Sa shumë llogari për Lushnjën, Dalipi: U arrit objektivi! Nuk jemi Barça, edhe me Valbonën do të jetë e vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 20:56

Sa shumë llogari për Lushnjën, Dalipi: U arrit objektivi! Nuk jemi Barça, edhe me Valbonën do të jetë e vështirë

Nuk mund të shman geshin llogaritë as në mbyllje të Kategorisë së Parë. Po të shohësh rezultatet, kalkulimet duken perfekte dhe del përfundimi që: java ishte e gjitha në favor të Lushnjës. Besa likuidoi Burrelin, duke siguruar shpëtimin për vete dhe zbritur në vend të 10-të ekipin me të cilin luante. Dinamo që donte titullin, u mund pa shumë rezistencë nga Luzi dhe themi kështu duke parë formacionin me të cilin luajtën.

Dalipi

Me këtë bilanc, Skënderbeut i mjaftonte edhe një barazim për t’u shpallur kampion. Një pikë që u vlejti shumë edhe verdhejeshilëve. Vërtetë janë në “play out”, por duke fituar një vend në renditjen e përgjithshme, shmangën… Pogradecin. Pa nënvlerësuar Valbonën, ekip që ka bërë mirë deri më tani dhe ka kapërcyer Sopotin e Veleçikun, forca e liqenorëve dihet.

DALIPI – Klevis Dalipi mendon se nuk do ta kenë të lehtë me tropojanët, ndonëse ishin përgatitur për të luajtur ndeshjen shtesë me pogradecarët. Gjatë deklaratës së dhënë pas ndeshjes, trajneri tha: “Luanim ndaj një skuadre që ka bërë një edicion shumë të mirë dhe kishte moral të lartë. Ne kemi arritur një objektiv, sado minimal. Evituam rënien direkte, ndërsa tani duhet të përqendrohemi te ‘play out’-i.

Valbona dhe Pogradeci meritojnë respekt, pasi nuk erdhëm më kot deri këtu. Nuk bëj dot dallime se kë do të kisha dashur përballë. Nëse do ta mbyllnim në vend të 10-të do të diskutonim qëndrimin me Pogradecin, ndërsa tani na takon të luajmë me Valbonën. Ne nuk jemi Barcelona, ndaj nuk mund të themi që tani e kemi më të lehtë.

E vështirë është edhe kështu. Ne nuk e kemi ‘luksin’ për të bërë të tilla zgjedhje. Ne do të përgatiteshim për të dyja rastet, pasi duam të shpëtojmë. Ta përgatisim me shumë përulësi, sepse nuk ka skuadër të lehtë. Kam për detyrë, t’u përcjell djemve shumë besim, zgjuarsi, të rikuperojmë lojtarët nga dëmtimet, siç është rasti i Cankës. Por, edhe ndonjë dëmtim të vogël, që kemi pasur gjatë këtyre ditëve. Të jemi të plotë deri para kësaj ndeshjeje”, përfundoi numri një i stolit të Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"