Rustem Hoxha: Agjëroj dhe stërvitem, të fitojmë Kupën e Shqipërisë për 100-vjetorin e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2020 | 19:40

Rustem Hoxha: Agjëroj dhe stërvitem, të fitojmë Kupën e Shqipërisë për 100-vjetorin e klubit

Futbolli në Shqipëri është ndalur prej dy muajsh për shkak të pandemisë së “COVID-19”. Ditë më parë, FSHF-ja ka zhvilluar një takim me Ministrinë e Shëndetësisë për të diskutuar rreth rikthimit të kampionateve në vendin tonë. Sinjalet duken pozitive e me shumë mundësi stërvitjet do të rinisin më 18 maj. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha, u shpreh optimist për rikthimin e kampionatit.
rustem hoxha teuta
Rustem, si po e kaloni këtë periudhe karantine?
E vështirë, sigurisht. Por, si të gjithë të tjerët po qëndrojmë më shumë në shtëpi. Po stërvitem individualisht me mundësitë që kam. Por, gjithashtu jam duke agjëruar.

Si po vijoni të mbani formën e duhur?
Kam mbi 3 javë në stërvitje. Në fillim të javës ishim me grupe të vogla nga 2 vetë. Tani do të presim një njoftim të dytë dhe për ndeshjet. Duhet të mbajmë distancë nga njëri-tjetri. Unë po vijoj të stërvitem sipas planit që ka përpiluar stafi teknik.

Ju duket larg 18 maji për stërvitje individuale?
Kjo situatë nuk ka qenë shumë e mirë, jo vetëm për futbollistët, por për çdo qytetar. Unë besoj se është zgjatur shumë për të mos filluar stërvitjen, sepse për të rifilluar një kampionat, duhen shumë ditë stërvitje. Besoj se është shumë vonë. Mund të fillojë këtë javë, por nuk vendos unë. Sa më shpejt, aq më mirë do të ishte për futbollin dhe futbollistët.

FSHF propozon rinisjen e kampionatit më 31 maj. Si e shikoni këtë gjë?
Sigurisht do të na duhet pak kohë për t’u futur në ritëm, duke qenë se ishte pushim goxha i gjatë. Jam pro rifillimit të kampionatit në fund të muajit. Futbolli për ne, veç pasion është edhe punë. Shpresoj shumë të kthehemi, pasi na mungon shumë fusha.

Jeni pro apo kundër mbylljes se sezonit në këto momente?
Sezoni mendoj se duhet të përfundojë në fushë dhe atëherë do të shikojmë nëse e meritojmë atë objektiv që kemi, Europën.
Teuta goli ndaj Partizanit
Si e shikoni Europën e Teutës?
Unë besoj se do të jetë e vështirë, por në futboll nuk i dihet. Gjërat duhet t’i marrim me radhë. Jemi aty-aty me pikë dhe kam besim se në fund do marrim pjesë dhe në Europë, por dëshira ime është të fitojmë Kupën e Shqipërisë, pasi është edhe 100- vjetori i klubit.

Ofertat dhe e ardhmja për ju?
Fillimisht dua të mbyll sezonin dhe të ngre një trofe me Teutën. Të tjerat ia lëmë kohës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"