Ruço humb duelin ndaj Tërbunit, Edlir Tetova: Lushnja luan vetëm për tri pikët!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2022 | 10:57

Ruço humb duelin ndaj Tërbunit, Edlir Tetova: Lushnja luan vetëm për tri pikët!

Lushnja është “e bekuar” nga kalendari. Pas barazimit me Luzin 2008, përgatitet për ndeshjen e dytë radhazi në shtëpi. Këtë herë pret Tërbunin, kundërshtar që e njohin mirë. Kanë luajtur dy herë për llogari të Kupës së Shqipërisë dhe e kanë eliminuar madje, ndaj informacion kanë mjaftueshëm.

LUSHNJA

Por lojtarët ama dhe jo trajneri, pasi asokohe ekipi drejtohej nga Klodian Duro. E megjithatë, misioni është i njëjtë edhe për Edlir Tetovën.

Llogaritë janë të qarta, të marrin trepikëshin e munguar dhe të përmirësojnë pozitat në renditje. Durrsaku beson se grupi ka egon për të gjetur kthesën e madhe, ndonëse edhe këtë herë duhet të “sajohet”. Ka rikthime, por edhe mungesa dhe kjo e limiton në përzgjedhje.

“Kemi takimin e dytë radhazi në fushën tonë. Ndeshjet në shtëpi janë një kënaqësi më vete. Luajmë para tifozëve të ekipit. Normalisht çdo trajner luan për tri pikë, e përgatit ndeshjen për fitore. Shqetësim i vetëm mbeten mungesat e Ervis Gjylës, Ergys Alushit dhe Ledion Ruços.

Ky i fundit u dëmtua vetëm dje dhe nuk është i gatshëm. Lajm i mirë këtë javë është rikthimi pranë grupit i Marjus Korreshit, që i ka munguar ekipit pasi ka kryer një operacion në hundë”, deklaroi fillimisht tekniku i verdhejeshilëve për “Panorama Sport”, duke rrëfyer sikletet që i janë shtuar para kësaj sfide.

39-vjeçari flet për kundërshtarin dhe për çfarë kërkon nga ekipi i tij.

“Tërbuni nuk ka bërë mirë në këto dy ndeshje të fundit. Por është një ekip shumë i mirorganizuar. Kundërshtari ynë do të kërkojë të marrë maksimumin nga kjo përballje.

Nga ekipi kërkon përqendrim maksimal në detyrat e dhëna dhe agresivitet”, përfundoi Tetova. Pas nëntë javëve të luajtura deri më tani, Lushnja ndodhet në vendin e 11-të. Verdhejeshilët shikojnë vetëm fitoren si alternativë për t’iu larguar zonës së rënies.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"