Sakrifikohen 4 lojtarë, Gega ka në dispozicion 6 sulmues krahu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 23:25

Sakrifikohen 4 lojtarë, Gega ka në dispozicion 6 sulmues krahu

Plot gjashtë sulmues krahu të gatshëm për të qenë titullarë, por vetëm dy prej tyre do të kenë shansin të luajnë nga minuta e parë. Skema që ka përdorur trajneri Skënder Gega në tri javët e para të kampionatit e ka bërë Partizanin të ketë luksin për të mbajtur në stol emra shumë të rëndësishëm që kanë ardhur në verë, por gjithashtu edhe të tjerë lojtarë që kanë qenë pjesë e ekipit edhe në sezonin e kaluar. Për momentin, askush nuk e ka të sigurt formacionin, për më tepër që pas ardhjes së shkodranit Eraldo Çinari “lufta” për një vend nga krahët e sulmit është bërë shumë e egër.

partizani stervitje

Jasir Asani, Eraldo Çinari, Emanuele Mensah, Jurgen Bardhi, Lukas Kardozo dhe koreanoveriori So Hyon-Uk janë të gjithë futbollistët, të cilët përshtaten si në krahun e majtë, ashtu edhe në të djathtë të fazës ofensive. Mirëpo, e kundërta ndodh nëse bëhet fjalë për qendrën e sulmit. Në këtë pozicion, trajneri Gega ka në të gatshëm vetëm një “pykë” të mirëfilltë, pikërisht Rubin Hebajn.

Sa herë shkodrani është zëvendësuar apo kur ka munguar, siç ndodhi në ndeshjen e fundit të Kupës së Shqipërisë ndaj Tërbunit, Gega ka provuar në majë Bardhin dhe Mensah, dy lojtarë të cilët këtë rol mund ta bëjnë vetëm nga “halli”. Merkatoja e Partizanit është orientuar më së shumti me lojtarë krahu dhe tashmë do të shikohet se si kreu i pankinës do të menaxhojë disa lojtarë, të cilët kanë ardhur me pritshmëri të mëdha, por për shkak të variantit që Gega përdor, është e pamundur që të paktën gjysma e tyre të jetë në fushë.

Partizani ka luajtur shpesh me skemën 4-3-3 ose 4-3-2- 1, me trajnerin që nuk ka sakrifikuar një mesfushor qendre, pasi ka dashur të mbajë në ekuilibër ekipin si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese. Ka pasur raste kur Esat Mala është përdorur si një sulmues i fshehur nga krahët. Megjithatë, kosovari dhe dyshja e mesfushës Telushi e Hila duken të paprekshëm për momentin.

formacioni556

Në këto kushte, i gjithë rivaliteti është nga krahët e sulmit, aty ku Asani, Çinari, Mensah etj., do të jenë të detyruar të pranojnë stolin në momente të veçanta. Dhe kështu ka ndodhur në tri javët e para, me Gegën që ua ka bërë të qartë lojtarëve se duhet të pranojnë konkurrencën dhe vetëm nëse bindin atë në stërvitje, atëherë do të aktivizohen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"