Rregulli i FSHF-së mban në ankth Tomorin, beratasit kërkojnë të mos ketë limit për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2019 | 9:55

Rregulli i FSHF-së mban në ankth Tomorin, beratasit kërkojnë të mos ketë limit për…

E enjtja është ditë vendimtare për Tomorin, drejtuesit e të cilit janë munduar të bëjnë organizimin e duhur për një ekip pretendent për ngjitjen në Kategorinë e Parë.

Tomori

Ditë vendimtare, sepse FSHF-ja do të vendosë zyrtarisht për numrin e lojtarëve jashtë qarkut që çdo ekip i Kategorisë së Dytë ka të drejtë të federojë për sezonin e ri. Nga ky vendim varet objektivi i Tomorit, që gjatë kësaj vere ka afruar shumë lojtarë nga jashtë Qarkut të Beratit, pasi kërkon garanci maksimale për kthimin në të Parën.

RREGULLI – Flitet se Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së do të vendosë një rregull të ri, që parashikon vetëm 4 lojtarë jashtë qarkut për çdo ekip dhe këtu beratasit preken direkt. Tomori ka pasur nevojë për përforcime dhe me këtë numër të reduktuar lojtarësh e ka të vështirë të realizojë objektivin, sepse është shumë e vështirë të gjenden elementë me kualitetin e nevojshëm në qytetet e Beratit, Çorovodës, Poliçanit dhe Kuçovës, që përbëjnë Qarkun e Beratit.

Nga këta 4 lojtarë, 1 ose dy mund të jenë portierë, sepse ekipi ka pasur nevojë për portierë, kështu që vendet bosh për afrimet nga jashtë qarkut do të ishin praktikisht 2, që do të thotë se përforcimet e llogaritura më parë mund të bien poshtë. Një situatë që po përjetohet me ankth në qytetin e Beratit, pasi fati i ekipit të futbollit varet direkt nga vendimi i sotëm i FSHF-së.

Drejtuesit e klubit beratas kërkojnë që të mos ketë limit për lojtarët nga jashtë qarkut, ose të paktën të jetë një numër i lartë, që t’u japë atyre mundësinë të kenë kualitetin që synojnë në kontingjentin e sezonit të ri. Rregulli i mëparshëm për këtë çështje linte hapësirë, pasi çdo ekip mund të huazonte 2-3 lojtarë, ndërkohë që një mënyrë tjetër për t’i shpëtuar limitit ishte pasaportizimi. Tashmë këto dy mundësi nuk do të jenë më, gjithmonë sipas asaj që përflitet se do të vendosë KE-ja. Në pritje të vendimit zyrtar, situata mund të përmbyset te beratasit, të cilët kishin marrë gjithçka seriozisht këtë verë, duke ia besuar projektin teknik trajnerit fierak Marjol Miho

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"