“Rreshtore” bardhebluve, Ze Maria nis stërvitje që pa… gdhirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2017 | 9:56

“Rreshtore” bardhebluve, Ze Maria nis stërvitje që pa… gdhirë

Te Tirana nuk ka kurrë kohë për pushime. Edhe pse Ze Maria i la të dielën dhe të hënën qetësi të tijtë, prej të martës ka rritur dozën e përgatitjeve. Madje e mërkura ka ofruar një ditë plot ngarkesa për bardheblutë. Braziliani u ka bërë “rreshtore” që pa gdhirë, ndërsa në orën 08:00, lojtarët kanë zbarkuar në “Skënder Halili” për seancën e mëngjesit.

Tirana

Plot 90 minuta qëndruan në fushë, ku më së shumti u përqendruan tek ushtrimet fizike. Por, trajneri nuk e ka lënë me kaq, pasi edhe në orën 16:00 lojtarët kishin në program një tjetër stërvitje, por këtë herë u përqendrua te taktika. Grupi është i cunguar sikundër dihet, pasi 4 futbollistë janë të grumbulluar me Kombëtaret, ndërsa Binguila është i dëmtuar.

Ze Maria vazhdon të jetë “i hekurt” në disiplinë, ndërsa vazhdimisht ua vendos në dukje të tijve që në fushë duhet të japin vetëm maksimumin. Dhe të gjithë janë të detyruar që t’i përmbushin këtë kërkesë, pasi në të kundërt jo vetëm humbasin formacionin, por rrezikojnë që ta ndjekin ndeshjen në tribunë.

Kështu ngjau me Albi Dokën që në javën e parë të kampionatit, por historia u përsërit me Bedri Grecën në ndeshjen e fundit me Naftëtarin. Sipas trajnerit, lojtarët nuk u angazhuan 100% në seancat stërvitore, ndaj mendoi që t’i linte jashtë 18-shes. Kjo praktikë pritet që të ndiqet edhe në vazhdim te Tirana, ndaj ky fakt dashur pa dashur ka shtuar përkushtimin e gjithsecilit në fushë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"