Duhet sulmues, Marashi në fokus

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2013 | 10:13

Duhet sulmues, Marashi në fokus

MarashiAfrimet e shumë lojtarëve të rinj dhe me eksperiencë po i japin formën e duhur Dinamos në prag të sezonit të ri futbollistik, ku synimi është ngjitja në Kategorinë Superiore. Deri më tani te blutë janë afruar Sejdini në portë; Lushaj, Kaçiku e Jur. Ahmetaj në mbrojtje; në mesfushë Mersini, Lluka, Tafaj, Jul.Ahmetaj, si dhe Agastra e Shkreta në sulm. Merkato e Dinamos duket se nuk do të ndalet me lojtarët e afruar deri më sot, por në ditët në vijim pritet që në “bordin” e “nëndetëses” të zbarkojnë dhe dy futbollistë nigerianë. Ata luajnë me ekipet kombëtare të shtetit të tyre, ndërsa rolet në fushë janë mesfushorë dhe sulmues. Emrat ende nuk bëhen të ditur, pasi klubi nuk ka arritur marrëveshjen finale që ata të udhëtojnë drejt Tiranës.
Saliaj – Administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, i cili mbikëqyr të gjitha punimet mbi ndërtimin e ekipit blu, i ka bërë analizën skuadrës, e cila ka një muaj që ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen në kampionat. Rreth stafit, lojtarëve, si dhe paraqitjes së Dinamos në ndeshjet miqësore, Saliaj në një bisedë për “Panorama Sport” fillimisht u shpreh: “Ndërtimi i skuadrës me bazë lojtarët më të mirë të sezonit të shkuar do të thotë që po krijohet një grup solid. Lojtarët e afruar janë cilësorë dhe po adaptohen mirë me grupin. Megjithatë, duhet edhe më shumë punë për të qenë plotësisht gati për ndeshjet e kampionatit”. Më pas, i pyetur për mangësitë që ka skuadra, ai thotë: “Nga çfarë kemi konstatuar me stafin teknik, na duhet një sulmues ‘race’. Kemi afruar Agastrën dhe Shkretën, por rritja e konkurrencës në këtë repart shton frytdhënien, ndaj jemi në kërkim të një lojtari. Me stafin dhe presidencën po punojmë për afrimin e laçianit Bledar Marashi në këtë repart. Jemi në kontakt me bomberin, ndërsa shpresojmë t’i mbyllim me sukses këto tratativa”, – ka përfunduar administratori i Dinamos, Saliaj, i cili kërkon zhvillimin e 2-3 takimeve miqësore për të konsoliduar grupin.

Kosovari Albert Kaçiku: Te Dinamo bëj një hap të madh
Ish-mbrojtësi i Trepçës ’89 dhe së fundmi i Prishtinës, Albert Kaçiku, sezonin e ri do e vazhdojë karrierën te Dinamo e Tiranës. 18-vjeçari i ka kaluar me sukses provat dhe ka arritur marrëveshje 1-vjeçare. Në një bisedë për gazetën kosovare “Sport Plus”, ai ka thënë: “Marrëveshja është me mundësi vazhdimi. Këtu besoj se do të zë më lehtë vend në përbërjen e parë sesa në skuadra të mëdha dhe më pas dalëngadalë, nëse më prin edhe fati, të eci sa më shumë në karrierë”. 18-vjeçari deri më tani ka qenë pjesë e Trepçës ’89, duke kaluar nëpër të gjitha kategoritë, kurse së fundmi ishte bërë pjesë e Prishtinës, me të cilën mori pjesë në turneun U-19 në Gjermani. “Kontrata me Prishtinën ka qenë e vlefshme vetëm për turneun në Gjermani. Në momentin që jam kthyer nga Gjermania ajo është prishur”, – shton mitrovicasi. Ai në Gjermani luajti titullar në të gjitha ndeshjet e grupit, ku Prishtina shënoi një fitore, një barazim dhe dy humbje. Mungoi vetëm ndaj Arsenalit, në takimin e fituar për vendin e pestë. Shtatlarti synon që në një të ardhme të afërt të arrijë edhe kombëtaren Shpresa të Shqipërisë. Deri më tani, Kaçiku ishte pjesë e U-17 dhe U-19 të Kosovës. Ai ka falënderuar edhe trajnerët Gani Shkupolli, Rexhep Xhaka, Sadik Rrahmani, Astrit Qitaku, Lavdim Behxheti, Sabit Osmani e Gani Sejdiu, me të cilët kishte punuar te Trepça.
ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"