Sakrifica për Milinkoviç-Saviç, Milani bën “kurban” dy lojtarë. Leonardo ka gati ofertën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2018 | 9:58

Sakrifica për Milinkoviç-Saviç, Milani bën “kurban” dy lojtarë. Leonardo ka gati ofertën

Largimi i Manuel Lokatelit drejt Sasuolos dhe shitja e mundshme e Bertolaçit te Xhenoa, pa harruar edhe prishjen e kontratës së Montolivos, janë shkaqe më se të dukshme për nevojën e Milanit për mesfushorë. Teksa prej një jave punohet për Tiemue Bakajokon, kuqezinjtë do të duhet të afrojnë edhe të paktën një mesfushor, në mënyrë që ekipi të jetë numerikisht i plotësuar. Nga Rabio te Draksler, e duke përfshirë edhe Pelegrinin, janë këto kandidaturat e mundshme, teksa ëndrra, siç e përkufizoi drejtori teknik Leonardo, mbetet Sergej Milinkoviç.

milinkovic-savic

SERBI

Megjithëse, siç thamë, e cilësoi një mision të pamundur, mesfushori serb i Lacios mund të jetë një përforcim konkret për kuqezinjtë në javën e fundit të merkatos. Vlera e tij, nga drejtori sportiv Igli Tare, është nënvijëzuar disa herë, me futbollistin që mund të largohet nga Lacio vetëm nëse një klub derdh në arkat e klubit kryeqytetas 120 milionë euro. Nga Roma bëjnë të ditur se asnjë klub italian nuk është afruar për të biseduar, teksa “La Repubblica”, bën të ditur se pikërisht një ekip italian është kandidati kryesor për të marrë lojtarin, teksa oferta po përgatitet.

PLANI

Drejtori teknik i Milanit, Leonardo, nuk ka udhëtuar drejt Madridit kur kuqezinjtë dje u përballën me Realin e Madridit. Arsyeja zyrtare, sipas klubit, ishin marrëveshjet që duheshin mbyllur për transferimet e Andre Silvës dhe Manuel Lokatelit. E vërteta duket se është disi më e gjerë, me brazilianin që ka pasur takime me klube të ndryshme ku mund të transferohen respektivisht Xhanluixhi Donaruma dhe Hezus Suso.

Nga dy kuqezinjtë, “Djalli” synon të sigurojë 110 milionë euro, duke qenë se portieri vlerësohet 70 milionë euro, ndërsa për spanjollin synohen të paktën 40 milionë euro. Me këtë të fundit, përpara ndeshjes me Realin, drejtuesi Paolo Maldini pati një bisedë gjatë momenteve të nxehjes, ndoshta edhe në lidhje me merkaton. Me sigurimin e shumës totale, Leonardo synon të prezantohet në Romë për të marrë lojtarin, për të cilin ai është shprehur me superlativa që një vit më parë. Për kontratën e serbit duhet folur, por Milani është gati ta blindojë me një marrëveshje pesëvjeçare, nga e cila ai do të përfitonte 5.5 milionë euro në sezon, praktikisht 2 milionë më shumë nga ajo që i jep Lacio.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"