Rrugëtimi i Berishës, nga “2 Korriku” në… Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2015 | 15:38

Rrugëtimi i Berishës, nga “2 Korriku” në… Champions

berishaEtrit Berisha pak ditë më parë po shëtiste rrugëve të Prishtinës. Shumë qytetarë e ndalonin për të bërë foto me yllin e Kombëtares së Shqipërisë. Nuk hezitonte dhe me buzëqeshje i nderonte të gjithë. Ky respekt i tifozëve për të tregon më së miri rrugëtimin e portierit 26- vjeçar në shtatë vitet e fundit, rrugë që ka nisur nga lagjja “Arbëria” në Prishtinë e që ka përfunduar në Romë. “Champions-i ishte qershia mbi tortë. Rruga deri këtu nuk ishte e lehtë. Kam kaluar shumë sakrifica e vështirësi”, ka thënë Berisha për “Kohën Ditore”. Ish-portieri i 2 Korrikut është i lumtur që ka arritur këtë sukses. Berisha tregohet i sinqertë kur thotë se ende nuk mund ta ndiejë kënaqësinë dhe emocionin, pa zbritur më parë në fushë me Lacion.

Portieri nga Prishtina, karrierën si fëmijë e nisi në klubin e njohur për nxjerrjen e talenteve, 2 Korriku. Atë kohë ai ishte pjesë e një ekipi të përzier të gjeneratave të reja të skuadrës nga Prishtina. “Pata një pauzë gjatë kohës së luftës. Por, menjëherë pas luftës, kur edhe 2 Korriku u riorganizua e vazhdova aty ku e kisha lënë, me ambicien që një ditë do të arrij të jem pjesë e ndonjë klubi europian”, tregon Berisha. Pas një periudhe të vështirë, kur 2 Korriku nuk kishte kushte të mira, i gjithë ekipi së bashku me Berishën kaluan në skuadrën nga Obiliqi, KEK. Te KEK, Berisha qëndroi për tre vjet. Pas tre vjetëve të kaluara, Berisha u kthye edhe një herë te 2 Korriku, ku u bë pjesë e të rinjve e më pas edhe i ekipit të parë. “Sa ishte trajner i Bashkimit të Kumanovës, Bylbyl Sokoli më merrte me vete që të ngrinte nivelin tim dhe të shihja kushtet më të mira që kishte kampionati i Maqedonisë.

Aty kam pasur një përvojë të shkurtër, por shumë të mirë për karrierën time. Më ka ndihmuar shumë”, thekson Berisha. Me punë të madhe tek ekipi i 2 Korrikut, Berisha vazhdoi derisa i erdhi një mundësi e mirë për të lënë Kosovën. Kalmari Në janarin e vitit 2008, Berisha la 2 Korrikun për t’iu bashkuar Kalmarit në Suedi. “Në Kosovë ka qenë kënaqësi kur unë luaja me ekipin e 2 Korrikut, kampion i moshave. Kënaqësi ka qenë të punoja edhe me trajnerët e portierëve të këtij ekipi, të cilët i kam konsideruar si prindër.

U jam shumë mirënjohës për atë që kanë bërë me mua”, deklaron Berisha. Pas 2 Korrikut, provat në skuadrën elitare të Suedisë ia kishte mundësuar trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki që gjithashtu punonte në staf të trajnerëve te skuadra e Kalmarit. Te kjo skuadër, ai shënoi tre gola nga penalltitë në 90 paraqitje nga viti 2009 deri në vitin 2013. “Te Kalmari, momenti më i mirë në karrierë ka qenë debutimi në ekipin e parë, pasi kam pritur dy vite që ta fitoj atë vend në ekip”, ka theksuar Berisha. Pas paraqitjeve të mira që pati me Kalmarin, gardiani shtatlartë fitoi rastin të bëhet pjesë e Kombëtares së Shqipërisë dhe të transferohet në skuadrën e Lacios, në Serinë A italiane.

“Përveç debutimit tim me Lacion, arritje e madhe ishte edhe finalja e Kupës së Italisë. Unë jam i gatshëm të kontribuoj kurdo që është nevoja për bardhekaltrit”, ka thënë ai. Këtë edicion me fanellën e ekipit italian zhvilloi 10 paraqitje në kampionatin italian, Seria A dhe shtatë paraqitje në Kupën e Italisë, ku ekipi i tij humbi në finale kundër Juventusit. “Francë 2016” Më 4 shtator, Shqipëria luan ndeshje kualifikuese kundër Danimarkës në transfertë, kurse më 7 shtator kundër Portugalisë në Shqipëri. “Kualifikimin jemi duke e menduar çdo ditë e çdo moment. Jemi duke bërë maksimumin tonë që të arrijmë ta mbyllim pozitivisht këtë garë, por e dimë se kemi sfida përpara dhe do ta kemi jashtëzakonisht të vështirë”, ka thënë Berisha në intervistën e dhënë për “Koha Ditore”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"