Sakaj: Flamurtari nuk bie, më vjen keq për Teutën. Nesër, tifo për të dyja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 14:38

Sakaj: Flamurtari nuk bie, më vjen keq për Teutën. Nesër, tifo për të dyja

Artan Sakaj është i bindur se Flamurtari nuk bie nga Kategoria Superiore. Ish-kapiteni i vlonjatëve, në një bisedë për “Panorama Sport”, u shpreh dje se skuadra kuqezi po kalon një moment shumë të mirë dhe nuk do ta diskutojë mbijetesën. Por, për 36-vjeçarin, Flamurtari ka probleme në mbrojtje.

Artan Sakaj

“Së pari, mendoj se Flamurtari ka një ekip shumë të mirë. Aktualisht skuadra vjen pas rezultateve pozitive dhe futbollistët po kalojnë një moment të mirë. Në përbërje janë shumë elementë cilësorë dhe ajo që është e dukshme, ekipi ka një mesfushë të mirë. Po ashtu, edhe sulmuesit janë në një moment pozitiv dhe po shënojnë rregullisht.

Megjithatë, ajo që unë konstatoj në skuadër, është se ka probleme në mbrojtje. Gjykoj se ky repart nuk është shumë solid. Më parë Flamurtari ka qenë më stabël në mbrojtje, ndërsa tani nuk e ka atë stabilitet të dikurshëm”, ka thënë fillimisht Sakaj, duke dhënë edhe mendimin e tij për mbijetesën.

“Nuk rrezikon Flamurtari dhe jam shumë i bindur për këtë gjë. Është e dhimbshme që të flitet se Flamurtari është për të rënë. Unë nuk e besoj kurrë këtë gjë. Flamurtari do të qëndrojë në Superiore, pasi i ka të gjitha mundësitë”, deklaroi ish-mbrojtësi i kuqezinjve.

Diferenca

Vlonjatët luajnë nesër në Durrës një ndeshje shumë delikate ndaj Teutës. Sakaj, si një “ish” i Flamurtarit dhe Teutës, bënë edhe diferencat mes dy ekipeve. Në këtë ndeshje, sipas 36-vjeçarit do të ndikojë shumë kompaktësia dhe eksperienca që kanë ekipet.

“Diferencën në ndeshjen mes Teutës dhe Flamurtarit do ta bëjë kompaktësia. Është një ndeshje shumë delikate, teksa të dy ekipet kërkojnë rezultat pozitiv. Në përbërje Flamurtari është më mirë se Teuta. Por, Teuta është më racionale në lojë. Në këtë ndeshje Teuta është më në presion, ndërsa Flamurtari është më i qetë. Kështu që unë them se do ta vendosin episodet, por edhe eksperienca e lojtarëve”, u shpreh ish-lojtari, i cili ka lënë mbresa te skuadra durrsake.

Teuta

Sakaj shpreh keqardhjen që Teuta gjendet në një pozicion të rrezikshëm. Ai thekson se nesër do të bëjë tifo për të dy ekipet.

“Teuta nuk e ka ruajtur grupin e lojtarëve. Aktualisht ata kanë elementë të rinj. Këto janë sfida delikate që kërkojnë eksperiencë. Për Teutën më vjen keq që është në këtë gjendje. Kam qenë pjesë e të dy ekipeve dhe i njoh mirë. Për Flamurtarin kam më shumë nostalgji në fakt, sepse është ekipi i qytetit tim. Por edhe dy vjet te Teuta kam kaluar shumë mirë dhe ata më kanë respektuar. Në këtë ndeshje do të bëj tifo për të dy ekipet”, përfundon ish-kapiteni i Flamurtarit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"