Rrumbullaku: S’e meritojmë këtë vend në renditje, duhet të mundim…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 19:59

Rrumbullaku: S’e meritojmë këtë vend në renditje, duhet të mundim…

Kukësi vazhdon të vuajë dëmtimet dhe njëri prej futbollistëve që po qëndron prej shumë javësh jashtë është edhe Simon Rrumbullaku. Mbrojtësi në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” e pranon se mungesa e rezultateve ka shtuar presionin, por beson te ringritja. 27- vjeçari ndien keqardhje për golin e anuluar të Rexhinaldos në ndeshjen e fundit, por bën thirrje që një ekip i madh si Kukësi nuk duhet të ndalet aty.

Rrumbullaku
Simon çfarë nuk ka shkon siç duhet te Kukësi, pse këto rezultate?

Na mungojnë rezultatet dhe kjo është evidente, por përveç tyre edhe fati. Rezultatet bëjnë diferencën në futboll, por unë jam optimist se do dalim nga kjo situatë dhe përgjegjësia bie mbi ne futbollistët. Kukësi s’e meriton vendin e 5-të në renditje. Kemi krijuar raste dhe volum loje, ndaj shpresoj që në vijim të shtojmë edhe efikasitetin në realizimin e golave.

Si u ndjetë kur u anulua ai gol i Rexhinaldos, pasi nga tribuna u patë shumë i shqetësuar?

U bë një ndeshje e fortë. Teuta po bën mirë këtë vit, ka një trajner punëtor dhe lojtarë me eksperiencë. Ndaj çdo kundërshtar, nuk do ta ketë lehtë me ta. Në atë takim ne prodhuam lojë, mbajtëm shumë topin, por nuk arritëm dot te fitorja. Nuk jam njeriu i duhur për të komentuar arbitrat, por te rasti i Rexhinaldos gabuan. Pamjet filmike dëshmojnë se ishte i rregullt, e kjo pjesë më mërziti mjaft. Me atë gol, ndoshta do ishte ndryshe situata dhe nuk do flisnim kështu tani. Por, ne nuk duhet të merremi me një rast duhet të shohim para e të bëjmë çdo gjë që të arrijmë atje ku duhet dhe të përmirësojmë gabimet. Fitoret janë e vetmja rrugë, pasi kampionati është i gjatë.

Është Kukësi nën presionin e rezultateve?

Nga momenti që nuk marrim rezultatet e duhura, kjo gjë na mërzit. Është normal që në futboll të ketë presion, sidomos te Kukësi që është mësuar me pretendime madhore dhe trofe. As ne vetë nuk po e kuptojmë pse nuk po arrijmë të fitojmë, pasi çdo gjë funksionon mirë, ndoshta dëmtimi i Musollit solli anomali në ekip. Gjithsesi, unë jam i bindur që do bëjmë kthesën.

Me shkëputjen e Partizanit, ka më shans Kukësi për titullin?

Diferenca në pikë është paksa e madhe, por unë jam i bindur që kurrsesi nuk është pasqyrë e ekipeve përkatëse, pasi ne nuk kemi diferenca me Partizanin dhe Skënderbeun.

Do kërkoni revanshin ndaj rivalëve direkt?

T’ia lëmë kohës. Të kalojmë Kamzën dhe Luftëtarin, e mandej të mendojmë për dy kryesueset. Na presin ndeshje të vështira, duhet përgatitemi mirë psikologjikisht dhe të rregullojmë gabimet tona. Jam i bindur se me kthimin e besimit, kur të përballemi me dy kryesuesit, do i kemi ngushtuar diferencën e pikëve. Ndaj Partizanit dhe Skënderbeut duhet të tregojmë vlerat tona, duke i mundur.

Si po ecën rikuperimi juaj, kur do ktheheni në fushë?

Jam në javën e katërt të dëmtimit, çdo gjë ka shkuar mirë dhe jam i kënaqur me ecurinë që kam bërë deri tani. Shpresoj të rikthehem sa më shpejt. Synimi im është të rikthehem mbas përfundimit të ndeshjeve të Kombëtares, gjithsesi çdo gjë e di stafi mjekësor dhe klubi.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"