Sakrifica e futbollistit të Lushnjës, bën 100 kilometra çdo ditë: Lodhje që ia vlen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2021 | 11:22

Sakrifica e futbollistit të Lushnjës, bën 100 kilometra çdo ditë: Lodhje që ia vlen

Pas 15 ditësh, Lushnja është gati që t’i rikthehet garës. Anulimi i javës së 11-të i dha kohë stafit teknik për të korrigjuar ndonjë gabim para supersfidës me Egnatian.

Bejko

Verdhejeshilët mund të shkurtojnë diferencën me kreun dhe këtë shans nuk duan që ta humbasin. Këtë e pohon edhe për “Panorama Sport”, edhe qendërmbrojtësi Donald Bejko:

“Do të luajmë me kryesuesit e grupit dhe nuk do të jetë e lehtë, por ne mund t’i ndalim. E kemi vlerësuar kundërshtarin. Unë e njoh mirë, pasi kam qenë pjesë e tij sezonin e kaluar. Situatat ndryshojnë, por e dimë që përballë do të kemi një ekip të fortë dhe një ndeshje të vështirë. Kemi kohë që përgatitemi dhe jemi për të dhënë më të mirën në fushë”.

Durrsaku e nisi me këmbë të mbarë aventurën me Lushnjën. Ai shënoi në premierë me Besën, duke i dhënë pikë ekipit në transfertë. Mbrojtësi përshkruan çdo ditë 100 km (Durrës-Lushnjë-Durrës), por duket shumë i kënaqur me zgjedhjen që ka bërë.

“Jam shumë i kënaqur. Çdo ditë punoj me dëshirë, përtej lodhjes që mund të kem nga rrugëtimi. Goli që shënova në ndeshjen e parë me fanellën verdhejeshile më ka motivuar shumë. Tani mendoj për vazhdimësinë. Kemi folur për një fitore të munguar me Besën. Por, mund ta realizojmë me pak kujdes në këtë takim të radhës me Egnatian. Këto janë ndeshje të drejtpërdrejta dhe gjithmonë del më i fituar ai që gabon më pak”, përfundoi Bejko.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"