Sadiku e nis me dopietë golash: Kam punuar shumë për këtë ditë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shkurt 7, 2016 | 16:34

Lajme Flash Legjionaret

Sadiku e nis me dopietë golash: Kam punuar shumë për këtë ditë

Debuton me Vaduzin duke shënuar dy herë dhe duke asistuar po aq në fitoren 2-5 që kjo skuadër arriti në transfertë me Luganon.

sadikuSulmuesi elbasanas ka qenë një ndër lojtarët që ka udhëhequr skuadrën e vendit të fundit për të lënë pas atë vend në renditje.

Në një intervistë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, sulmuesi rrëfen emocionet e debutimit, objektivat e tij personalë si dhe dedikimet për golat.

Për të ka një pritshmëri të lartë nga e gjithë skuadra dhe trajneri i Vaduzit e ka shpërblyer me një dhuratë pas kësaj ndeshjeje, ndërkohë që Sadiku tregon për “Panorama Sport” edhe mesazhin nga Xhani De Biazi.

“Kam punuar shumë për këtë nisje. Të gjithë presin shumë nga unë dhe kjo më jep besim dhe forcë për të qenë sa më në formë”, shprehet ndër të tjera sulmuesi. Sodiku rrëfen për gazetën edhe mesazhet dhe urimet që ka marrë.

“‘Ishte nisje e mirë. Është e rëndësishme që të vazhdosh kështu’, më uroi De Biazi pas ndeshjes”, rrëfen sulmuesi i Vaduzit për “Panorama Sport”.

Sadiku realizoi në minutat 45′ dhe 60′, golin e dytë dhe të tretë për ekipin e tij thuajse identikë duke u treguar i saktë përballë portierit kundërshtar si dhe asistoi në dy të fundit.

Dopietë dhe dy asiste. E kishit menduar nisje më të mirë se kaq?

Të them të drejtën, po. Nuk dua të tregohem mendjemadh, por më besoni që kam punuar shumë dhe jam përgatitur maksimalisht për një ndeshje të tillë.

Festuat me një nga drejtuesit e skuadrës në një nga golat…

Ishte menaxheri i ekipit dhe i kisha premtuar që do të shënoja. I kisha thënë përpara ndeshjes: “Do të shënoj dhe do vij të festoj me ty në bankinë”. Gjithashtu edhe me trajnerin festova, pasi ai ka shumë besim tek unë.

Çfarë ju tha pas ndeshjes?

Më përgëzoi. Më tha: “Je fenomen”. Si shpërblim, më dha edhe dy ditë pushim. “Nuk ke nevojë të vish në stërvitje për dy ditë”, u shpreh pas ndeshjes.

A ju vendos nën presion një pritshmëri e tillë?

Vaduzi është një skuadër modeste dhe këtu gjithkush është i vetëdijshëm për pritshmërinë që ka ekipi. Secili e di se deri ku mund të arrijmë dhe punohet shumë për diçka të tillë. Nuk ndodh si nëekipe të tjera që e konsiderojnë veten të mëdha dhe futen në fushë me vetëvlerësim të tepruar dhe nuk arrijnë të marrin atë që mendojnë. Pavarësisht fitores, gabuam dy herë në mbrojtje sot dhe pësuam dy gola që duhet t’i kishim shmangur. Na presin ndeshje të vështira dhe duhet të mësojmë nga gabimet që bëjmë, qoftë edhe kur fitojmë.

A ishte kjo përgjigjja më e mirë për Zyrihun?

Nuk e mendoj fare. Që nga momenti i parë që kam ardhur këtu, kam menduar që të luaj sa më shumë dhe tëjem sa më në formë për Europianin. Dua që të jem patjetër në Francë dhe po punoj jashtëzakonisht shumë për këtë gjë. Pas Europianit do të mendoj nëse do të rikthehem më te Zyrihu apo jo. Tashmë dua të luaj dhe të shënoj sa më shumë për të shpëtuar Vaduzin nga rënia në kategorinë e dytë.

Cili është objektivi personal që i keni vënë vetes?

Të jem mes tre golashënuesve më të mirë. Dua të arrij të paktën kuotën e 15 golave në fund të sezonit.

Urimi më i veçantë që keni marrë pas ndeshjes?

Nuk kam shumë që jam larguar nga stadiumi dhe të them të drejtën kam shumë mesazhe në telefon, që nuk i kam hapur ende. Megjithatë, De Biazi më kish përgëzuar. Ishte ndër të parët që hapa dhe më shkruante: “Ishte nisje e mirë. Është e rëndësishme që të vazhdosh kështu”.

A keni një dedikim për këta dy gola?

Po, për babanë tim, pasi sot ka ditëlindjen. Ai ndodhet në Shqipëri dhe unë nuk mund të isha me të për të festuar, por i dedikoj këto dy gola si një dhuratë në largësi.

Përgatiti: Olsi Tujani




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com