Sadiku: Kielini më fuste bërrylin dhe më thoshtë “Më fal, je shumë i fortë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 10:19

Sadiku: Kielini më fuste bërrylin dhe më thoshtë “Më fal, je shumë i fortë”

Armando Sadiku ka luftuar shumë në ndeshjen e djeshme ndaj Italisë, me objektivin e vetëm për të shënuar dhe fituar, por në fund një gjë e tillë nuk u realizua. “Për Supersport”, pas takimit, ai është shprehur:

sadiku kielini

“Nuk e meritonim këtë humbje, pas një ndeshjeje të barabartë që kemi luajtur. U ndëshkuam nga një gabim në mbrojtje. Edhe pas pësimit të golit e kemi vënë disi në vështirësi kundërshtarin. Kemi dhënë maksimumin dhe është për të ardhur keq që në fund dolëm të humbur nga fusha”, ka thënë fillimisht Sadiku.

Sulmi

Kuqezinjtë u munduan të gjejnë golin ndaj Italisë kryesisht me goditje nga jashtë zone, por s’ia dolën.

“Është e vërtetë që kemi çaluar në 30 metrat e fundit, por mendoj se, nëse do të kishim pasur pak fat dhe një nga ato goditjet të ishte kthyer në gol, ndeshja do të kishte marrë një tjetër rrjedhë. Kjo është loja jonë, me kundërsulme. Jemi ekip që kemi pasur disa raste, nuk i shfrytëzuam. U munduam të zbatonim detyrat e trajnerit, por normalisht kemi çaluar pak në zonën kundërshtare, por duhet të përmirësohemi edhe më shumë”.

Ndryshimet

“Çdo trajner ka strategjinë dhe frymën e tyre. Panuçi ka ndërtuar ndeshjet si ndaj Maqedonisë, Spanjës, por edhe sot (dje) me Italinë në mënyrë të ndryshme dhe ne si lojtarë jemi munduar të interpretojmë lojën ashtu si trajneri ka dashur. Mendoj se sot (dje) ia kemi dalë duke luajtur si të barabartë. Por, dihet edhe kualiteti që ka Italia. Këto dy ndeshje na shërbejnë edhe për të ardhmen”, tha sulmuesi.

Përballja me Kielinin

Dje Sadiku ka pasur edhe një përballje të ashpër me një prej qendërmbrojtësve më të mirë në Serinë A dhe jo vetëm Kielinin. Lojtari zbardh edhe diçka nga biseda që ka zhvilluar në fushë me të. “Ishte një mbrojtës i fortë në duele dhe çdo përplasje më fuste bërrylin nga mbrapa dhe më pas më kërkonte falje. ‘Je shumë i fortë’, – më thoshte, pasi më kishte dhënë goditjet. Por, kishte edhe ai pasiguri kur e merrte topin në zotërim. Nuk ishte ndonjë jashtëtokësor”, ka mbyllur Sadiku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"