Hapoel Akre-Ironi Ramat Hasharon 4-3. Falë 6 golave të Salihit, Hapoel Akre arriti të mbijetonte në elitën e futbollit izraelit dhe më këtë rast ka konfirmuar rinovimin e kontratës së shkodranit edhe për edicionin tjetër. Salihi pati firmosur një kontratë që përfundonte në fund të këtij sezoni, me të drejtë rinovimi, ku ekskluzivitetin ta kishte klubi. Gjithsesi, ka mundësi që Salihi të ndryshojë edhe skuadër, por sërish në Izrael, duke qenë se gjatë kësaj kohe ka pasur goxha interes për të. Gjithsesi, klubi i Hapoel Akre, sipas mediave të këtij vendi, nuk kërkon ta lëshojë pa 1 milion euro (vlera e kartonit). Nga Izraeli në Gjermani, aty ku në javën e fundit shënon edhe Edmond Kapllani. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi golin e parë në fitoren 2-0 të FSV Frankfurtit ndaj Këlnit, skuadër që është ngjitur në Bundesligën 1 që para një muaji. Kapllani luajti titullar, ashtu sikundër edhe Odise Roshi (u zëvendësua më pas në minutën e 63-të nga Gorlitz) dhe në minutën e 65-të realizoi pas një rrëmuje në zonë. Kruska (FSV Frankfurt) në zonë gjuan drejt portës, topi ndalet nga portieri, por nuk zotërohet, aty vjen Kapllani që nuk e ka shumë të vështirë të shënojë me portën gati bosh. Ky ishte goli i 11-të i Kapllanit për këtë sezon, pas atyre të shënuar në ndeshjet: Grojter Fyrth-FSV Frankfurt 3- 2, FSV Frankfurt-Dinamo Dresden 3-2, Karlsruher-FSV Frankfurt 3-3, Enerxhi Kotbus- FSV Frankfurt 1-4, Paderborn- FSV Frankfurt 4-2, FSV Frankfurt- Erzgebirge Aue 3-1 (dopietë) dhe Dinamo Drezden-FSV Frankfurt 0-3 (tripletë).

Kombëtarja, pritet konfirmimi i sulmuesve
Hamdi Salihi dhe Edmond Kapllani pritet të jenë pjesë e Kombëtares për ndeshjet miqësore të muajit qershor. Në prag të fillimit të Kampionatit Botëror “Brazil 2014?, janë programuar të luhen dhe tri ndeshje miqësore, nga ku do të shikohet dhe forma e lojtarëve, kryesisht e sulmuesve. Nisur nga golat e shënuar, por edhe fakti se Sadiku u dëmtua, me shumë gjasa, Kapllani do të jetë pjesë e Kombëtares. Ndeshja e parë miqësore do të jetë ajo kundër Rumanisë, e cila do të zhvillohet më datë 31 maj, ora 19:00, në stadiumin e qytetit të Yverdon-les- Bains, në Zvicër. Vijon më pas ajo kundër Kombëtares hungareze, e cila do të zhvillohet më datë 4 qershor, në orën 20:30, në stadiumin “Ferenc Pushkash”, në Budapest. Ndërsa më 8 qershor, në orën 20:30, në stadiumin “Serravalle”, Shqipëria luan ndaj San Marinos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"