Rroca rikthehet me “kërcënime”: Ndaj Partizanit marrim pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2018 | 12:02

Rroca rikthehet me “kërcënime”: Ndaj Partizanit marrim pikë

Eduart Rroca i ka munguar Luftëtarit dhe fushave të blerat prej disa muajsh, mungesë e cila si me “magji” ka prishur bukurinë e lojës së bluzinjve në këto muaj. Falë përkushtimit individual dhe mbështetjes së klubit, regjisori i mesfushës së Luftëtarit ka hedhur pas krahëve dëmtimin për të qenë i gatshëm në sfidën mbyllëse të fazës së parë, ku të dielën luajnë në transfertë ndaj Partizanit. Lojtarit dhe trajnerit Gentian Mezani u mjaftoi ndeshja miqësore me Bylisin, të shtunën e shkuar, për të parë realisht gjendjen fizike të 24-vjeçarit.

eduart rroca luftetari

I lumtur për rikthimin në fushën e lojës dhe për pritshmërinë e tij dhe të skuadrës, fillimisht për “Panorama Sport”, Rroca u shpreh: “Mungesën në fushën e lojës e kam përjetuar jo mirë emocionalisht. Tashmë, gjithçka i është lënë kohës dhe e shikoj veten të gatshëm për ndeshjen e radhës. Ndoshta nuk e nis ndeshjen nga fillimi, por jam i bindur se do të ndihmoj skuadrën për të dhënë më të mirën në transfertën me Partizanin”.

Ecuria jo pozitive e blu injve në këtë fundfazë të parë, sipas Rrocës, s’ka arsye për të ulur moralin dhe psikologjinë e Luftëtarit. Rroca është i bindur se skuadra e ka forcën dhe energjinë e duhur për t’u kthyer te rezultatet pozitive, falë frymës së grupit dhe kolektivitetit. “Partizani i kësaj faze të parë është ‘kockë e fortë’, që vështirë se kapërdihet lehtë. Jemi të ndërgjegjshëm se do të jetë një takim i vështirë, ndaj po punojmë fuqishëm për të marrë rezultat pozitiv. Duhet të lëmë pas ecurinë negative dhe të kthemi sa më shpejt te rezultateve pozitive, duke filluar nga ndeshja me Partizanin”, përfundoi Eduart Rroca.

Rikthimi dhe ndryshimetRikthimi i Rrocës është një ogur i mirë edhe për trajnerin Mezani, i cili i vlerëson cilësitë e mesfushorit si të duhurat për harmonizimin e reparteve të skuadrës. Mjaftoi aktivizimi në miqësoren me Bylisin që Mezani pas takimit të shprehej: “Me rikthimin e Rrocës jam i bindur se shumë gjëra do të ndryshojnë”. Aktivizimi i Eduart Rrocës me shumë gjasa do të shoqërohet me lëvizje të reja në mesfushën e Luftëtarit. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u mësuar në vijim, kur edhe mesfushori të jetë 100% gati për ta nisur si titullar në radhët e skuadrës gjirokastrite.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"