Rrezikonte dëbimin nga stadiumi, Elbasani “shpëton” prej kalendarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 18:41

Rrezikonte dëbimin nga stadiumi, Elbasani “shpëton” prej kalendarit

Elbasan Arena” është kthyer strehë për disa ekipe të futbollit shqiptar. Kur dihet që është një nga dy stadiumet më cilësore në vendin tonë, është përdorur jo vetëm Kombëtarja, por edhe Skënderbeu me Kukësin në Kupat e Europës, si edhe Partizani në të kaluarën. Mirëpo, këtë sezon ky impiant është bërë “strehë” edhe për kampionatin, pasi edhe kuksianët kanë lidhur marrëveshjen në takimet si pritës. Me “Zeqin Ymeri”-n e palicencuar, verilindorët janë zhvendosur në Elbasan.

Elbasan Arena]

PËRPLASJET

Me ardhjen e Kukësit filluan të shfaqeshin “hijet” e së kaluarës, ku ekipi verdheblu shpeshherë është dëbuar për t’u krijuar mundësinë ekipeve të tjera. Në kësi kushtesh, Elbasanit i është dashur që shtegtojë në stadiume të ndryshme për t’u liruar vendin “mysafirëve”. Mirëpo, mësohet se këtë sezon situata është ndryshe dhe të tilla “siklete” nuk do t’i ketë më as vetë federata, pasi në ndihmë i vjen… kalendari. Me hedhjen e shortit ‘ të Kategorisë së Parë, rezulton se Elbasani dhe Kukësi nuk do të kenë shumë përplasje me njëri-tjetrin. Për fat të mirë nuk do t’i kenë të shpeshta ndeshjet kur do të jenë pritës në të njëjtën javë. Mësohet se bëhet fjalë vetëm për 6 javë gjatë gjithë sezonit (të paktën deri kur të mbyllen dy fazat e Kategorisë së Parë), që Elbasani dhe Kukësi do të jenë pritës në të njëjtën javë. Megjithatë, për këto raste pritet të gjendet zgjidhja, ku një skuadër të luajë të paktën dy ditë para tjetrës, duke u dhënë mundësinë të dyja ekipeve të luajnë në “Elbasan Arena”.

kalendari

E KALUARA

Do të ishte një tjetër histori nëse kalendari do të rezervonte si Kukësin dhe Elbasanin pritës në shumicën e rasteve, sepse një skuadër mund të mos lejohej të luante aty. Në të kaluarën e ka pësuar gjithnjë Elbasani nga kjo situatë, duke gjetur zgjidhje alternative për të luajtur në stadiume të tjera. Madje, sezonin e kaluar elbasanasit vetëm një ndeshje luajtën në “Elbasan Arena”, pasi përballjet e Kategorisë së Dytë i zhvilluan në kompleksin “Shefqet Lamçja”, edhe pse nuk kishte ekipe të tjera që kishin zënë stadiumin. Megjithatë, duket sikur problemi i këtij impianti është një çështje e zgjidhur dhe verdheblutë do rikthehen në shtëpi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"