Saki: Juvja super favorite, por ky Milan është për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 23:41

Saki: Juvja super favorite, por ky Milan është për titull

Trajneri legjendar i Milanit, Arrigo Saki, flet për futbollin dhe sezonin që sapo ka startuar në Itali. Saki shikon si favorite kryesore sërish Juventusin, por beson shumë te skuadra e Gatuzos dhe është i mendimit që do të jetë surpriza e këtij e sezoni, madje do të luftojë edhe për titullin, ndërkohë që vazhdon ta shikojë me shumë pikëpyetje skuadrën tjetër të Milanos që drejtohet nga Spaleti.

Arrigo Saki

Saki, si e parashikoni sezonin e ri futbollistik në Itali?

Jua shpjegoj. Juventus nuk është favorite, por super favorite. Megjithatë jam i bindur nëse Gatuzo, i cili është një person i adhurueshëm dhe një profesionist i shkëlqyer, arrin të bëjë edhe ai një hap cilësor përpara, atëherë Milani do të jetë surpriza e vërtetë e këtij kampionati. Madje mund të luftojë edhe për titull. Ndeshja e së shtunës ndaj Napolit do të jetë shumë domethënëse në këtë aspekt. Flas për paraqitjen më shumë sesa për rezultatin.

Nuk është një debutim i lehtë apo jo?

Absolutisht. Do të jetë një ndeshje shumë e hapur. Milani duhet të luajë hapur me mentalitetin e një skuadre të madhe, ashtu siç bënte dikur. Nëse e bën një gjë të tillë, atëherë vetëbesimi në këtë skuadër do të rritet ndjeshëm. Vitin e kaluar skuadra ishte e re, ndërkohë që tani shikoj që ky grup lojtarësh është përmirësuar. Shumë nga këta djem i njoh që në kombëtaret e moshave. Kaldara dhe Romanjoli janë djem të shkëlqyer me vlera të mëdha humane dhe e di shumë mirë që janë maksimalisht të motivuar. Me ta në mbrojtje nuk gabohet.

Tashmë është edhe Higuain…

Argjentinasi është një garanci. Por, mbi të gjitha tashmë është një klub i fortë, me ardhjen e Maldinit dhe Leonardos, të cilët sjellin histori dhe karizëm, do ta bëjnë këtë skuadër kompakte. Afrimi i këtyre dy emrave të mëdhenj është shumë i rëndësishëm, pasi klubi duhet të qëndrojë mbi gjithçka, më pas skuadra dhe lojtarët janë rrjedhojë e një klubi të fortë.

Të gjithë mendojnë se Ançeloti në këtë moshë, ka marrë përsipër një rrezik të madh duke pranuar propozimin e skuadrës së Napolit. A flisni shpesh? Ju çfarë i keni thënë?

I kam thënë që e vlerësoj zgjedhjen që ka bërë. Është një sfidë e madhe për të. Nuk e di nëse Napoli do të përsërisë sezonin e shkëlqyer të vitit të kaluar, por një gjë është e sigurt, që De Laurentis ka marrë më të mirin. Karleto është një mjeshtër, është i mençur në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Di të dalë shumë mirë nga çdolloj situate. Do të jetë disi e komplikuar për faktin se Napoli në vitin që shkoi bëri një sezon të jashtëzakonshëm, duke thyer çdo parashikim duke na dhuruar një lojë magjike. Sarri ishte një bekim për futbollin italian dhe është mëkat që nuk do të jetë në Serinë A.

Por, tani do të jetë Kristiano Ronaldo. U largua një trajner i mrekullueshëm dhe ka mbërritur një lojtar i klasit botëror…

Lojtarin e klasit botëror e ka marrë Juventusi dhe jo kampionati italian. Ju e dini mendimin tim. Futbolli është një sport skuadre me momente individuale dhe jo e kundërta. Unë jam i bindur që një lojtar i vetëm nuk të bën të fitosh dhe jo më të mendosh se një lojtar i vetëm të rrisë të gjithë nivelin futbollistik. Kristiano është i jashtëzakonshëm dhe do ta bëjë Juventusin akoma më të fortë.

Mjaftueshëm sa për të fituar Ligën e Kampioneve?

Varet se sa do të integrohet në skuadër. I vetëm nuk mund ta fitojë, pasi atëherë duhet të më shpjegoni arsyen se përse nuk e ka fituar kurrë Kupën e Botës. Juvja është një klub i madh dhe nuk mendoj se vetëm një lojtar mund të çojë përpara një lëvizje futbollistike. Duhet të provojë për të bërë një hap përpara, duke bashkuar futbollin e bukur, fitoren dhe meritat që është rruga që të jep sukses në Europë. Ky duhet të jetë objektivi i një klubi të madh, i cili jo rastësisht e ka fituar kupën vetëm dy herë në 60 vite. Do të doja nga një trajner i zoti siç është Alegri, të bënte diçka më tepër në këtë aspekt.

Çfarë na ka bërë të kuptojmë java e parë e kampionatit?

Që Interi mbetet një enigmë dhe nuk jam i çuditur nga ky fakt, madje jam i habitur me ata që nuk e prisnin diçka të tillë. Ka 7-8 vite që është gjithmonë mbretëresha e merkatos, por që nuk arrin kurrë të ketë vazhdimësi. Spaleti duhet të punojë shumë në fushë, por mbi të gjitha në kokën e lojtarëve. Më pas të shohim se si do ta menaxhojë situatën, pasi luajnë edhe në Ligën e Kampioneve.

Roma dhe Lacio?

Di Françesko e bën skuadrën të luajë mirë, sigurisht që Roma ka kualitet, por të mos harrojmë që punon në një ambient të vështirë, pasi në Romë kështu ka qenë gjithmonë. Ndërkohë që Simone Inzagin e shikoj ende disi të paqartë. Luan një futboll cilësor, por vazhdon të ketë disa probleme. Kjo gjë shikohet kur vendos një numër të madh lojtarësh në mbrojtje edhe kur nuk është e nevojshme. Por mund të them që është në rrugën e duhur.

Tashmë që u largua Sarri, cilët janë trajnerët që preferoni?

Janë pesë apo gjashtë trajnerë, të cilët e kanë kuptuar që futbolli duhet të ecë në një tjetër drejtim dhe po përmend disa prej tyre si Xhianpaolo, De Zerbi, Andreacoli apo Gasperini. Këta trajnerë kanë vendosur kurajën, idetë dhe bukurinë e lojës si parësore.

Modeli që duhet ndjekur?

Do të përmendja Mançester Sitin e Guardiolës, që në 80- ën, edhe pse kryeson 5-1 kërkon të shënojë golin e gjashtë. Është në mënyrë konstante një skuadër që kërkon të dhurojë lojë të bukur. Dhe loja e bukur nuk ka kurrë fund, përkundrazi të ndihmon të përmirësohesh akoma më tepër. Artin Lleshaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"