Rubio në “paqe” me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2012 | 13:05

Rubio në “paqe” me Tiranën

FLAMURTARI – TIRANA  1-1
GOLAT: Bratiç 56’/ Morina 45′
FLAMURTARI: Koliqi, Arbri, Rajoviç, Veliu, Mici, Kuqi, Bratiç, Soza, Muzaka (A.Hoxha 88′), Pepa (Telushi 75′), Memelli; Trajner: H.Rubio
TIRANA: I.Lika, Pashaj, Dushku, Pisha, Ahmataj, Karabeci, Taku, G.Lika (Muça 87′), Limani, Morina (F.Hoxha 94′), Çota; Trajner: A.Lekbello
KARTONË TË VERDHË: Kuqi 50′, Mici 57′, Telushi 76’/ Pisha 18′, Ahmataj 55′
VËZHGUES: Plarent Kotherja (Tiranë)
DELEGAT: Uvil Zajmi (Tiranë)
GJYQTARET: L.Alla, D.Korreshi (Lushnjë), R.Avdo (Tiranë)

MINUTAT
2′ Memelli pason për Muzakën, i cili futet në zonë, por goditja e tij përfundon në duart e Likës.
11′ Bratiç rrezikon nga distanca, por nuk gjen dot portën.
15′ Muzaka rrezikon portën e Tiranës, driblon Pashajin, gjuan në diagonale nga jashtë zone, por topi përfundon në traversë.
29′ Memelli kombinohet bukur me Muzakën, ky i fundit pason për Bratiç, i cili gjuan fluturimthi, por topi devijohet nga Dushku.
30′ Kundërsulm i Tiranës, Çota ka një shans të artë, por topi neutralizohet nga një lëvizje e zgjuar e Arbrit.
44′ Rast i artë për Karabecin, gjuan me kokë, por Koliqi grushton mrekullisht.
45′ Tirana në avantazh: G.Lika kroson në zonë, Dushku gjuan me kokë, Morina i ndodhur pranë portës dhe i pambuluar nga Rajoviç, devijon lehtësisht me kokë dhe 0-1.
46′ Bratiç shfaqet rrezikshëm. Por, ndonëse bën gjithçka bukur, nuk e gjen dot portën.
56′ Goditje dënimi për vendësit. Ekzekuton Veliu, por topi kthehet nga mbrojtja bardheblu. Aty përfiton Bratiç, i cili me një goditje potente e dërgon atë në tra dhe më pas përfundon në rrjetë, 1-1.
77′ Limani kroson në zonë për Morinën, i cili tenton të shënojë sërish, por këtë herë nuk gjen dot kuadratin.
80′ Soza i jep një top Memellit. Ky i fundit kombinohet me Muzakën, gjuan fuqishëm, por jashtë.
88′ A.Hoxha kroson për Arbrin, që nga jashtë zonë gjuan fuqishëm, por I.Lika grushton, ndonëse me vështirësi.

Ka vetëm barazim në Vlorë. Flamurtari- Tirana, e cilësuar si “Klasikja” shqiptare, i ka dhuruar secilës skuadër nga një pikë. Askush nuk i gëzohet rezultatit, pasi në fund ata që festojnë janë korçarët e Skënderbeut, që shkëputen të vetëm në krye të tabelës. Supersfida, e cila u luajt dje pasdite në stadiumin “Flamurtari”, ishte tepër e luftuar, ndonëse më kërkues dhe konkretë në fushë qenë vendësit. Një gol i shënuar në minutën e fundit të pjesës së parë nga Morina nuk i demoralizoi vlonjatët. Përkundrazi, ata u kthyen me shumë dëshirë për ta fituar këtë duel, teksa një gol i Bratiçit u evitoi kuqezinjve një tjetër humbje. Nuk kishte spektakël, sikundër shumë mund të prisnin, por futboll të bukur dhe shumë racional. Ekipi i Rubios dha një mesazh të qartë se po rikthehet. Ndërsa Tirana merr barazimin e tretë, duke dëshmuar se diçka nuk shkon.
Pjesa e parë Me një Flamurtar ndryshe në rreshtim, teksa Rubio dje kishte “braktisur” skemën e tij të preferuar 4-2-3-1 dhe luajti me 4-4-2, duke i dhënë përparësi sulmit. E njëjta gjë ndodhi edhe me miqtë, që edhe këtë herë i besuan sulmit, duke hedhur në fushë dyshen Morina e Çota. Loja nis shpejt dhe me një Flamurtar më kërkues. Sinjali i parë vjen që në të 2-ën minutë, teksa Memelli pason për Muzakën, i cili futet në zonë, por goditja e tij përfundon në duart e Likës. Tirana ndonëse mundohet është e paqartë në fushë dhe jo konkrete në qarkullimin e topit. Këtë ngërç vlonjatët e kthejnë në favor të tyre. Bratiç, 9 minuta më vonë, shfaqet rrezikshëm. Ai godet nga larg, por nuk gjen dot portën. Mbresëlënës ishte rasti i Muzakës, në minutën e 15- të, i cili pasi driblon Pashajin, gjuan në diagonale nga jashtë zone, por topi për fatin e tij të keq përfundon në traversë. Vlonjatët shtojnë presionin, teksa në të 29-ën minutë Memelli kombinohet bukur me Muzakën. Ky i fundit pason për Bratiç, që gjuan fluturimthi, por topi devijohet nga Dushku. Këtu reagon Tirana, e cila nis të “zgjohet”. Kundërsulmi i shpejtë i miqve me anë të Çotës, që tenton, por topi neutralizohet nga një lëvizje e zgjuar e Arbrit. Një minutë para fundit të kohës së rregullt, bardheblutë shtojnë presionin dhe në të 45- ën minutë, edhe pse nuk bindën në lojë, gjejnë rrugën e golit: G.Lika kroson në zonë, Dushku gjuan me kokë. Morina, i ndodhur pranë portës dhe i pambuluar nga Rajoviç, devijon lehtësisht me kokë dhe me 0-1. Ekipi i Lekbellos shkon i qetë në dhomat e zhveshjes dhe me idenë fikse se ia doli.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nuk shfaqi ndonjë panoramë të ndryshme nga e para, përpos faktit që vlonjatët shtuan presingun dhe rrjedhimisht gjetën golin e barazimit. Në të 56-ën minutë, një goditje dënimi e ekzekutuar nga Veliu, kthehet nga mbrojtja bardheblu. Aty përfiton Bratiç, i cili me një goditje potente e dërgon topin në tra dhe më pas përfundon në rrjetë dhe 1-1. Flamurtari fiton siguri, ndërsa Tirana bie në apati. Kjo e fundit, edhe pse mundohej dhe kishte raste për të shënuar golin e dytë, nuk ia doli dot. Soza në të 80- ën kroson për Memellin, i cili arrin të kombinohet mjaft mirë me Muzakën, gjuan fuqishëm, por jashtë. Kuqezinjtë nuk dorëzohen dhe provojnë sërish, mirëpo duket se fatin e kishin kundër. Në minutën e 88-të, A.Hoxha i sapofutur në lojë, kroson për Arbrin, që nga jashtë zonë gjuan fuqishëm, por I.Lika grushton, ndonëse me vështirësi. Pavarësisht se u luajtën edhe nëntë minuta të tjera, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund 1-1.

MË I MIRI
Davor Bratiç ka qenë një ndër lojtarët më aktiv në takimin e luajtur dje në Vlorë. Mesfushori kroat, jo vetëm realizoi atë supergol, por ishte mjaft konkret në lojën e tij, sidomos në kroset e dhëna. Njeriu i ndeshjes mund të quhet pa dyshim edhe Gjergj Muzaka, i cili bëri një superndeshje dhe u shfaq në formë të mirë fizike. Ai ishte rreziku numër një për portën e bardhebluve, ndërsa i dha shumë fantazi mesfushës.

MË PAK AKTIVI
Blazho Rajoviç ishte lojtari më i dobët në fushë gjatë supersfidës së djeshme. Falë gabimit të mbrojtësit malazez erdhi edhe goli i Tiranës. Ai, edhe pse kishte mundësinë ta evitonte, nuk përbëri shqetësim për sulmuesin Morina. Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi që bën gafa në qendër të mbrojtjes. Kujtojmë që jashtë forme Rajoviç ishte edhe në përballjen e zhvilluar në Durrës me Teutën, ku për pasojë Rubio edhe e zëvendësoi.

“Më shumë se golin, do preferoja një fitore”
Davor Bratiç, mesfushori kroat, shprehet i lumtur për golin e shënuar, megjithëse më shumë se gjithçka donte fitoren e shumëpritur të skuadrës së tij. I kontaktuar nga gazeta në përfundim të kësaj ndeshjeje, ai ka folur shkurtazi, por qartë, duke sqaruar se kjo mund të jetë pika e kthesës për vlonjatët. “Jam i kënaqur që shënova unë dhe të paktën bëra që ekipi të marrë një pikë, të vlefshme mund ta konsideroj. Mirëpo, pasi kanë përfunduar 90 minutat dhe i bëj rezyme ndeshjes në total, do të preferoja më shumti që të fitonim. Kështu do të kisha qenë plotësisht i lumtur, sepse na nevojitej shumë një trepikësh. Megjithatë, mendoj se kjo përballje e luftuar me Tiranën do të jetë një pikë kthese për skuadrën tonë, të paktën kështu shpresoj”, – kështu tha duke përfunduar kroati i vlonjatëve, i cili ngriti peshë një stadium të tërë pas golit të barazimit.

Rubio komplimenton ekipin pas ndeshjes
Duartrokitje në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes. “Bravo!” Kjo ishte fjala e parë që trajneri i Flamurtarit, spanjolli Rubio, u tha futbollistëve të tij sapo hyri në dhomat e zhveshjes, duke u pritur edhe me ovacione nga ana e tyre. Numri një i stolit të kuqezinjve e ka përgëzuar ekipin për paraqitjen e bërë. “Jam i kënaqur me sjelljen tuaj. Ndeshja e sotme ishte e një niveli të veçantë. Duhet të punojmë më shumë, të jemi më të vëmendshëm dhe të përqendruar. Po reagoni, keni shpirt luftarak, ndërsa sot bëtë lojë dhe duhet të krenohemi me ju, pavarësisht se më duhet t’ju kërkoj edhe më shumë”, – kështu u ka thënë futbollistëve trajneri Hulian Rubio në dhomat e zhveshjes menjëherë pas takimit.

Vetëm 3 mijë tifozë në shkallët e stadiumit
Fakti që ndeshej Tirana me Flamurtarin bëri të mendohej se edhe interesi i tifozërisë do t’i kalonte parashikimet, mirëpo të pranishëm ishin vetëm rreth 3 mijë tifozë. Rreth 20 kishin marrë rrugën nga kryeqyteti për të përkrahur bardheblutë. Ndërsa tifozët vlonjatë normalisht ishin më shumë. “Jemi krenar për ty Rubio”. Ky ka qenë mbishkrimi në banderolën e grupimit “Flota kuqezi”, i cili u rikthye më në fund në stadium pas bojkotit. Por nga ana tjetër shoqatat e tifozëve të Flamurtarit vijojnë të jenë të ndara në qëndrimet e tyre. “Dragonjtë kuqezi” e kanë bojkotuar takimin. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, një bojkot i tillë do të vijojë derisa në fushë të shikohen të tjera rezultate.

“Titulli? Këtë vit do ia dal si vlonjat”
Ndryshe nga ndeshjet e fundit, Gjergj Muzaka është duartrokitur nga tifozët vlonjatë. Tregues që dëshmon se po u fiton dalëngadalë besimin. I pyetur pas ndeshjes nga mediat, mesfushori është treguar altruist duke thënë se më shumë se loja e tij e bukur do të donte një fitore. Madje do parapëlqente më së shumti që të luante keq e të mos shënonte, vetëm që ekipi të merrte pikët e plota. Me dëshirën që edhe këtë vit të shpallet kampion, sikundër në dy sezonet e fundit në Korçë, ai shton: “Shpresoj që këtë vit t’ia dal sërish dhe bashkë me ekipin të fitojmë titullin”. Sa i takon paraqitjes së tij dhe të ekipit, ai e ka cilësuar atë si kthesën e vlonjatëve. “Mendoj se kjo do të jetë kthesa jonë. Ndoshta sot (dje) vetëm barazuam, por ky është një sinjal pozitiv për të ardhmen. Paraqitja e mirë? Më shumë do preferoja që të luaja keq, të mos shënoja, vetëm që ekipi të fitojë dhe të shkojë i qetë drejt titullit. Mendoj se loja e bukur harrohet shpejtë, sepse në fund llogariten vetëm pikët”, – tha Muzaka në lidhje me barazimin kundër ish-ekipit të tij, Tiranës.

Lekbello i kënaqet pikës: Edhe mund të humbnim
Nuk i gëzohet aspak asaj që pa në fushë. Një ekip i çorientuar, që çalon jo vetëm në finalizim, por edhe në qarkullimin e topit. Mirëpo Artur Lekbello, pasi bën një analizë të asaj çka pa në fushë, mendon se me atë barazim mund të gëzohen, sepse mund të kishte ndodhur edhe më e keqja, të humbnin. “Ashtu si shkoi loja duhet të kënaqemi, mirëpo këto pikë të humbura do na kushtojnë shtrenjtë në fund. Patëm rastet tona edhe për ta fituar, por gabuam shumë, sidomos në pasime. Prandaj duke parë ecurinë e lojës, mendoj se duhet të gëzohemi, sepse edhe mund ta pësonim. Rastet e krijuara nga vlonjatët më shumë sesa për meritë të tyre, erdhën prej gafave tona. Kjo vjen edhe nga presioni që të ofron kjo ndeshje, sidomos nga tifozëria, por gjithsesi janë të pafalshëm”, – tha fillimisht Tushe. Më tej, i pyetur nëse ekipi i tij ka nevojë për merkato, u përgjigj: “Sigurisht që duhet merkato, duhen afrime. Edhe sikur të jesh në krye, gjithnjë ka vend për përforcime. Kalendari në vazhdim është i vështirë, pasi do ndeshemi me Kastriotin dhe më pas me Skënderbeun. Kampionati do të jetë një maratonë e luftuar, si për ne që pretendojmë titullin, ashtu edhe për ata që janë fund”. Mungojnë goleadat dhe sulmi vazhdon të çalojë, gjë që Lekbello e përsërit ndeshje pas ndeshjeje. “Edhe goleadat nuk do të vonojnë. Do përpiqemi që nga pauza të përfitojmë duke rregulluar mangësitë, veçse duhet shumë punë dhe ne këtë po bëjmë. Sulmi vazhdon të çalojë, por kjo pauzë do të jetë një ndihmesë për t’u përmirësuar. Sot (dje) bëmë diçka ndryshe. Luajtëm me dy sulmues, në një kohë që grupi është mësuar me një lojtar të avancuar. Kjo ishte një pikë me vlerë, duke parë edhe kundërshtarët, apo pretendimet që ata kanë. U munduam, por s’ia dolëm dot që të merrnim më shumë, ndaj le t’i gëzohemi barazimit”.

Morina: Goli për Rubion, nuk besoi tek unë
Mario Morina shënon sërish, këtë herë në Vlorë, atje ku u ndesh me Flamurtarin dhe më konkretisht me ish-trajnerin e tij. Pasi realizoi atë gol, para se të shkonte te pankina bardheblu për të festuar, kaloi te Rubio duke i thënë me gjeste: “Pusho”. I pyetur nga “Panorama Sport” jo vetëm për golin, por edhe për atë veprim të bërë, sulmuesi tregon se goli ishte për spanjollin, pasi ky i fundit nuk i ka besuar kur drejtonte Tiranën. “Ndihem shumë i gëzuar që shënova. Ne erdhëm për të marrë tri pikë në Vlorë. Lamë dy të vlefshme, por shpresoj që të mund të rikuperojmë gjithçka në takimet e tjera. Ne jemi ekip pretendent dhe na duhen tri pikët. Nuk jemi të kënaqur me më pak, por gjithsesi edhe pse dolëm me vetëm një pikë nga ky takim e vlerësoj pozitive. Golin ia dedikoj Rubios, që ai ta dijë se kush jam unë. Ne donim të fitonim, jo të hakmerreshim ndaj tij. Atë nuk e llogarisnim fare, pasi nuk iku në mënyrën më të mirë të mundshme nga Tirana”. Morina shpjegon se shenjën me gisht pas golit e kishte për Rubion: “Ishte për ish-trajnerin, sepse në atë moment kishte fërshëllima nga stadiumi në mbështetje të tij. Nuk e kisha me tifozët, por me spanjollin. Doja t’i tregoja se kush jam unë dhe se nuk kisha unë probleme me të, por ai me mua”. Ndërsa spanjolli i pankinës vlonjate, i pyetur për shenjën e Morinës dhe akuzat ndaj tij, u shpreh: “Unë nuk e pashë atë gjest. Edhe po ta kisha parë nuk do të më bënte përshtypje. Secili tregon veten e tij. Unë kam pasur marrëdhënie korrekte me të gjithë futbollistët tek Tirana, kështu që nuk ndihem aspak në faj. Nuk më bën përshtypje sjellja e tij”.
ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"