Rroga te Napoli, Hysaj merr 458 euro për çdo minutë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2018 | 22:53

Rroga te Napoli, Hysaj merr 458 euro për çdo minutë…

Nëse do të bënim një renditje të minutave të luajtura në këtë sezon në të gjitha kompeticionet, ku Napoli ka marrë pjesë, sigurisht që Elseid Hysaj do të ishte në podium. Mbrojtësi shkodran është një nga elementët më të rëndësishëm të formacionit të Sarrit duke mbuluar si krahun e djathtë ashtu edhe atë të majtin pas dëmtimit të Ghulamit.

hysaj

Por, në klasifikimin që ka bërë “Corriere Dello Sport” për pagat e futbollistëve të Napolit, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk ka ndonjë vend nderi. Pavarësisht se paga e tij vjetore i kalon 1 milion eurot, shkodrani renditet i 20-ti duke ndarë vendin me mesfushorin Diavarra dhe mbrojtësin Maxho. Ekzaktësisht numri 23 i Napolit përfiton 1.1 milionë euro në sezon, pagë e cila thuajse u dyfishua pas rinovimit të kontratës. Rroga nuk është e ulët, por në krahasim me aktivizimin dhe minutat e luajtura, sigurisht që mund të ishte më e lartë.

Rrogat e Napolit

Megjithatë, shkodrani po e fiton vit pas viti rolin e tij të rëndësishëm në ekipin e Napolit dhe rroga e tij mund të pësojë rritje në sezonet e ardhshme. Lojtari më i paguar në skuadrën napolitane është Lorenco Insinje, i cili paguhet 4,5 milionë euro dhe ndiqet nga Hamshik e Mertens me nga 4 milionë. Lojtari më pak i paguar është Leandrinjuo dhe Mashash, të cilët përfitojnë nga 300 mijë  dhe 400 mijë euro.

458 EURO PËR MINUTË- Në total deri tani ka arritur të luajë 2402 minuta në të gjitha kompeticionet me skuadrën e Napolit dhe me një llogaritje të thjeshtë kuptohet që ai përfiton 458 euro për çdo minutë që luan në fushën e lojës.

hysaj

RRITJA- Ndryshe nga një sezon më parë, Hysaj përfiton dyfishin e rrogës. Një rritje që ka ndodhur për të gjithë lojtarët. Presidenti Aurelio De Laurentis kuptoi që për të arritur te titulli kampion në Itali duhet të motivonte skuadrën edhe me rroga të larta. Shitja e Higuainit forcoi ndjeshëm ekonominë e Napolit dhe rrogat në total arritën shifrën e 100 milionë eurove. Në vitin 2013, lojtarët e Napolit të gjithë bashkë merrnin 45 milionë euro.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"