Rrotacion masiv në Kupë, Teuta bëhet gati për Turbinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2018 | 19:50

Rrotacion masiv në Kupë, Teuta bëhet gati për Turbinën

Pasditen e së hënës Teuta u rikthye në stërvitje me ekipin e plotë (përveç Hakajt, i grumbulluar me Kombëtaren U-21). Trajneri korçar, Bledi Shkëmbi, i kushtoi më shumë vëmendje gjendjes fizike të lojtarëve, me ushtrime të veçanta për secilin repart dhe në fund sërish një minitakim midis ekipit, gjë që lë të kuptohet për një rrotacion në ndeshjen e Kupës. Me padyshim që durrsakët mendojnë për Kukësin, por nuk kërkojnë të nënvlerësojnë ndeshjen ndaj Turbinës, një takim i cili do të luhet të mërkurën në fushën kundërshtare.

teuta

Kupa është një objektiv primar i “djemvë të detit”, por situata bën që përqendrimi të jetë maksimal në ndeshjen e së shtunës për kampionat, në “Niko Dovana”. Ndeshja miqësore dhe seanca e fundit stërvitore i shërbyen trajnerit Shkëmbi për t’i dhënë një ide më shumë mbi ndërtimin e dy formacioneve, ku pritet që ditën e mërkurë të ketë disa ndryshime, duke lënë pushim pjesën më të madhe të titullarëve, për të qenë të freskët ndaj verilindorëve. Rrotacioni është diçka e nevojshme në këtë pikë të sezonit, ku Teuta kërkon të shfrytëzojë në maksimum startin e mirë që ka zhvilluar.

Ndryshimet mund të nisin nga katërkëndëshi, për t’i dhënë një fanellë titullari Celeskit, e më pas me repartin e mbrojtjes ku Shkalla pritet ta nisë sfidën si titullar. Hakajt, pas rikthimit nga kombëtarja, do t’i jepet pak pushim për t’u rikthyer ndaj Kukësit, duke krijuar mundësi për Beqajn ta nisë sfidën e Kupës si titullar. Mesfusha është reparti ku mund të sjellë ndryshime me aktivizimin nga minuta e parë e Vecajt, Kallakut, Peqinit apo dhe të riut premtues Lorenco Vila. Gjithashtu, pritet të shihet nëse do të ketë një fanellë titullari për Prognin. Takimi i raundit të parë mund të shërbejë në veçanti për repartin e sulmit, për të kaluar ngërçin ku gjendet pas tri ndeshjeve të para me vetëm një gol. Diferencat e ekipit durrsak me atë të Turbinës janë të mëdha, ku vetëm një vit me parë skuadra cërrikase eliminohej në raundin e parë nga Flamurtari me rezultatin e përgjithshëm tenistik 11-3, ndërsa Teuta arrinte të eliminonte Kamzën me rezultatin e përgjithshëm 5-1.

IKËN SALILLARI

Eduard Salillari largohet nga detyra e shefit të klubit durrsak pas 15 vitesh. Edhe pse nuk dihen ende arsyet e këtij largimi të papritur, klubi ka zyrtarizuar menjëherë drejtuesin e ri. Bëhet fjalë për Enid Furxhi, i cili ka bërë deri më tani rolin e drejtorit të akademisë Teuta. Pas ndryshimit total të stafit teknik pas përfundimit të sezonit 2017-2018, te durrsakët po ndodh një revolucion i vërtetë. Kujtojmë që Salillari krahas detyrës së shefit të klubit, bënte edhe atë të përgatitësit atletik prej shumë vitesh te Teuta.

A.ALIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"