Saliaj emëroi Allmuçën trajner, por edhe dje skuadra u stërvit nga Kamarata. Dinamo mbetet në “ajër”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2020 | 9:37

Saliaj emëroi Allmuçën trajner, por edhe dje skuadra u stërvit nga Kamarata. Dinamo mbetet në “ajër”

Dinamo është përfshirë në një situatë të pazakontë ditët e fundit. Drejtuesit italianë kanë një marrëveshje verbale me drejtuesit e vjetër, ata që njihen ende zyrtarisht si presidenca e bluve.DINAMO

Pas largimit të tre futbollistëve Erxhan Muça, Jetmir Sefa dhe Kujtim Alcani, të cilët akuzuan drejtuesit italianë për mospagesa, situata u trazua jo pak te kryeqytetasit. Në këto kushte, presidenca dinamovite mori vendimin të shkarkojë stafin italian, madje administratori Ismet Saliaj ka dërguar një shkresë në federatë për këtë çështje, ndërkohë që emëroi Igli Allmuçën dhe Julian Brahjen në stol.

KAMARATA NË STËRVITJE – Dinamo, sipas asaj që deklaronte për gazetën Saliaj, duhej të stërvitej dje nga Allmuça, por në ambientet e kompleksit stërvitor në Pezë-Helmës ka vazhduar punën trajneri Kamarata. Të pranishëm kanë qenë edhe disa tifozë, të cilët janë në mbështetje të drejtuesve italianë, por para së gjithash ata duan fanellën e Dinamos. Në fund të stërvitjes, stafi drejtues italian ka drekuar me ekipin, duke i shprehur mbështetjen para ndeshjes së rëndësishme me Besëlidhjen.dinamoooo

As trajneri Allmuça dhe as drejtuesit e mëparshëm nuk janë paraqitur në Pezë, ndoshta për të shmangur ndonjë incident me palën italiane. Dinamo luan sot një ndeshje shumë të rëndësishme me Besëlidhjen e vendit të dytë, ku pikët janë frymëmarrje.

Kush do ta drejtojë sot ekipin dhe çfarë do të ndodhë me drejtuesit? Administratori Saliaj ka çuar në FSHF emrin e Igli Allmuçës si trajner, ndërkohë që me Kamaratën nuk ka pasur asnjë komunikim. Gazeta mëson se Dinamon mund ta drejtojë sot Olsi Uku, ndihmëstrajneri i saj, njeri i pranuar prej dy palëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"