“Sa keq që nuk u dha ‘Këpuca e Artë’”, Temitope jep sinjale besnikërie: Po negociojmë për rinovimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2023 | 16:31

“Sa keq që nuk u dha ‘Këpuca e Artë’”, Temitope jep sinjale besnikërie: Po negociojmë për rinovimin

Abdul Temitope jep sinjale besnikërie. Pak kohë më parë vërtet paralajmëronte largimin, por tashmë situata ka ndryshuar.

ABDUL TEMITOPE

Ofertat nuk i mungojnë, por dëshira është që të qëndrojë në Korçë. Negociatat i ka nisur zyrtarisht për rinovimin dhe shanset që të qëndrojnë janë të mëdha. Është vetë sulmuesi që e jep këtë lajm të madh, gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Nuk kishte si të mos fliste edhe për “Këpucën e Artë”, që nuk u dha kurrë nga FSHF-ja. Shpreh keqardhje që shkoi kështu, pasi e donte edhe këtë trofe personal.

U ngjitët si kampion në elitë. Ndiheni të kompletuar?

Jam shumë i lumtur që u shpalla kampion, e mbi të gjitha me një skuadër të madhe si Skënderbeu. Sporti lidhet me fitoret dhe vetëm fituesit mbahen mend. Nuk kam për t’i harruar këto momente, sepse fitoret e mëdha e bëjnë të paharruar karrierën e një lojtari, sidomos kur shpallesh kampion.

Shënuat 12 gola, por FSHF-ja vendosi që të mos e akordojë “Këpucën e Artë” këtë vit. Ju vjen keq?

Po, jam i keqardhur që emri im nuk do të shënohet si goleador nga FSHF-ja. Puna e sulmuesit kjo është, të shënoje sa më shumë gola, por kur merr trofeun e golashënuesit është një arritje tjetër e madhe në karrierë. Gjithsesi, ajo që ka më shumë rëndësi në këto momente është që u shpallëm kampionë me Skënderbeun dhe që arrita të jem golashënuesi më i mirë në një kampionat të vështirë e me shumë rivalitet.

Si do ta vlerësonit sezonin tuaj te Skënderbeu?

Ky ishte një sezon i shkëlqyer si për klubin dhe për mua. Jam shumë i kënaqur me performancën time në ekip. E ndiej veten si pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre. Isha i gatshëm gjithë kohës të sakrifikoja për ekipin dhe shokët, duke luajtur disa ndeshje si sulmues krahu, ndërkohë që pozicioni im natyral është sulmues qendre. Ne jemi kampionë me Skënderbeun dhe unë jam golashënuesi më i mirë, kjo është arritja dhe dëshira më e madhe e çdo sulmuesi.

Cila është e ardhmja e Temitopesë?

Tani do të filloj pushimet, pas një sezoni të gjatë e të lodhshëm, për të rikuperuar dhe rijetësuar fizikun tim. Gjithashtu do të kaloj kohë me familjen time, por do të jem sërish gati për hapin e radhës. Gjithçka do të shihet dhe vendoset në muajt që do të vijnë.

Keni biseduar me klubin për zgjatjen e kontratës?

Diskutime janë zhvilluar midis menaxherit dhe presidentit të Skënderbeut, por vendimin final e marr unë. Futbolli modern është biznes dhe vendimet në çdo hap duhet të merren me profesionalizëm dhe gjithmonë në respekt maksimal ndaj të gjithëve nga fillimi në fund. Kontrata ime me Skënderbeun ka përfunduar dhe çfarë ka rezervuar e ardhmja e di vetëm Zoti.

A mund të na zbuloni ndonjë ofertë që ju tundon për momentin?

Kam marr disa oferta nga vende të ndryshme, por dua të theksoj se është shumë shpejt të marr vendime të tilla. Kam besim që do të jem sërish në një skuadër elitare si Skënderbeu, por gjithçka varet nga forma ime dhe vullneti i Zotit. Unë do të vazhdoj stërvitjen individuale për të qenë në formë gjithnjë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"