Rroca rrëfen rikthimin: Pata ndërhyrje të rënda, fitorja me Kastriotin vlen po mundëm Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2018 | 13:40

Rroca rrëfen rikthimin: Pata ndërhyrje të rënda, fitorja me Kastriotin vlen po mundëm Laçin

Afro 5 muaj jashtë fushe nuk kanë qenë të lehta për Eduart Rrocën. Por duket se makthit i ka ardhur fundi dhe numri 10 i Luftëtarit ndihet i rilindur. Pas 32 minutave që mori në kryeqytet, kundër Kastriotit jo vetëm që e nisi si titullar, por e përballoi më së miri krejt ndeshjen. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 25-vjeçari rrëfen shkëputjen disamujore, por është ndalur gjerësisht edhe te fitorja e fundit në transfertë.

Rroca

Që nga 5 maji nuk luanit si titullar prej dëmtimit. Si u ndje Rroca në fushë, pas shkëputjes 5-mujore?

Më shumë se çka dhashë në fushë, më intereson rezultati. Jam shumë i lumtur për fitoren, sepse ishte një trepikësh me shumë vlera. Pa dyshim jam i gëzuar edhe për veten, sepse pas pesë muajsh luajta 90 minuta të plota dhe u ndjeva më shumë se mirë.

Shumë ndërhyrje të rënda në “Redi Maloku”. I cilësoni të qëllimshme për t’ju penalizuar juve personalisht apo ishin thjesht pjesë e lojës…?

Përgjigjen po e nis nga fundi. Nuk mendoj dhe as nuk besoj se ndërhyrjet e gabuara kishin për objektiv dëmtimin tim si individ. Këtë gjë edhe njëherë e përsëris dhe s’dua ta çoj në mendje. Është roli i tillë dhe do kem ndërhyrje të gabuara dhe të rënda, por e rëndësishme është që e kaluam këtë ndeshje me sukses.

U patë që vazhdimisht dialogonit me kryesorin Kridens Meta, ju ankuat për ndërhyrjet…?

E vërtetë, sepse dukej që disa ndërhyrje ishin me qëllim dhe të forta, të cilat duheshin ndëshkuar, por ai nuk ndëshkoi asnjë. Në një lojë burrërore, të gjitha ndodhin, sigurisht brenda rregullave sportive.

U kalua ngërçi psikologjik pas kësaj fitoreje?

Normalisht, pas çdo rezultati negativ gjendja psikologjike rëndohet dhe kur merr një rezultat pozitiv je më i qetë. Kjo fitore me të vërtetë na ka qetësuar disi, por duhet të jemi të përqendruar te ndeshja e radhës. Në qoftë se nuk marrim tri pikë edhe ndaj Laçit, atëherë as fitorja me Kastriotin nuk do të kishte vlerë.

Në takimin me Laçin, Luftëtarit do t’i mungojë lojtari i 12-të. Pa tifozët do të jetë e vështirë?

Sigurisht që na mungojnë përkrahësit tanë dhe na vjen keq, sepse futbolli luhet për tifozët. Fusha është e dënuar dhe do të jetë një minus i madh për ne. Megjithatë, ne do ta përligjim më së miri mungesën e tifozërisë me lojë dhe rezultat pozitiv.

Nisur nga pozitat që keni aktualisht në renditje, e shikoni Luftëtarin të rrezikuar në fund të sezonit?

Është shumë herët për të folur për objektivat deri në fund të sezonit. Objektivi jonë për momentin është që të largohemi sa më shpejt nga zona ku jemi dhe të ngrihemi sa më lart në renditje. Nuk e mendoj që Luftëtari do të bjerë nga kategoria këtë vit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"