“Ruajtja e grupit, suksesi i Flamurtarit për Superioren”, Çelhaka: I lumtur që kontribuova një vit për vlonjatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2022 | 15:27

“Ruajtja e grupit, suksesi i Flamurtarit për Superioren”, Çelhaka: I lumtur që kontribuova një vit për vlonjatët

Alked Çelhaka e mbylli me sukses misionin e tij te Flamurtari dhe tani është gati të provojë një aventurë të re. Kavajasi sakrifikoi duke luajtur në inferiore, edhe pse vinte nga eksperienca elitare. Por në një intervistë për “Panorama Sport”, Çelhaka thotë se nuk është aspak pishman, pasi në Vlorë erdhi të ndihmonte Flamurtarin të ngjitej më lart. Edhe pse nuk do të jetë pjesë e tij sezonin që vjen, 28-vjeçari ka bindjen se kuqezinjtë do t’ia dalin.

alked celhaka

Çelhaka, nuk do të jeni më pjesë e Flamurtarit sezonin e ardhshëm. Si u ndatë me vlonjatët?

Unë falënderoj presidentin Sinan Idrizi për korrektësinë që tregoi ndaj meje. Qëndrova një vit në Vlorë dhe jam ndier shumë mirë, i respektuar nga të gjithë, si shokët e skuadrës, drejtuesit dhe tifozët.

Si e vlerësoni sezonin që u mbyll?

Ishte një sezon i vështirë, por edhe i bukur. Një sezon që u mbyll më së miri me objektivin e realizuar që në fakt nuk e kishim vendosur ndonjëherë në pikëpyetje. E gjithë skuadra dha më të mirën për ta ngjitur Flamurtarin në Kategorinë e Parë dhe për ta larguar sa më parë nga inferiorja. E arritëm këtë gjë me shumë përpjekje dhe sakrifica. Jam i lumtur që edhe unë kontribuova për ngjitjen e Flamurtarit, duke dhënë maksimumin tim.

Si e shikoni të ardhmen, a ngjitet Flamurtari në Superiore?

Unë kam bindjen se po. Ajo skuadër projektohet gjithmonë për elitën, kështu që nuk ka si të ndodhë ndryshe as këtë vit. Objektivi mbetet rikthimi në Superiore, dhe unë jam shumë i bindur se do të arrihet. Flamurtarit i uroj suksese në vazhdimësi.

Po, si mund të ngjiten në elitë kuqezinjtë?

Drejtuesit e klubit e dinë më mirë dhe ata do të bëjnë gjënë e duhur për ta arritur. Bënë veprimin e duhur që ruajtën grupin e sezonit të kaluar. Brenda tij janë lojtarë me eksperiencë të madhe dhe që kanë luajtur në Superiore, por edhe me afrimet që do të bëjnë, them se do të forcohen.

Si e shikoni kampionatin që vjen?

Normalisht që do të jetë një kampionat i fortë. Do të jenë pjesë e Kategorisë së Parë skuadra me emër dhe që kanë bërë historinë, si Flamurtari, Dinamo, Skënderbeu, Apolonia e të tjerë. Do të jetë një kampionat në nivelin e Superiores. Do të jetë shumë i fortë dhe i bukur.

Ku do ta vazhdoni karrierën?

Do të vendos brenda kësaj jave. Jam gati për të nisur një aventurë të re. Skuadrën le ta lëmë surprizë për momentin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"