Rregullorja, UEFA, gogla e ngrohtë dhe kupa për El Sajed/ Rrëfimi unik i ish-shefit të klubit të Tomorit për titullin e vitit 2000

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2020 | 0:25

Rregullorja, UEFA, gogla e ngrohtë dhe kupa për El Sajed/ Rrëfimi unik i ish-shefit të klubit të Tomorit për titullin e vitit 2000

E ka pasur një brengë të brendshme prej shumë e shumë vitesh dhe më në fund e ka shprehur për “Panorama Sport” ish-shefi i klubit “Tomori”, Ismet Ajazi, sot administrator i skuadrës beratase. Ai sjell fakte dhe detaje të reja në lidhje me atë sezon, pas deklaratave dhe polemikave që gazeta ka sjellë ditët e fundit nga të dy kampet.

Muxhaj

Ajazi është i bindur se titullin e meritonte Tomori, me drejtësi dhe korrektësi. Një titull që i ka mbetur peng për gjithë jetën. Në intervistën e mëposhtme, tifozët e Tomorit, Tiranës, por edhe sportadashësit e tjerë, do të kuptojnë shumë gjëra.

Z.Ajazi, si jeni me shëndet në këtë kohë të vështirë nga pandemia e Koronavirusit?

Mirë, faleminderit! Uroj që të kalojë pa pasoja për të gjithë shqiptarët kjo periudhë e vështirë!

Ju keni qenë shefi i klubit “Tomori” në sezonin e shumë përfolur 1999-2000, kur skuadra e humbi titullin pas ndeshjes shtesë në Elbasan. Ka shumë polemika për atë çfarë ndodhi realisht atë sezon…

Po, i kam ndjekur deklaratat për atë sezon nga ish-lojtarë dhe ish-drejtues të të dyja skuadrave. Ishte një titull që i takonte Tomorit, nëse do të ishte vepruar në mënyrë korrekte. E vërteta duhet të dalë në shesh. Ishte e padrejtë ndeshja shtesë, ne nuk ishim në dijeni se rregullorja ishte e tillë, me mësuam në fund. Për titull ishin Tirana, Tomori dhe Teuta,  por thuajse të gjithë e kanë pranuar se ne kishim ekipin më të mirë. E kanë thënë edhe personazhe që nuk ishin nga Berati, si gjyqtari ndërkombëtar Konomi nga Durrësi. Dua t’i them gjërat siç kanë ndodhur realisht dhe me radhë. Dhe dua ta nis ekipi, që ishte më i kompletuari dhe me pagesa e shpërblime të jashtëzakonshme për kohën.

Mund të jepni detaje konkrete?

Ai sezon ishte vazhdim i sezoneve 1997-1998 dhe 1998-1999, pra ishte në vazhdën e vitit të luftës, ishte akoma trysnia e atij viti. Tomori kishte një ekip model dhe me një president si i ndjeri Ardian Çobo, i cili e dashuroi aq shumë futbollin. Është njeriu që dha gjithçka për futbollin. Po ju them se lojtarët në atë kohë firmosnin para nisjes së sezonit kontrata nga 5 milionë lekë e deri në 12 milionë lekë (të vjetër).

Shifra të jashtëzakonshme për kohën. A kishte ekip në atë kohë që të jepte 350 mijë lekë shpërblim për çdo futbollist pas një fitoreje? Po të kemi parasysh indeksin e kohës, kuptohet që ishin shifra që nuk ishin parë më parë, të pakrahasueshme. Ka dokumente zyrtare për këtë. Futbollin e bën edhe financa, përveç komponentëve të tjerë.

Por kishte një psikozë, apo një paragjykim, që Tomori fitonte nga që kishte një president “të fortë”…

Absolutisht jo. Ai e dashuroi futbollin dhe e çoi Tomorin atje ku nuk ishte parë në historinë e futbollit beratas. Tomori kishte gjithçka të merituar në fushë. Ku kishte sulmues si Loku në atë kohë (Klodian Arbëri)? Pas kampionatit e bleu Maribori. Ku kishte portier si Muxhai, mbrojtës si Deliu e me radhë. Ekipi ishte më cilësori ndër tre pretendentët, po ashtu edhe klubi kishte strukturë të mirëorganizuar, më i miri për atë kohë. Investimet ishin gjigante.

Muxhaj3

Si është e vërteta e rregullores së atij sezoni, pika e ndeshjes shtesë?

E kemi mësuar nga fundi i kampionatit se do të kishte ndeshje shtesë, nëse kampionati mbyllej me pikë të barabarta. Rregullorja ishte ajo që është edhe sot, që në rastin e pikëve të barabarta merren për bazë ndeshjet direkt, që ne na shpallnin kampin. Unë ishte zyrtari i klubit dhe e them me përgjegjësi të plotë se nuk kam firmosur asnjë dokument të FSHF-së që të na bënte me dije ndryshimin e rregullores. Nuk kam marrë asnjë shkresë të tillë as unë dhe as inspektori i bashkisë. Kuptohet, në atë kohë Federata nuk ishte si sot, ku gjithçka është shumë moderne, e nivelit europian. Në atë kohë kishte korrespondencë të protokolluar me klubet dhe e përsëris, nuk kam firmosur asnjë dokument për ndryshim rregulloreje.

Besnik Çela, drejtues në FSHF atëherë dhe tani, pretendon se rregullorja e kishte të parashikuar ndeshjen shtesë që në fillim…

Nuk është e vërtetë. Që në fillim të kampionatit, bashkë me kalendarin, klubet informohen edhe me rregulloren dhe rregullorja ishte ajo e ndeshjeve direkt. E thashë, si zyrtar klubi, nuk kam firmosur asnjë shkresë të FSHF-së, që drejtohej nga Sulejman Starova, Besnik Çela dhe babaxhani Miço Papadhopulli, që të bënte të ditur ndonjë ndryshim në rregullore. Pastaj, nëse flitet për një rregullore të ndryshuar ato 2-3 vite, ajo i bëhet e ditur edhe UEFA-s. Ndryshimi i rregullores së një sezoni, në rastin konkret i 1999-2000, bëhet një sezon më parë, pra i bie të jetë bërë në 1998-1999.

Lë të dalë dikush dhe të bëjë publik dokumentin e dërguar nga FSHF-ja UEFA-s për këtë rregullore dhe ne do të jemi të qetë atëherë, duke besuar se ndoshta nuk kemi qenë në gjendje për korrespondencën e duhur. Do të hiqnim në këtë rast një brengë të madhe. Në atë kohë nga Zvicra të gjithë na thoshin se UEFA njihte Tomorin kampion. E konstatuam edhe në hedhjen e shortit.

Si e konstatuat?

Isha personalisht në qershor në Gjenevë për hedhjen e shortit, bashkë me Kiço Milen, Hasan Likën dhe përkthyesin e FSHF-së, Adriatikun. Kur shorti na vuri përballë Apoel Nikosias, qipriotët na thënë se na dinin në Kupën e Kampionëve dhe jo në Kupën UEFA. Po ashtu, takuam edhe miq rumunë të Otelul Galatit, me të cilët kishim njohje që nga Kupa Ballkanike në 1991. Edhe ata na thanë të njëjtë gjë. Janë thënie të forta.

Nga komunikimet me ta dhe drejtues të tjerë klubesh, por edhe beratas që jetonin në atë kohë në Zvicër, na u shtuan shumë dyshimet, sepse ata na thoshin se Tomori figuron kampion. Kërkova në atë koha që çështja të ndiqej zyrtarisht me avokatë dhe të mësohej e vërteta. Unë vetë u largova nga pozicioni në klubi dhe te Tomori erdhi një president i ri, Arben Ramadani. Edhe atij i kërkova ta ndiqte këtë çështje në Gjenevë, në UEFA dhe FIFA.

Mendoni se ka pasur një “hile” në short?

Jo, në short ishte gjithçka në rregull. Dua të them diçka: Besnik Çela dhe Bujar Pregja ishin kompetentë në profesionin e tyre. Kujtoj që Becit i thosha “i përshtatshëm i zellshëm”. Nuk ua mohoj vlerat të dyve, por ishin të “përshtatshëm të zellshëm”. Ne besonim te titulli dhe pretendent të heshtur kishim Teutën, që na mori barazimin në Berat. Rregullorja ka qen si sot, me ndeshjet direkt, ndaj ne nuk mendonim për gjë tjetër. Pas Tomorit, preferoja Tiranën , pasi kisha njohje me figurat e saj, Millan Baçi, Tit Nallbani, Nine Naçi etj. Por ai respekt u fshi pas asaj që ndodhi.

I kthehemi ndeshjes shtesë. Pse në Elbasan?

Ndeshja shtesë duhej të luhej në Tiranë, sipas asaj që ishte shkruar në rregulloren e FSHF-së, por kjo e fundit kishte politikën e saj dhe e spostoi në Elbasan, ku kishte më shumë siguri. Kam komunikuar personalisht telefonikisht me drejtuesit e Federatës, z.Starova dhe z.Çela, se ne e donim ndeshjen në Tiranë.

tomori tirana

Fillimisht më thanë se do të më jepnin përgjigje, pastaj kthyen përgjigje negative. Kërkuam të luhej në Korçë por sërish nuk pranuan. Federata kërkoi vetëm Elbasanin, sepse aty kishte më shumë siguri, ngaqë ishte Edmond Koseni. Dakord ishim me ligjin, por ato që u reflektuan në atë ndeshje, ishin gjithçka që ne menduam përpara saj.

Çfarë ndodhi realisht dhe pse ju dëmtonte Elbasani?

E para ishte se në Elbasan shkuan rreth 5 mijë tifozë beratas, ndërsa në Tiranë ua them me siguri të plotë se do të ishin 15 mijë tifozët të Tomorit. E them me siguri, sepse ishte ndeshja e titullit. Në ndeshjen me Tiranën në Berat, ku ne fituam, në stadium ishin 12 mijë tifozë. Ata do të ishin në stadioum në Tiranë, plus beratasve që jetonin në kryeqytet. Edhe ata që shkuan në Elbasan u mbajtën të “izoluar” nga policia, madje edhe ne që ishim në stol na rrinin policët aty më këmbë dhe nuk na linin të lëviznim. Ishte një atmosferë terrorizuese.

Çfarë ndodhi në takimin para ndeshjes me përfaqësuesit e FSHF-së?

U bë mbledhja para ndeshjes, ku isha unë prezent dhe Sulejman Mema. Besnik Çela më pyeti për atë çfarë kërkonim ne si Tomori dhe unë i thashë: ’duam vetëm drejtësi’. Në stadiumin e Elbasanit ishin të pranishme atë ditë 4 treshe gjyqtarësh. Çela më pyeti për gjyqtarin dhe unë kërkova Sazan Velçanin, kurse Sulejman Mema kërkoi Bujar Pregjën. Nuk ishim dakord, nuk mund të na gjykonte një gjyqtar nga Tirana në atë ndeshje. Le të ishte një gjyqtar nga Shkodra, nga Durrësi apo ndonjë qytet tjerët. Çela pastaj propozoi që Velçani dhe Pregja të përjashtoheshin dhe mes dy të tjerëve që mbeteshin, të hidhej short.

Por gjykoi Pregja…

Si përfundim, u la që të kishte një short mes katër gjyqtarëve që ishin në Elbasan. Ishte një moment që nuk e harroj dhe që tani nxjerr konkluzione. U tërhoq gogla dhe doli emri i Bujar Pregjës, i cili nënqeshi, ashtu si dhe Sulejman Mema. Shumë miq e shokë, njerëz të sportit më thonë shpesh që pse nuk i preka goglat, sepse një gogël mund të ketë qenë e ngrohtë, ajo e Bujarit. Është diçka që më ka munduar shumë gjithë këto kohë, por edhe detaje të tjera që sjellin dyshime. Nuk e harroj atë pamje të “të përshtatshmëve të zellshëm”. Nuk lejohej që Tiranën ta gjykonte një gjyqtar nga Tirana.

Pregja

Çfarë detajesh e keni fjalën?

Një detaj për shembull është se si ka mundësi që në Elbasan ishin dy kupa. Njëra ishte ajo e ekipit kampion, dhe tjetra një kupë ekstra që iu dha presidentit të Tiranës, El Sajed. Pse ishte përgatitur kjo kupë e madhe dhe e bukur.

Për të qenë më të qartë, ishin dy kupa, një për titullin dhe tjetra për presidentin e ekipit fitues, apo…?

Jo. Njëra ishte kupa e titullit dhe tjetra enkas për presidentin El Sajed. Janë detaje që kanë një domethënie. Pse jepet ajo kupë, kur me rregullore nuk lejohet. FSHF-ja shumë mirë mund të nderonte presidentin e Tiranës në një moment tjetër. Sapo u mbyll ndeshja jam larguar nga stadiumi dhe për herë të parë në jetën time kam qarë me dënesë rrugës, sepse na u bë një padrejtësi. Ndoshta një ditë ajo e vërtetë mund të zbardhet. Ka edhe diçka?

Po…

Pas ndarjes nga jeta të presidentit, ne ishim me moral më të dobët dhe ky ishte një “defekt” për ne para asaj ndeshjeje. Çobo ishte i veçantë, sepse e dashuroi futbollin dhe ai titull është pengu më i madh në jetën time.

Ju jeni sërish në krye të klubit të Tomorit pas shumë vitesh. A do të kthehet ky ekip në nivelin e dikurshëm?

Po, jam kthyer te Tomori, jam administratori i klubit. Vlerësoj punën që po bën kryebashkiaku Demo, një djalë beratas që e ka për zemër futbollin dhe që ka një projekt shumë serioz për kthimin e Tomorit në Superiore, sepse për në Kategorinë e Parë nuk bëhet fjalë. Po punohet vërtet shumë mirë, strukturat janë ngritur mirë, ekipi i parë ka kushte shumë të mira financiare, ndërkohë që janë krijuar ekipe moshash që nuk ekzistonin fare së fundi.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"