Ruli akuzon sërish: Unë nuk jam marangoz apo hidraulik, Gega u tërhoq se pati frikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2017 | 10:21

Ruli akuzon sërish: Unë nuk jam marangoz apo hidraulik, Gega u tërhoq se pati frikë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, ka përsëritur zhgënjimin e tij për tërheqjen e atletes Luiza Gega nga kampionati botëror i Londrës. Në një prononcim për “RTSH Sport”, Ruli ka akuzuar se Gega ka patur frikë të garojë duke hedhur sërish dyshime për dëmtimin.

Gega-Ruli-Bezhani

“Nuk dua ta zhvlerësoj figurën e Luiza Gegës si atlete e shkëlqyer e atletikës shqiptare në këto dhjetë vitet e fundit. Por do të isha shumë kritik dhe shumë i ashpër për kontributin e saj për Federatën Shqiptare të Atletikës në arenën ndërkombëtare për Federatën mëmë, që quhet IAAF.

Ne nuk kemi vetëm gara dhe mitingje ndërkombëtare, atje ku Luiza Gega merr pjesë. Por kemi dhe detyrime ndaj Federatës Botërore së cilës i përulemi, i thërrasim, takojnë kryeministrin, premtojnë përpara kryeministrit dhe ministres dhe përpara audiencës sonë sportive. Kemi dhe detyrimet që dy herë në vit ndaj organizatorëve të kampionateve dimëror dhe veror, apo të hapur, të marrim pjesë dhe të përfaqësohemi.

Luiza Gega kishte kapur normën dhe kjo duhet bërë e ditur për të gjithë ata që e ndjekin atletikën dhe që janë fansa të saj. Madje dy norma për të qenë përfaqësuese në ‘Londër 2017’. Për këtë e përgëzoj për sakrificën që ka bërë bashkë me trajnerin. Por që të racionalizosh të gjitha forcat duhet të jesh i matur, i zgjuar dhe kompetent kur bën gara dhe kur stërvitesh”, tha fillimisht presidenti Ruli.

MESAZHI

Ai hedh dyshime për përsëritjen e historisë së dëmtimeve. “Unë nuk i pranoj dot përrallat dhe historitë, sepse historia kur përsëritet disa herë është si puna e bariut me ujkun dhe delet ndaj bëhesh i pabesueshëm. Unë nuk vij nga kampi i marangozëve dhe hidraulikëve, por vij nga kampi i sportit, sepse kam qenë edhe unë kampion e rekordmen dhe jam akoma në disa gara.

Luiza Gega deri përpara se të merrnim pjesë në Botëror ka qenë në ‘top listë’. Kemi komunikuar disa herë që do të ishte në garë. Ka kërkuar një fond shtesë tri ditë përpara se të nisesha së bashku me sekretarin e përgjithshëm në Kongresin Botëror. Por ia bëmë të qartë që për atë që ne duhet të paguajmë e kemi mbyllur bashkë si detyrim kontraktual, sepse kam vetëm dy muaj e 56 ditë për të paguar sipas një VKM-je.

Njëkohësisht është edhe pjesë e Tiranës dhe ka detyrimet për t’u paguar nga klubi sipas kontratës që ka. Më 30 korrik jam nisur për në Botëror dhe me 1 apo 2 gusht i kam çuar një mesazh trajnerit Stërmasi ku i kam uruar një kthim të mbarë nga Gior, si dhe një udhëtim të mbarë për në Londër. I kam treguar që hoteli është në një pozicion shumë pozitiv për atleten. I bëra të gjitha këto që atletja të ishte rehat në akomodimin e saj përpara garës. Por papritur marr një mesazh që nuk mund të vijë”.

DËMTIMI

Presidenti Ruli shkon edhe më tej duke thënë se Gega dogji edhe atletin tjetër Izmir Smajlaj. “Unë nuk jam mjek, nuk jam as ortoped e as kirurg. Unë jam një drejtues federate që mundohem që të gjithë atletët t’i kem në mënyrë të barabartë dhe të jap me ta kontributin më të mirë si kombëtar, ashtu dhe ndërkombëtar. Madje për të përfaqësuar atletet me të gjitha problemet si këtu, ashtu dhe jashtë.

Eksperienca më bën që të jem unë pak i dyshimtë. E uroj për gjithçka sa ka arritur. Në jetë edhe gabohet, në jetë ka edhe stres, por ka edhe frikë. Nëse frika dominon atë që ti ke brenda nuk është faji im, sepse ti je përgatitur dhe mendërisht për të bërë një garë. Mjeku ka thënë që është me dëmtim. Le të dorëzojë gjithçka që ka, sepse kronikja do të thotë që dëmtimi është i trashëguar.

Mua më vjen jashtëzakonisht keq, sepse kapja e normës nga Luiza Gega demoralizoi atletin e talentuar Smajlaj. E dogji, sepse po të mos e kapte normën Luiza, atëherë ne do të ishim përfaqësuar me një djalë dhe një vajzë. Mosparaqitja e Gegës një muaj përpara do të më jepte të gjitha kompetencat dhe të drejtat për të akredituar Smajlajn, që në mënyrën më të trashë kërcen 7.80-7.90 metra”.

MASAT

Kreu i federatës pranoi se ky rast do të jetë edhe objekt i një ballafaqimi me kryesinë e federatës. “Ne do të mblidhemi, gjithashtu do të mblidhet dhe Komiteti Drejtues. Do ta thërrasim dhe Luizën, edhe trajnerin. T’i dëgjojmë, sepse një federatë funksionon kështu dhe jo në mënyrë individuale. Mendimi im është ky që Luiza Gega është tërhequr sepse i është ruajtur një paraqitjeje jo të mirë në Botëror dhe mbi të gjitha ka pasur frikë në këtë aktivitet”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"