“Rruga e kthesës nisi, por kemi ende për të përmirësuar”, Bruka sheh gabime edhe në fitore: Shpërdorojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2021 | 11:18

“Rruga e kthesës nisi, por kemi ende për të përmirësuar”, Bruka sheh gabime edhe në fitore: Shpërdorojmë

Në Lezhë kthehet më në fund qetë sia. Nëse fitorja me Vorën dha moral, ajo me Apoloninë i dha një “shkelm” krizës.

bruka

Asgjë nuk ka mbaruar dhe rreziku mbetet prezent, por ngjitja në renditje ka nisur me 6 pikë të mbledhura në 180 minutat e fundit.

Pasi pushuan të hënën, Besëlidhja nisi stërvitjen zyrtarisht dje. Gara është ndërprerë dhe këto dy javë do shërbejnë për t’u përgatitur për Kupë e kampionat. Lezhjanët luajnë mesjavën e ardhshme me Partizanin dhe më pas luajnë me Shkumbinin për llogari të javës së 9-të.

ANALIZA

Para se të niste seanca, skuadra iu nënshtrua analizës së zakonshme. Këtë herë nuk kishte vend për kritika, por lëvdata. E megjithatë, diçka për ta evidentuar trajneri e kishte. Ai u mor me rastet e shpërdoruara dhe jo vetëm. Gjatë fjalës së tij para ekipit, trajneri Alban Bruka tha: “Që në ndeshjen me Vorën nisët rrugëtimin për realizimin e objektivave që i kemi vënë vetes. Angazhimi maksimal i të gjithëve, shpirti i garës dhe i sakrificës, siç e patë edhe vetë, shpërblehet.

Ndaj, duhet që këtë trend pozitiv ta kultivojmë në të gjitha sfidat. Mundësitë nuk na mungojnë. Edhe pse këto javët e fundit patëm rezultate pozitive, përsëri ka shumë vend për përmirësime. Në të tria ndeshjet e fundit, si ndaj Vorës për Kupë, ndaj Partizanit në Kupë dhe në takimin e fundit në Fier ndaj Apolonisë, janë shpërdoruar raste të pafalshme dhe janë evidentuar mjaft gabime, që mund të na ndëshkonin.

Do të thoni se mjaftojnë pikët. Deri diku ashtu është, por loja e qartë të jep garanci. Mund të fitohet një, por nga gabimet e pëson në tjetrën. Ndaj, le t’i eliminojmë sa më shpejt, që të mos na ndalë kush në vazhdimësi.

Mbijetesa jonë nuk duhet të diskutohet më nëpër analiza. Tani po përgatitemi për ndeshjen e radhës ndaj Shkumbinit që do ta zhvillojmë në stadiumin tonë. Duhet të punojmë me kujdes gjatë ditëve stërvitore që kemi në dispozicion, për të marrë ngarkesat e duhura për sfidën e radhës.

Nuk duhet të kemi besim të tepruar te vetja pasi ndeshja ndryshon nga ndeshja. Duhet ta vlerësojmë në maksimum kundërshtarin dhe të japim më të mirën në fushë”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"