Salihamixhiç paralajmëron Nagelsman dhe skuadrën: Tani nuk mund të fshihemi më pas Levandovskit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2022 | 14:07

Salihamixhiç paralajmëron Nagelsman dhe skuadrën: Tani nuk mund të fshihemi më pas Levandovskit

Pas disa javësh telenovele për transferimin e tij nga Bajerni i Mynihut, drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç, tani mund të shohë vetëm gjëra pozitive prej largimit të yllit të sulmit, Robert Levandovski, drejt Barcelonës.

salihamixhic

“Nuk mund të fshihemi më pas Levës”, tha drejtuesi boshnjak gjatë një interviste për “Sky90”: “Ka shtatë ose tetë njerëz në sulm që do ta zgjidhin mes tyre. Tani të gjithë mund të marrin përgjegjësi, të shënojnë gola dhe të tregojnë veten”. Sipas drejtorit sportiv, largimi i bomberit 33-vjeçar duhet parë si një mundësi për të nxjerrë forca të reja sulmuese në skuadrën kampione të Gjermanisë. Tani askush nuk mund të mbështetet më në garancinë e golave që sulmuesi polak prodhoi gjatë tetë viteve të tij në Mynih. Dhe starti befasues i sezonit të kampionëve të Gjermanisë me një fitore spektakolare 6-1 ndaj Eintrahtit të Frankfurtit, që pasoi triumfin 5-3 ndaj Lajpcigut në finalen e Superkupës, e konfirmon këtë sipas Salihamixhiçit, i cili u kritikua për një kohë të gjatë për shkak të mungesës së transferimeve. Ai ka shpresë se plani i tij do të funksionojë edhe në planin afatgjatë.

“Konkurrenca ishte ideja – dhe ne ia dolëm”, thotë Salihamixhiç. Por ai gjithashtu pranon sinqerisht se transferimi i Sadio Manesë nga Liverpuli nuk ishte i vetmi plan i Bajernit për sulmin, sepse sigurisht një klub i rangut të lartë gjithashtu planifikon në disa pista të ndryshme. Por fati i madh ishte se gjithçka u mbyll me sukses në një kohë rekord. “Ne e kishim planin, por mënyra se si shkoi, është shumë mirë për ne”. “Bild” kishte raportuar se Bajerni ishte i interesuar edhe për transferimin e Erling Halandit nga Dortmundi. Por edhe emri i Zhoao Feliksit, talentit portugez të Atletikos së Madridit, ishte diskutuar brenda klubit. Por sido që të jetë, tifozët e Bajernit janë të lumtur me merkaton e skuadrës së tyre këtë verë, që përveç Manesë, Mazrauit, Gravenbershit dhe Telit, transferuan edhe një tjetër yll në mbrojtje, si Matajs de Ligt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"