Sa tripleta juventinte kundër Sasuolos, Ronaldo tani është radha jote!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 20:37

Sa tripleta juventinte kundër Sasuolos, Ronaldo tani është radha jote!

Më 10 shkurt 2018, “galaktiku” Kristiano Ronaldo bënte tripletë në suksesin 5-2 kundër Sociedadit: fillimisht me një të djathtë perfekte, më pas shtynte një grushtim të portierit dhe në fund një goditje me kokë. Pak ditë më parë, saktësisht më 4 shkurt, Gonzalo Higuain ekzaltonte tifozët bardhezi me 3 gola personalë në fitoren 7-0 ndaj Sasuolos: fillimisht një e djathtë diagonale, më pas me të majtën në portën e boshatisur dhe në fund një parabolë elegante.

Ronaldo dhe Higuain kanë qenë shokë skuadre në kohët e Realit të Madridit, por te Juventusi jetuan vetëm pak ditë, përpara se argjentinasi të merrte rrugën drejt “Millanelos”. Tani, janë sërish kundërshtarë, por që të dy ndajnë shterpësinë e golit, diçka e rrallë për dy bombera si ata. “Pipita” do të provojë të zhbllokohet të dielën në mbrëmje në Kaljari, ndërsa “CR7” do të provojë të imitojë ish-shokun pikërisht me Sasuolon, ekip përballë të cilëve sulmuesit bardhezi shpeshherë tërbohen.

Ronaldo-2

TRIPLETISTËT

Skuadrës së De Zerbit, “Zonja e Vjetër” i ka shënuar 3 tripleta në pesë daljet e fundit sezonale. Në këtë festë kanë marrë pjesë Tevez (sezoni 2013-2014), Dibala (2017-18) dhe pikërisht Higuain. Emiljanët ndryshojnë “lëkurë” kur vijnë në “Allianz Stadium”, ndërsa në shtëpinë e tyre shpeshherë u kanë vënë stërkëmbësha të rrezikshëm torinezëve, si për shembull barazimi 1-1 i sezonit të kaluar apo akoma më shumë humbja 1-0 në 2015-2016. Gjithsesi, në Torino është një tjetër histori, pasi kanë bërë 0 pikë në 5 vizita, për një total prej 16 golash të pësuar dhe vetëm një të shënuar.

Mesatarja prej 3.2 golash të pësuar për ndeshje nga Sasuolo është e dhimbshme, por në të njëjtën kohë stimuluese për sulmuesit bardhezi. Kjo duhet të vlejë mbi të gjitha për Ronaldon, i cili pas 3 ndeshjeve të para pa gol, vendosi që të qëndrojë në Torino, duke shmangur edhe kombëtaren për të perfeksionuar formën fizike dhe ambientimin në skuadër, me shpresën se kjo punë shtesë do ta shtyjë të dielën që të ofrojë festimin e tij me krahët e hapur, përballë popullit juventin.

FORMË FIZIKE SUPER

Ronaldo do të kërkojë që të shtojë edhe Sasuolon në listën e tij prej më shumë se 100 klubesh që i ka shënuar në karrierë. Portugezi shfrytëzoi pauzën e kombëtareve për të punuar shumë fizikisht me Havier Santamarian, magjistarin e muskujve, të cilin ai e solli me vete te Juventusi, pas punës te Reali i Madridit dhe realisht, edhe i gjithë stafi teknik dhe mjekësor bardhezi po e vlerëson punën e fizioterapistit. Madje, të enjten, Kristiano iu nënshtrua edhe testeve fizike ekzemplare, të cilat dhanë rezultate ekselente, por mbi të gjitha është qetësia e tij psikologjike ajo që godet, me 33-vjeçarin që është i bindur se goli do të vijë shpejt. Fundja, në mos të dielën, të mërkurën, në Champions, në transfertë kundër Valencias, duke ditur se “muzika” e këtij kompeticioni transformon totalisht luzitanin.

KUJDES ME KEÇAPIN

Ronaldo ka përfituar edhe nga këto dy javë më pak kaotike në stërvitje, për të folur shumë më gjatë me trajnerin Alegri, në lidhje me ambientimin e tij. Trajneri i ka ritheksuar sulmuesit të tij se thjesht duhet të qëndrojë i qetë, sepse ashtu i përsëriste shpeshherë Rud Van Nistelroi Higuainit kur firmosi për Realin; “goli është si keçapi… Kur e provon fillimisht ndoshta nuk del, por kur e shtyp fort del i gjithi jashtë dhe nuk ndalet më. Dhe Kristiano mbi këtë argument diçka di, duke parë se në karrierën e tij numëron 34 tripleta në kampionatin spanjoll. Dhe nga ana tjetër, edhe Sasuolo për tripleta të pësuara ka vuajtur jo pak, ndaj është i paralajmëruar..

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"