Rrumbullaku “spiunon” Laçin në Qipro: Mund t’ju surprizojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2018 | 20:30

Rrumbullaku “spiunon” Laçin në Qipro: Mund t’ju surprizojnë

Rikthimi në zonën “Euro” ka bërë që Laçi të nisë përgatitjet prej ditësh jo vetëm në fushë, por edhe merkato. Fakti që përballë do të kenë Anorthosisin i ka mobilizuar kurbinasit. Ata kanë filluar të studiojnë rreth kundërshtarit, i cili në letër llogaritet si favorit. Por, të njëjtën gjë janë duke bërë edhe qipriotët.

simon rrumbullaku kukesi

Për këtë motiv kanë intervistuar Simon Rrumbullakun, që të zbulojnë më shumë rreth bardhezinjve, të cilët drejtohen prej Besnik Prengës. Në një intervistë të dhënë për “kërkida.net”, mbrojtësi i majtë i Kukësit ka thënë gjithçka di rreth Laçit. Gjirokastriti, që gjatë karrierës së tij ka luajtur më së shumti në Greqi, ka evidentuar se kurbinasit janë “zot” në shtëpinë e tyre dhe, për këtë fakt, Anorthosis duhet ta marrë seriozisht.

“Laçi ka lojtarë të mirë dhe shumë të shpejtë. Do të jetë ndeshje e vështirë në qoftë se Anorthosis nuk e merr seriozisht. Dhe po vepruan kështu, Laçi mund t’u bëjë të papriturën. Por, Anorthosis mbetet favorite. Laçi është ekip i vështirë shumë dhe sidomos kur luan në shtëpi. Kanë të rinj që japin gjithçka. Edhe pse u mungojnë emrat e mëdhenj, përpiqen nga minuta e parë deri në minutën e fundit”, kështu e nis rrëfimin e tij Rrumbullaku.

ECURIA – Lojtari 26-vjeçar mendon se surpriza më e bukur e sezonit të fundit ishte pikërisht Laçi. Madje, shkon edhe më larg kur përmend edhe emrat e “yjeve” të kurbinasve. “Për mua ishte një surprizë e këndshme këtë vit, bazuar në listën e lojtarëve. Ata nuk kanë shumë eksperience, por kishin punuar shumë, vrapojnë mjaftueshëm, kanë pasion dhe vullnet. Nuk e di se çfarë merkatoje do të bëjnë, por kanë dy-tre lojtarë që bëjnë diferencën. Portieri kryesor Selmani, i cili është pjesë e Kombëtares shqiptare U-21.

rrumbullaku

Edhe Myrto Uzuni, i cili është një mesfushor i shpejtë në krahun e majtë. Në mesfushë kanë një brazilian, Maikon Eskerda, me një teknikë mjaft të mirë”, shtoi futbollisti, që me Kukësin numëron 53 ndeshje dhe një gol.

STADIUMI – Një histori më vete është edhe çështja e impiantit, ndërsa Rrumbullaku sqaron se ndeshja me shumë gjasa mund të luhet në Laç, megjithatë si variant është edhe “Elbasan Arena”. “Ata kanë ‘botën’ në fushën e tyre. Laçi është një qytet një orë larg Tiranës. Nëse nuk do të luajnë në stadiumin e tyre, do të shkojnë në ‘Elbasan Arena’, impiant që ka një kapacitet prej 14 mijë vendesh”, përfundoi lojtari i linjës së majtë, që gjatë karrierës së tij ka luajtur për Kalamatën, Pas Janninën, Panetolikos, Panegialios dhe Apollon Smyrn.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"