Rrugëtimi për në Botërorin “Katar 2022”, ja si Shqipëria e realizon ëndrrën e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2021 | 16:05

Rrugëtimi për në Botërorin “Katar 2022”, ja si Shqipëria e realizon ëndrrën e madhe

Përfundimi i ndeshjeve të muajt shtator ka bërë që ëndrra e Shqipërisë për të siguruar një biletë në Botërorin “Katar 2022” të bëhet realitet. Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura në Grupin I të eliminatorëve të Botërorit, kuqezinjtë e trajnerit Edi Reja mbajnë vendin e dytë me 12 pikë, katër më pak se Anglia kryesuese dhe një më shumë sesa Polonia e vendit të tretë.

Shqiperia

Llogaritë e Shqipërisë për të realizuar ëndrrën e madhe lidhen me vendin e dytë. Së pari, po sqarojmë formulën e pjesëmarrjes së skuadrave europiane në Botërorin “Katar 2022” që për herë të parë në historinë e këtij kompeticioni do të luhet në dimër, pikërisht nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor 2022. Kontinenti europian përfaqësohet në Botëror me 13 shtete. Nga këto, të drejtën e kalimit direkt në fazën finale e kanë 10 skuadrat që raundet kualifikuesve në grupe i mbyllin në vend të parë. Ndërsa 10 skuadrat që renditen të dytat, plus dy ekipet më të mira që vijnë nga Liga e Kombeve, por që nuk bëjnë pjesë në 20 skuadrat më të mira të eliminatoreve aktuale të Botërorit, formojnë grupin me 12 kombëtare që do t’i nënshtrohen fazës “play off”.

Renditja

12 skuadrat që kalojnë në “pla off” do të ndahen në tre grupe, ku do të hidhet short për rrugën që këto ekipe do të ndjekin. Në fund do të dalin tre fituesit që do t’i bashkohen dhjetë skuadrave të para të grupeve kualifikuese të zonës europiane për “Katar 2022”. Faza “play off” do të zhvillohet vitin tjetër nga 24 marsi deri më 29 mars. Shqipëria synon si fillim të arrijë këtë fazë nga vendi i dytë në grup dhe më pas të shpresojë për sigurimin e biletës.

SHANSET E SHQIPËRISË

Duke u bazuar te renditja aktuale në Grupin I, si dhe katër ndeshjet që kanë mbetur për t’u luajtur i bie që Kombëtarja shqiptare të ketë shanse dhe arsye për të besuar për të shkuar si fillim në fazën “play off” dhe më pas për të luftuar për sigurimin e një bilete historike për Botërorin “Katar 2022”.

Ndeshjet 1 sakte

Janë disa kombinacione të mundshme që e çojnë Shqipërinë na fazën “play off”. Pas fitores 5-0 me San Marinon trajneri Edi Reja pohoi se mundësi reale për ta realizuar këtë mision është marrja e 9 pikëve. Kjo realizohet duke mundur dy rivalët direkt, Hungarinë dhe Poloninë, si dhe trepikëshin në ndeshjen e fundit me Andorrën pa bërë llogari pikësh me transfertën e Anglisë më 12 nëntor.

Vendi i dytë në Grupin I fiksohet me “çelës anglez” dhe praktikisht në ndeshjet e fundit në grup funksionoi në favor të kuqezinjve, pasi “Tre Luanët” barazuan me Poloninë dhe i dhanë mundësi Shqipërisë që të marrë vendin e dytë. Dy sfidat e tetorit ( më 9 dhe 12) janë “flakë” për kuqezinjtë, pasi mund të digjen vetë ose të përcëllojnë rivalët. Nga përballjet direkte me Hungarinë dhe Poloninë varet fati i vendit të dytë.

ndeshjet 2

Nëse Shqipëria arrin që të fitojë në Hungari ose minimumi të mbajë një barazim, si dhe të fitojë më pas me Poloninë në “Air Albania” shanset për vendin e dytë do të shtoheshin më shumë. Gjithsesi, Anglia do të jetë përcaktuese për të zgjedhur pasuesin e saj në grup, ku pas barazimit me polakët do të ndeshet edhe me Hungarinë dhe Shqipërinë.

Ne jemi të fundit në radhën e dueleve me anglezët, ndaj për të siguruar vendin e dytë shpresohet që “Tre Luanët” të mundin hungarezët, ndërsa ne të bëjmë të njëjtën gjë me dy rivalët në tetor dhe të kemi fat më 12 nëntor në stadiumin “Uembli”, që të mos mundemi nga Anglia. Matematikisht, gjithçka është e mundur për sigurimin e vendit të dytë, por përcaktues mbetet “çelësi anglez”.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"