Rrogozhina gati për festë, ish-sulmuesi i Marsejës pret të shpërthejë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 10:29

Rrogozhina gati për festë, ish-sulmuesi i Marsejës pret të shpërthejë

Egnatia luan ndeshjen e parë të kampionatit kundër Kukësit, pikërisht të dielën në orën 13:45 në stadiumin e rindërtuar në Rrogozhinë. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani është përforcuar ndjeshëm dhe tifozët presin me shumë kuriozitet se cili do të jete ekipi që do të përfaqësojë Egnatian në Superiore.

Gadi Egnatia logo

Ambiciet e drejtuesve janë të mëdha dhe jo më kot në merkato afruan lojtarë shumë të njohur për kampionatin shqiptar, si Telushi, Çyrbja dhe Imeri, por gjithashtu edhe sulmuesin Kris Gadi, që 8 vite më parë ka qenë pjesë e Olimpikut të Marsejës. 29-vjeçari francez ka si rol natyral sulmuesin e krahut dhe në deklaratën e parë si lojtar i Egnatias, premton se do të bëjë gjithçka për të kënaqur klubin dhe tifozët.

“Kam vetëm pak ditë që jam bashkangjitur në stërvitje me Egnatian. Në bisedimet e para me drejtuesit e klubit, bashkë me menaxherin tim, u njoha me synimet. Kishin një projekt të mirë dhe u treguan konkretë. Nuk u mendova shumë dhe gjeta dakordësinë. Kam pasur disa opsione këtë periudhë, por më intrigoi kjo sfidë dhe këmbëngulja e Egnatias. Kam qenë së fundmi në Belgjikë dhe Bullgari, kështu që vendosa të ndërroja ambient”, ka thënë fillimisht Gadi për gazetën. I pyetur për gjendjen aktuale, duke qenë se në fushë ka qenë së fundmi me ekipin bullgar të Montanës më 23 gusht, sulmuesi u shpreh: “Po mundohem të kap ritmin e shokëve që kanë shumë më herët se unë që po stërviten bashkë.

Mendoj se do të përshtatem shpejt me lojën e ekipit dhe kampionatin shqiptar”. Në fund, i pyetur nëse ka një synim personal në këtë aventurë të parë në Superiore, francezi u shpreh se nuk do t’i harrojë golat, ndërsa bëri të ditur se do të jetë gati që ndaj Kukësit.

“Rëndësi ka të mbuloj mirë rolin tim, por edhe golat nuk është se do t’i harroj. Besoj se jam i gatshëm të zbres në fushë që të dielën. Nisja e mbarë për të gjithë do të shërbejë për të qenë të qetë në vazhdimësi. Shpresoj që edhe stadiumi i ri të jetë fatsjellës”, përfundoi Gadi.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"