Rrëmbimi i pamëshirshëm dhe shkatërrimi i 17 Nëntorit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2014 | 13:03

Rrëmbimi i pamëshirshëm dhe shkatërrimi i 17 Nëntorit!

DizdariNga BESNIK DIZDARI
7. Rrëmbimi i pamëshirshëm dhe shkatërrimi i 17 Nëntorit!

Në mbrëmjen e së shtunës që shkoi, në ndeshjen Partizani – Sportklub Ti rana, në vështrimin historik është regjistruar një rast tejet i rrallë: në 11-shin partizanas nuk kishte asnjë futbollist që vinte nga shkolla e famshme sportklubase. Kujtoj që ndeshja e parë midis këtyre dy skuadrave është luajtur më 30 mars 1947 dhe ka përfunduar 4-2 për Partizanin, i cili kishte në 11-shin e tij plot 9 futbollistë të sapo rrëmbyer nga skuadra e 17 Nëntorit, siç quhej kjo asokohe.
Kështu ka qenë dikur. Dhe nëse viti 1947 ka qenë shkatërrimi i parë i skuadrës së kryeqytetit, viti 1960 ka qenë shkatërrimi i dytë i madh i saj. Kjo kohë ka qenë. Partizani sundonte gjithë gjeopolitikën e futbollit dhe sportit shqiptar. Për këtë mjafton të kujtojmë një tjetër fakt. Asokohe, vitet ’50- ’60, zhvillohej edhe Kampionati i skuadrave rezervë. Dhe Partizani nuk kënaqej vetëm me Kampionatin Kombëtar, po donte edhe Kampionatin e Rezervave. Kështu, ky Partizan B, siç mund ta quajmë, kishte në përbërje të tij lojtarë të tjerë mjaft të mirë të skuadrave të rretheve, të cilat ishin tejet të varfëruara. Natyrisht të thirrur për shërbimin ushtarak, por me synimin kryesor për të pasur rreth vetes Klubi i Ushtrisë Popullore sa më shumë lojtarë. Vonë shumë vonë, duke u bindur se kështu po varfërohej tejet futbolli i qyteteve, doli një vendim që lejonte që shërbimi ushtarak mund të kryhej edhe në qytetin ku jetonte i riu. Kjo i baraspeshoi gjërat dhe nxiti tejet forcimin e skuadrave të qyteteve, mbasi klubit të Ushtrisë iu ngushtuan jo pak mundësitë. Por kjo u bë vonë, shumë vonë… Por le t’i qëndrojmë kohës së “romanit” tonë që na çon te “stili” i viteve ’50-60…
PANAJOT PANO – FUTBOLLIST I ADRIATIKUT! Partizani – Adriatiku 1-0. Kjo është një ndeshje futbolli që është zhvilluar më 31 janar 1960 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Ajo është një nga ndeshjet më të çuditshme në historinë e futbollit shqiptar në emërtimin e saj. Çfarë ishte ky Adriatik, emri i të cilit përmendej për herë të parë?
Ishte skuadra e Flotës Luftarake Detare e cila themelohet e çthemelohet në këtë ditë dhe vetëm me këtë ndeshje. Shtypi nënvizon se “skuadra Adriatiku e Flotës Luftarake Detare është një ekip në ngjeshje e sipër, që përbëhet nga elementë të rinj me shumë perspektivë”.
E midis tyre ishte edhe Panajot Pano, i sapo mobilizuar ushtar dhe me dinakëri drejtpërsëdrejti në Marinën Luftarake, çka do të thoshte 4 vjet ushtar i popullit! Me një fjalë, sa më gjatë pranë… Partizanit.
Por Adriatiku ishte një mashtrim i tanë. I nxjerrë në fushën e lojës me pompozitet, madje para 20.000 shikuesve në këtë ndeshje miqësore, Adriatiku me sa dukej synonte të ishte skalioni i dytë i Partizanit. Por edhe kjo ishte e rrémë. Gjashtë ditë më vonë, Partizani fiton 6-0 me Lokomotivën e Durrësit dhe Pano duhet të ketë qenë aty. Ndërkaq, në miqësoren tjetër të 6 shkurtit, 17 Nëntori barazon me Dinamon 1-1 dhe papritmas shtypi njofton se “Pano dhe Merja (Skender Halili) janë larguar nga 17 Nëntori”, pa guxuar të thotë se ku kanë shkuar. Nuk kalojnë veçse dy javë dhe vetëdemaskimi është i qartë si drita e diellit. Është 14 shkurt 1960. Del në fushën e lojës Partizani në ndeshjen kundër Dinamos për Kupën e Komitetit Shqiptar për Mbrojtjen e Paqes dhe Panajot Pano, deri para pak i Adriatikut, tash është nën fanellën e kampionëve! Kjo është ndeshja e parë e Panajot Panos me Partizanin. Skuadra e parë ushtarake fiton 3-0 me ushtaraken tjetër, Dinamon. Këtu është dhe goli i parë i Panos nën fanellën e kuqe, të cilën ai nuk do ta hiqte më deri më 1974, për bukur 15 vjet. Pano shënon në të 40′ e në të 68′ dhe goli i dytë është një kryevepër më vete, në formë harku, si gjethi i thatë i Didit, çka e lë të mahnitur portierin Qoshja të Dinamos! Në pjesën e dytë të kësaj ndeshjeje, Resmja zëvendësohet nga Bytyçi, çka tregon se jo vetëm Pano, por i rrëmbyeri i Partizanit është edhe ky talent tjetër i 17 Nëntorit. Ndërkaq, Skënder Merja (Halili) është nën fanellën e klubit tjetër ushtarak, atij të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe tashmë shkatërrimi i 17 Nëntorit, me rrëmbimin e dy yjeve të saj më të shndritshëm, është fakt i kryer. Historiani duhet të fiksojë ditën e këtij 6 shkurti 1960 si ditën e shkatërrimit të 17 Nëntorit të Tiranës, për herë të dytë pas vitit 1947, kur me lojtarët e saj u formua Partizani. Këtu ka rrënjë “armiqësia” (natyrisht një armiqësi sportive) e skuadrës së Tiranës ndaj Partizanit, që nuk do të shuhej për shumë kohë. Nuk mund të marrim me mend se çka do të kishte qenë ky 17 Nëntor nëse nuk do të ishte “prishur” kësisoj më 1960. Skuadrën e mrekullueshme të mbas 4-5 vjetëve, me siguri që do ta kishim përjetuar po kaq vite më parë, pra qysh në këtë 1960.
Në Tiranë shpërthejnë ndërkaq, diskutimet, kundërshtimet nën zë, pakënaqësitë. Një revoltë e natyrshme: Partizani kishte rrëmbyer yllin e 17 Nëntorit, madje yjet. Dhe pikërisht në këtë çast kritik mbërrin një ngjarje befasuese. Është ndeshja finale e Kupës së Paqes, ajo 17 Nëntori – Partizani dhe fitore e bujshme e 17 Nëntorit: 2-0 pa yjet e rrëmbyer! Kjo duhet të hyjë në histori si ndeshja e parë e inatit të madh midis dy klubeve të kryeqytetit. Trajneri Myslym Alla nuk ka Panon, nuk ka Merjen (Halilin), nuk ka Bytyçin, tre titullarë të kalibrit. Dhe shpërthen me rini. Hysni Skenderi, Vili Dashi, Saimir Dauti – tre gjimnazistë 17-18- vjeçarësh të panjohur nuk përmbahen përmes një ritmike befasuese dhe Enver Shehu e Saimir Dauti tundin rrjetat. 20.000 shikues shijojnë befasinë e madhe. Partizani me Maliqatin, Deliallisin, Papadhopullin, G.Merjen, Ndinin, Krajën, Resmen – Gjithë Kombëtarja e Shqipërisë i dorëzohet këtyre gjimnazistëve, rinisë së dytë të 17 Nëntorit, pa asnjë mundësi rezistence. Shtypi ngre në qiell trajnerin Myslym Alla, duke e cilësuar një “përkrahës të zjarrtë të të rinjve, duke i aktivizuar ata me guxim në 11-shin e parë”.
Kjo ishte ndeshja e bujshme e shkurtit të largët 1960, pasioni dhe revolta e madhe e skuadrës së Tiranës ndaj rrëmbyesve të saj. Një ndeshje delikate natyrisht, por dinake në organizimin e saj. Partizani nuk guxon të nxjerrë në fushën e lojës as Panajot Panon dhe as Luigj Bytyçin. Shihet qartë që nuk duheshin nxehur gjakrat menjëherë, ndonëse tashmë ata ishin nxehur. Gjithçka ishte një prapaskenë e shkëlqyer.
NIS HISTORIA E PANAJOT PANOS TË PARTIZANIT. Më 6 mars 1960, Pano është i padiskutueshëm në 11-shin e Partizanit në ndeshjen e madhe të stadiumit “Valter Ulbriht” të Berlinit, atë të dy skuadrave ushtarake Partizani – FC Vorwärts i Berlinit 0-0, një ndër miqësoret më të bujshme në historinë e futbollit tonë, kur dihej se FC Vorwärts ishte skuadra më e mirë e RD Gjermane dhe vetëm një javë më parë ai kishte mundur 2-1 Duklën e Pragës. Në të vërtetë është një turne i shkëlqyer, sepse në dy ndeshjet e tjera Partizani fiton 4-1 ndaj FC Vorwärts Cotbus dhe 3-2 ndaj Noje Brandenburgut. Ky ishte starti i madh i Panajot Panos, i cili regjistron kështu, turneun e parë të suksesshëm të tij ndërkombëtar. Nuk do të ndalej më.
Por jemi ende larg stabilizimit të punëve, më mirë me thënë, të qetësimit të zemrave të tronditura në klimën futbollistike të kryeqytetit. Ndezja e gjakrave shpërthen pa mëshirë më 13 mars, pikërisht në ndeshjen e parë të Kampionatit, ku shorti po aq i pamëshirshëm me kapriçot e tij, ka vënë përballë pikërisht Partizanin dhe 17 Nëntorin. Partizani fiton 2-1, por në vend të reportazhit për ndeshjen gazeta “Sporti popullor” e kohës boton një shkrim të ashpër me titullin “Sjellje që s’kanë asgjë të përbashkët me qëndrimin socialist në shoqëri”. Ngjarja është pak a shumë kjo: Partizani kalon në epërsi qysh në 20 minutat e para me Bytyçin dhe me fillimin e pjesës së dytë ata shkojnë deri në 2-0 mbas golit të Refik Resmës, duke siguruar fitoren 2-1 sepse në minutën e fundit Fatmir Frashëri shkurton me golin e tij. Është në një ditë me shi, në një terren krejt të papraktikueshëm, ashpërsi, goditje të rënda duke u përzier 6-7 futbollistë nga të dy palët. Futbollistët e 17 Nëntorit akuzohen për “sedër të sëmurë mikroborgjeze”, por asnjë fjalë për shkakun e gjithë këtij inati. Shteti natyrisht ishte shtet dhe nën maskën e shërbimit ushtarak, Partizanit në këtë periudhë i justifikohej marrja e çdo lojtari anë e kënd vendit. Megjithatë, skuadra kryeqytetase reziston edhe pa yjet e saj, aq sa për javë të tana, duket se është madje mëtuese për titullin e kampionit, për çudi gjithnjë e dyta mbi Partizanin. Ndërkaq, atmosfera politike sikur kërkon të qetësojë sfondin e trazuar sportiv dhe Skënder Merja, tash i Dinamos, nxirret në faqen e parë të “Sportit Popullor” duke votuar, si të ishte një anëtar i Byrosë Politike, e me të është edhe atleti i Partizanit, “Fatos Bejtja, oficer i Ushtrisë Popullore”, siç thuhet me autoritet të pafalshëm politik, për këtë figurë të madhe të sportit kombëtar, i cili më parë se oficer ishte rekordmeni i shquar i kërcimit me shkop.
Dhe them se nuk mund të jetë krejt e rastit që më 1 maj 1960, “ditë e klasës punëtore”, ndeshja Partizani – Dinamo zhvillohet në prani të Enver Hoxhës dhe gjithë Byrosë Politike të PPSH. Është 2-0 për Dinamon, ndërkohë që në Durrës, Raq Manushi me golin e tij fikson humbjen e dytë për 17 Nëntorin. Dinamo shkon kështu para kohe drejt titullit kampion, por ndeshja e Partizanit është e shkëlqyer për Panajot Panon në rolin e qendërsulmuesit të avancuar ( të përparmë). Kjo është ndeshja kur lind një nga duelet më të bukura në futbollin shqiptar, ai Panajot Pano -Skënder Halili (Merja). Gjatë gjithë lojës Halili, i cili tash e mbrapa do të luajë gjithnjë me këtë mbiemër, ruan Panon, bashkëlojtarin e tij të vetëm të para disa muajve te 17 Nëntori, ku kishin lindur së bashku si futbollistë. Korrektesa, kundërshtimi i bukur futbollistik, mjeshtëria, kalimet e rrufeshme të njërit, ndjekjet e tjetrit, përshkimet e Panos dhe zënia e hapësirave prej Halilit, e shndërrojnë gjithçka në një spektakël dy protagonistësh që nuk ishte parë ndonjëherë më parë në Shqipëri. Skeda e ndeshjes është vërtet historike: tre të rrëmbyerit prej 17 Nëntorit, Pano, Bytyçi dhe Aurrel Verrija janë në 11-shin e Partizanit dhe bashkë me Halilin te Dianmo – do të thotë se 17 Nëntorit i janë rrëmbyer 4 titullarë! Dhe çfarë titullarësh!… Ndërkohë ja dhe skeda:

1 MAJ 1960. TIRANË. STADIUMI “DNAMO”.
PARTIZANI – DINAMO 0-2
PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, Papadhopulli, Dingu, Shllaku, G.Merja, Kraja, Ndini, Pano, Resmja, Bytyçi (A.Verrija).
DINAMO: Qoshja, Gjoci, Halili, Alluni, H.Verria, Duma (Gjikuria), Tallushi, Jareci, Ruço (Duma), Lubonja, Duro.
GOLAT: Tallushi 6′, Jareci 27′.
GJYQTARE: Hysen Hysenaj.

PER HERE TE PARE KUNDER 17 NENTORIT TE TIJ.
Shtatë ditë më vonë Dinamo mund 1-0 edhe 17 Nëntorin dhe tash me 5 pikë mbi Partizanin dhe 7 mbi 17 Nëntorin, titulli pothuajse është pronë e parakohshme e saj. Kështu mbërrihet te ndeshja “e nderit” e Javës 10, ajo Partizani – 17 Nëntori e 15 majit 1960. Skeda është vërtet kuptimplote:

15 MAJ TIRANË. STADIUMI “DINAMO”
PARTIZANI – 17 NENTORI 2-2
PARTIZANI: R.Topi, Deliallisi, Papadhopulli, Dingu, Ndini, Shllaku, Kraja, G.Merja, Jashari, Pano, Resmja.
17 NENTORI: Metani, Frashëri, Stërmasi, Kasmi, Bukoviku, Z.Shehu, Rada, Skenderi, Bylyku, E.Shehu, Dauti. GOLAT: E.Shehu 1′, 27′, Kraja 30′, 68′.
GJYQTARE: Ramazan Kuka.

Çudia këtu është rikthimi i përkohshëm i Bukovikut te 17 Nëntori, një lëshim ledhatues i Partizanit pas rrëmbimit të Panos dhe një 2-2 spektakolar, futboll i vërtetë. Është një ndeshje që e përforcon edhe më tej kryesimin e Dinamos. Rënia e 17 Nëntorit, ngatërresat e Partizanit me ardhjen e Panos, me të cilin ende nuk ia arrijnë t’i shkojnë për shtat në stil shumë nga lojtarët e Partizanit, ndoshta me përjashtim të Resmës, mjedisi i zhurmshëm për shkak të rrëmbimit të futbollistëve tiranas, marrja përsipër e rolit të liderit në mënyrë të vetvetishme nga vetë Pano, krijonin një pështjellim edhe taktik te kampionët. Kësisoj, viti 1960 nuk ishte viti i Partizanit në fushën e lojës. Ai ishte viti i rrëmbimit të Panajot Panos dhe i shkatërrimit të 17 Nëntorit.

… DHE KAMPIONE ESHTE DINAMO.
Dhe e vetmja ngjarje që pritej ishte një tjetër ndeshje “nderi”, tradicionalja Dinamo – Partizani e 10 korrikut (gjithmonë më 10 korrik – ditë e Ushtrisë Popullore), një tjetër ndeshje e regjizuar, e udhëhequr dhe e fituar nga Panajot Pano. Nuk shënon asnjë gol, po gjithçka vjen pikërisht prej këmbëve të tij “më i mirë në vijën e parë”, siç nënvizon kronika e kohës. Skeda është kjo:
10 KORRIK TIRANË. STADIUMI “DINAMO”
DINAMO – PARTIZANI 1-3
DINAMO: Qoshja, Gjoci, S.Merja, Halluni, H.Verria, Duma, Tallushi, Jareci, Bushati, Lubonja, Duro (Vorfi).
PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, Ndini, Papadhopulli, Shllaku, G.Merja, Kraja, Bespalla, Pano, Resmja, T.Shehu, Jashari.
GOLAT: Resmja 4′, T.Shehu 35′, Kraja 88′.
GJYQTAR: Shazivar Gruda.

Gjithsesi, ajo ishte thjesht një ndeshje ngushëlluese 90 minuta para mbarimit të Kampionatit, i cili përfundimisht është i Dinamos, një 11-sh ndër më të fortët në historinë e saj. E përforcuar me Skënder Halilin dhe Selim Gjocin në mbrojtje, në pjekurinë e plotë të Qamil Hallunit dhe të Skënder Jarecit, Stavri Lubonjës e Eqrem Tallushit, me një gjysmëmbrojtje të qëndrueshme me H.Verrinë dhe Dumën, zëvendësuese e denjë e dyshes së larguar Shaqiri – Vila, mbi të gjitha me qendërsulmuesin 22-vjeçar Mehdi Bushati të një talenti të përmasave, në vitin e parë shpërthyes të tij te Dinamo, kampionia e re në drejtimin e trajnerit Zyber Konçi, konsakron historinë e saj, madje mbyll një dekadë të paharrueshme: 7 tituj në 10 vjet! Dhe ishte menduar si viti i Partizanit të Panajot Panos!…
Por është një histori që mbyllet këtu. Rasti i rrallë i përket 3 nëntorit 1960, kur papritmas Pano shfaqet për herë të fundit në 11- shin e 17 Nëntorit për miqësoren ndërkombëtare me Admiraltejec të Leningradit, 1- 1, gol i Panos, kur katër ditë më parë, më 30 nëntor kishte qenë në 11-shin e Partizanit: Partizani – Admiraltejec, 2-2! Nuk ka mëdyshje. 17 Nëntori e kishte humbur përgjithmonë talentin e saj më të madh të Mbasluftës, Panajot Panon, ashtu si Riza Lushtën Paraluftës. Ndryshimi ishte kolosal megjithatë: Lushtën të blerë nga Juventusi legjendar i Italisë Fashiste – Kampione e Botës në fuqi. Panon për kryerje “të shërbimit ushtarak” te Partizani i Shqipërisë Komuniste – e vetmja ende e pashfaqur me Kombëtaren e saj në garat europiane e botërore. Përkohësisht ky 17 Nëntor kishte humbur edhe Skënder Halilin, dhe shpejt do të humbiste edhe Fatmir Frashërin po përkohësisht, dhe të tjerë me të, duke u varfëruar tejet pa bërthamën e saj të sapoformuar të futbollistëve të mëdhenj. Ua kishte falë Shqipërisë për PartizanDinamon – dy më të mëdhenjtë e epokës, Panajot Panon dhe Skënder Halilin, protagonistët e rrëmbimit të madh. Do “t’i falte” edhe të tjerë. Ishim ende larg nga viti fathënë 1964… Të martën e ardhshme “romani” ynë do të tregojë “blerjen” absurde të Panajot Panos prej Dinamos. Edhe kjo ka ndodhur në futbollin shqiptar…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"