Salah thumbon Junajtid: Na ndalën se mungova unë, atje ishim të pafat…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2020 | 8:33

Salah thumbon Junajtid: Na ndalën se mungova unë, atje ishim të pafat…

Mohamed Salah ka dështuar të shënojë apo regjistrojë asist në katër prezencat e tij të fundit kundër Mançester Junajtid. Por kjo nuk e ka penguar sulmuesin e Liverpulit që të sfidojë atë që është skuadra e vetme që u ka marrë pikë “Reds”-ave këtë sezon në Premier Ligë. 

salah

Egjiptiani mungoi në përballjen kundër “Djajve të kuq” në “Old Trafford” në muajin tetor, ku goli i Markus Rashfordit në pjesën e parë u duk se do t’i shkaktonte humbjen e parë Liverpulit këtë sezon. Por Adam Lalana, i cili hynte nga stoli, arriti të barazonte 5 minuta përpara fundit të ndeshjes dhe merrte një pikë kundër rivalëve të përjetshëm. Të kuqtë i kanë fituar 29 nga 30 ndeshjet e tyre të fundit në Premier Ligë dhe ato dy pikë të lëna në “Teatrin e Ëndrrave” janë e vetmja pengesë që ata kanë hasur.

Salah

I pyetur nga televizioni norvegjez “TV 2 Sporten” në vigjilje të ndeshjes, se Mançesteri është e vetmja skuadër që i ka marrë pikë në Premier Ligë ekipit të Klopit, solli reagimin me humor të Salahut: “Po, sepse unë isha i dëmtuar. Në fakt, mendoj se ata luajtën një ndeshje të mirë kundër nesh dhe ne gjithashtu patëm rastet tona për ta fituar atë sfidë, por ishim të pafat. Është koha që të përqendrohemi te ndeshja e radhës dhe ta fitojmë atë”.

Salah mungoi në ndeshjen e vajtjes si rezultat i një dëmtimi në kavilje, që e pësoi gjatë fitores 2-1 ndaj Lestërit dy javë më herët. Ai u zëvendësua nga Origi, por Liverpuli nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe u largua nga shtëpia e rivalëve të tyre veriperëndimorë vetëm me 1 pikë. Barazimi në “Old Trafford” ishte ndeshja e javës së nëntë të Premier Ligës dhe prej atëherë, “Reds”-at nuk kanë lënë më asnjë pikë. Ata kryesojnë 13 pikë përpara Mançester Sitit të vendit të dytë, por kanë luajtur dy ndeshje më pak se kampionët e Pep Guardiolës.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"