Saktësi ushtarake, durim dhe letra të fshehura. Ja sekretet e penalltive të pritura nga Pikford

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2018 | 21:16

Saktësi ushtarake, durim dhe letra të fshehura. Ja sekretet e penalltive të pritura nga Pikford

Anglia i dha fund pritjes së saj 22-vjeçare për të fituar një ndeshje me penallti, ndërsa mposhti Kolumbinë në 1/8-at e Kupës së Botës. Fitorja 4-3 me 11-metërsha ishte vetëm hera e dytë nga 8 herët që fati i “Tre Luanëve” në Botëror dhe Europian është vendosur nga ruleta e penalltive dhe e para prej vitit 1996. Por triumfi në “Spartak Stadium” nuk ishte rastësor. Anglezët kishin përgatitur gjithçka deri në detaje, duke mos ia lënë goditjen e penalltive rastësisë.

pikfordd

SAKTËSI USHTARAKE – Plani ishte që t’i lihej rastësisë në dorë sa më pak që të ishte e mundur. Gjithçka ishte e përgatitur deri në detaje, nga momenti që arbitri do të vërshëllente për t’i dhënë fund kohës shtesë. Çdo pjesëtar i skuadrës, përfshirë lojtarët, por edhe trajnerët, e dinin rolin e tyre.

Jo më kot janë bërë muaj të tëra përgatitje. Presioni që ekziston në fazat me eliminim direkt të një Botërori nuk mund të simulohet kurrë, edhe nëse skuadrat përpiqen që të vijnë të lodhura përballë pikës së bardhë, duke pritur t’i gjuajnë penalltitë në fund të çdo seance stërvitore. Por procesi i ekzekutimit të penalltive nga Anglia është planifikuar me precizion ushtarak. “Nëse do të vijmë deri atje, jemi gati”, kishte premtuar përpara Kolumbisë trajneri Sauthgejt.

MOTIVATORI PIKFORD – Sauthgejt është trajneri, por me të nisur penalltitë, atëherë është Xhordan Pikford në krye, duke i dhënë zemër dhe këshilla çdo lojtari gjatë atij rrugëtimi vetmitar dhe tmerrues nga mesi i fushës deri te 11 metrat. Dhe kur Pikford eci me hapa të mëdhenj nga porta për të takuar secilin nga 5 shokët që do të ekzekutonin në Moskë, nuk ishte një gjest spontan, por pjesë e strategjisë.

pikford

Asnjë lojtar tjetër nuk mund të shkelë në atë gjysmëfushe, kështu që Sauthgejt vendosi që mbështetjen t’ua jepte portieri. Dhe ai veproi kështu duke llogaritur eksperiencën e tij të hidhur në “Wembley” 22 vite më parë. Me mbi 20 milionë anglezë që i shikonin në shtëpi nga TV dhe tifozët kundërshtarë që i vërshëllenin, çdo lojtari i duhet të kalojë mes portave të një ferri sportiv. Të paktën, Pikford ishte atje për t’u dhënë kurajë.

MESAZHI NË SHISHE – Çdo ekzekutues penalltie ka nevojë për një shishe, por Pikford kishte një shishe speciale për vete. E ndryshme nga ajo që përdoret zakonisht për të pirë ujë gjatë ndeshjes, trajneri i portierëve, Martin Margetson, ia dorëzoi atij përpara penalltive. E fshehur brenda një peshqiri, ajo kishte edhe një letër me detajet sesi i godasin kolumbianët penalltitë, e përpiluar pas orëve të tëra kërkimi dhe video-analizash. Leximi bëhej në fshehtësi totale nga portieri, në mënyrë që rivali Ospina të mos e shikonte dhe t’ua tregonte planin shokëve.

PSIKOLOGIA – Anglezët nuk bënë teste psikometrike për të parë cilët lojtarë ishin gati emocionalisht për të goditur penallti. Psikologia Pipa Grejnxh mund të ketë bërë ndonjë profilizim të lojtarëve bazuar në dijet e saj, por goditësit u vlerësuan sipas teknikës. Një lojtar që ka besim tek aftësia e tij nga 11 metra është gjithnjë më i qetë.

KËSHILLA SKOCEZE – Alan Rasëll e konsideron veten si trajnerin më të mirë të sulmuesve në botë. Dhe arroganca e skocezit mund të jetë e justifikuar deri tani. Puna e tij është vlerësuar shumë sesi ai e ka bërë kaq të fortë skuadrën në goditjet standarde. Suedia është e paralajmëruar.

Pikford

PSIKOLOGJIA KA RËNDËSI – Çdo pjesëtar i stafit teknik kishte një rol në përgatitjen e lojtarëve. Përveçse u mor me Pikfordin, Margetsonin e pamë duke i pëshpëritur diçka në vesh Tripierit. Plani ishte t’u flitej lojtarëve gjatë gjithë kohës. Rasëll u pa me një tufë shënimesh, me instruksione për secilin prej tyre.

MERRNI FRYMË – Anglezëve iu tha të mos nxitonin në ekzekutimin e penalltisë së tyre. Por të merrnin disa herë frymë dhe të ishin gati, një taktikë kjo e nënvizuar nga autori i librit “11 metrat, arti dhe psikologjia e penalltisë perfekte”, Ben Litëllton. “Në të shkuarën, anglezët i godisnin penalltitë e tyre me shumë stres.

Bazuar në analizat e kohës së reagimit, nga vërshëllima e arbitrit deri te goditja e topit, një lojtar i Anglisë priste mesatarisht 0.28 sekonda më shpejtë se çdo lojtar i kombëtareve të tjera. Thjesht sa për ta krahasuar: reagimi i Usain Bolt është 0.18 sekonda. Kujtoni penalltinë e Ronaldos kundër Anglisë në 2006: përpara vrullit, mori frymë thellë dhe u përgatit. Nuk nxitoi”, shkruan Litëllton.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"