Rriten shanset për rinovim, Ze Maria aplikon për të zgjatur lejen e qëndrimit në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2018 | 12:47

Rriten shanset për rinovim, Ze Maria aplikon për të zgjatur lejen e qëndrimit në Shqipëri

Ze Maria dëshiron që të qëndrojë te Tirana. Për këtë pjesë nuk ka më dyshime. Ai vetë e ka rikonfirmuar këtë fakt fill pas fitores me Bylisin. Megjithatë, që të shkojnë deri te konfirmimi, paraprakisht duhet që braziliani të ulet me presidentin dhe të bisedojnë. Kushtet e Hoze Marselo Ferreirës janë të qarta, ai kërkon që të qëndrojë për një ekip pretendent. Pret që të fitojë gjithçka në Kategorinë Superiore, duke filluar nga titulli, Kupa dhe pjesëmarrja në Europë.

ze maria

Megjithatë, “hendeku” mbetet te mungesa e komunikimit mes tij dhe klubit. Kjo u kuptua qartë gjatë intervistës që trajneri dha për mediat. Në bisedë e sipër, ai mësoi se skuadra e tij mund të rrezikojë edhe objektivin “Superiore”, për shkak të borxhit ndaj Gjergj Muzakës. Jo vetëm mbeti i habitur, por saktësoi se s’kishte kurrfarë dijenie se si do të procedonte FSHF-ja nëse drejtuesit bardheblu nuk e shlyejnë detyrimin prej 107 milionë lekësh brenda afateve.

Ai kishte vetëm një të dhënë dhe atë e kishte marrë nga mediat, ndërsa kishte lexuar që elita mund të niste me 6 pikë minus. Ndaj, qartazi e tha që kjo është një temë që duhet t’i jepet seriozisht zgjidhje, pasi nuk mund t’i merrte në këtë formë informacionet për ekipin e tij dhe rrezikun që i kanoset. Megjithatë, shanset që Ze Maria të qëndrojë janë shtuar jo vetëm nga fakti që ai ka nisur kursin për të mësuar gjuhën shqipe, por edhe prej… letrave.

Ze MARIA

Mësohet se klubi dhe trajneri kanë aplikuar për të rinovuar lejen e qëndrimit dhe procedurat janë në proces. Duke qenë se është marrë kjo nismë, pa frikë mund të themi që trajneri e ka ndarë mendjen për të jetuar në Shqipëri. Gjithsesi, se çfarë do të ndodhë në vazhdim, do të mësohet në gjatë të kësaj jave. Me t’u mbyllur finalja e së mërkurës kundër Kastriotit, pritet që trajneri dhe presidenti të flasin për kontratën, të ardhmen dhe merkaton.

Paraprakisht braziliani zbuloi vetëm që do të ketë të paktën nga dy afrime për çdo repart, pasi vetëm kështu mund të rivalizojnë ekipet më të forta të elitës, kategori që Tirana i rikthehet pas një sezoni mungesë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"