Ruci: Gjyqtarët marrin rroga nga klubet, duam të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2016 | 11:25

Ruci: Gjyqtarët marrin rroga nga klubet, duam të huaj

Vasil Ruci shpall “non grata” të gjithë arbitrat shqiptarë.vasil-ruci Legjenda e futbollit vlonjat, që aktualisht është skaut i klubit të Flamurtarit, thotë se do të bëhet mocion ndaj gjyqtarëve shqiptarë. Ish-trajneri i kuqezinjve, Vasil Ruci, i kërkon FSHF-së që ndeshjet e Flamurtarit në vazhdim të kampionatit të drejtohen nga gjyqtarë të huaj.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thekson se klubi vlonjat është i gatshëm që t’i paguajë vetë gjyqtarët.

“Tirana ka bërë një kërkesë për disa arbitra që nuk i do në gjykim në ndeshjet e saj. Ndërsa ne tani do të bëjmë një kërkesë që të mos na drejtojë më në të ardhmen asnjë arbitër shqiptar, por të na sjellin nga jashtë vendit. Le të na i sjellin nga cilido shtet që duan.

Ne jemi të gatshëm që t’i paguajmë vetë. Jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund kësaj kërkese. E përsëris, nuk duam arbitër shqiptar në ndeshjet tona. Shqiptarët nuk janë më arbitra. Ata janë rrogëtarë në ekipe të ndryshme”, ka thënë fillimisht Ruci, mjaft i irrituar në lidhje me vendimet e gjyqtarëve që, sipas tij, kanë qenë kundër Flamurtarit dhe kanë ndikuar në rezultatin e ndeshjes.

Barazimi

Në vijim të prononcimit, Ruci shprehet se kuqezinjtë luajtën shumë mirë në ndeshjen me Bylisin, e cila përfundoi në barazim pa gola. Sipas ish-trajnerit, skuadra bëri të gjitha përpjekjet në fushë, por ishte arbitri që s’e la të fitonte. Ai është i bindur se ndaj Flamurtarit ka tendenca negative, të cilat do të zbulohen shumë shpejt.

“Në ndeshjen me Bylisin ekipi luajti shumë mirë. Bëri gjithçka mirë dhe arsyeja përse Flamurtari nuk arriti të fitonte, është se nuk ia dha mundësinë arbitri. E mbështes administratorin Idrizi kur thotë se arbitrat janë amatorë, por do të shtoja se ata janë edhe rrogëtarë.

Ndaj Flamurtari ka tendenca, por ato janë pak të thella. Do t’i kuptoni më pas se për çfarë bëhet fjalë. Administratori do të hedhë në gjyq FSHF-në për ndeshjen me Partizanin dhe ju do t’i më- soni në gjyq të gjitha ato që po kurdisen ndaj Flamurtarit”, vazhdoi në prononcimin e tij, Ruci.

E ardhmja

Por, pavarësisht padrejtësive, Ruci është i bindur se Flamurtari nuk do të rrezikojë mbijetesën, si dhe ka mundësi që ekipi të fitojë Kupën e Shqipërisë.

“Unë them se Flamurtari i ka të gjitha mundësitë për të bërë më të mirën dhe për të fituar Kupën e Shqipërisë. Ka një kontingjent të mirë lojtarësh dhe nuk i mundon asgjë. Nga presidenti kanë mbështetje maksimale dhe s’ka asnjë mundësi që skuadra të bjerë nga Kategoria Superiore”, ka mbyllur Ruci.

Përgatiti: ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"