Salihamixhiç nuk i kursen vlerësimet: Me Jupin puna kthehet në argëtim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2017 | 16:19

Salihamixhiç nuk i kursen vlerësimet: Me Jupin puna kthehet në argëtim

Drejtori i ri sportiv i skuadrës së Bajernit, Hasan Salihamixhiç, ka mbushur plot 100 ditë që prej momentit që u emërua në Mynih. Ishlegjenda e bavarezëve u caktua si drejtor sportiv në klubin e Bajernit në muajin korrik, gjatë të cilit skuadra ka qenë në një kaos të vërtetë.

Salihamixhiç

Menjëherë pas emërimit si drejtor sportiv i klubit bavarez, Salihamixhiç e gjeti veten në vështirësi të madhe. Shumë prej lojtarëve të skuadrës nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë dhe problemet që rezultuan si pasojë e ish-trajnerit Karlo Ançeloti, e kanë vënë në një pozitë të papërshtatshme drejtorin e ri, Salihamixhiç.

Mirëpo, për Hasan Salihamixhiç rikthimi në krye të pankinës bavareze i legjendës Jup Hejnkes, ka qenë një shenjë pozitive. Kjo pasi vetëm në pakë ditë pas rikthimit të tij, skuadra e kampionëve gjermanë ka qenë në hapat e duhura për të shkëlqyer sërish. Kjo ja ka lehtësuar punën Salihamixhiçit, i cili ende nuk ishte koordinuar mirë në klubin bavarez.

Tanimë ai nuk do të ketë të bëjë më me një situatë kaotike në Mynih falë legjendës Jup Hejnkes, i cili ringriti skuadrën në nivelin e saj të mëparshëm për të qenë sërish një ndër pretendentët kryesorë për titull në Bundesligë. Vetë presidenti i kampionëve gjermanë, Uli Hënes, e kishte parashikuar se situata do të ishte më pozitive për Salihamixhiçin, nëse në drejtimin e skuadrës do të rikthehej Hejnkes.

Disa kohë më parë edhe vetë Salihamixhiç ka mbështetur parashikimin e Hënes duke thënë: “Detyra ime është bërë edhe më argëtuese që prej rikthimit të Jup Hejnkes. Tanimë kam më shumë kohë për t’u përqendruar në punën time”. Përgjegjësia është një tjetër pjesë, e cila rëndon mbi Salihamixhiç, pasi ai duhet të jetë ndërmjetësi mes trajnerit, skuadrës dhe klubit.

Por, tanimë ai duhet të fokusohet edhe te pjesa e kërkimit të talenteve. Por, nga ana tjetër edhe trajneri Hejnkes ka vlerësuar punën e bërë nga Salihamixhiç duke thënë: “Ka bërë një punë fantastike. Salihamixhiç më ndihmon duke bërë edhe një pjesë të punës sime dhe jam i lumtur që punojmë së bashku”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"