Rrotacion çdo javë/ Lushnja ka vetëm një kampion, Broshka: Boll gabuam, koha të gjejmë golat e pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2021 | 11:38

Rrotacion çdo javë/ Lushnja ka vetëm një kampion, Broshka: Boll gabuam, koha të gjejmë golat e pikët

Lushnja nuk po gjen “rehat” me formacionin. Ndryshime të vogla ka thuajse çdo javë, por ato që bëjnë përshtypje janë ato që kryhen gjatë lojës. Kjo dëshmohet më së miri edhe prej statistikave pas 8 ndeshjesh të luajtura. Ilir Gjyla ka aktivizuar plot 22 lojtarë deri më tani, por ka vetëm një të pazëvendësueshëm.

LUSHNJA 1

Ai është qendërmbrojtësi Klajdi Broshka, që numëron 720 minuta në fushë. Askush nuk është aktivizuar më shumë se ai, çka e bën “kampion” te verdhejeshilët.

Kaq ndeshje kanë edhe Arbër Mone, Xhonatan Lajthia, Klahos Zani, Mirjan Hima, Hugo da Silva e Melis Haxhiu. E megjithatë, që të gjashtë janë ndërruar në një moment apo në një tjetër dhe kjo i ka ulur minutazhin.

BROSHKA – Lushnjarët nuk janë në pozita të mira, ndaj do të udhëtojnë me mision të qartë në Pogradec: të marrin fitoren. Në transferta ende nuk e kanë bërë sefte, ndaj Ilir Gjyla prej ditësh po punon për këtë 90-minutësh.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, një nga lojtarët më me eksperiencë te Lushnja thekson se ka ardhur koha e kthesës së madhe. Pas luhatjeve që kanë shfaqur, Klajdi Broshka pret që të gjejnë golat dhe pikët e munguara.

“Mendoj që pozitat në renditje u rënduan pak nga barazimi me Turbinën. Është e kuptueshme që trepikëshi ndihmon të ngjitesh sidomos në ndeshjet brenda në shtëpi. Ne tani po punojmë për vazhdimësinë. Gara vazhdon dhe do të mendojmë për të kapur më shumë rezultate, duke filluar që nga java e ardhshme me Pogradecin. Shpresojmë që loja jonë e mirë të njohë më pak gabime, të shpërblehet me gola e pikë”, është shprehur mbrojtësi, që javën e ardhshme do të mbushë 28 vjeç.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"