Rregullat e reja/ Ekipet do lëvizin veçmas, karton kush i afrohet gjyqtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2020 | 20:35

Rregullat e reja/ Ekipet do lëvizin veçmas, karton kush i afrohet gjyqtarit

Të mërkurën do të startojë futbolli në Shqipëri. Masa dhe protokolle strikte për të gjithë janë miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, pas propozimit të FSHF-së. Gazeta ka mësuar edhe instruksionet më të fundit që kanë marrë arbitrat në takimin e bërë në FSHF në vigjilje të rifillimit të futbollit si dhe masat që do të ketë trupa e “xhaketave të zeza”, për vete dhe për lojtarët, brenda dhe jashtë fushës.
Arbitrat

– Arbitrat do të afrohen në stadium me maska. Vetë gjyqtarët janë këshilluar të shmangin udhëtimet me shumë persona në makina.

– Gjyqtarët dhe delegati i ndeshjes, në mbledhjen para startit, do të caktojnë radhën e skuadrave që do të dalin në fushë apo do të futen në dhomat e zhveshjes. Shmanget lëvizja kolonë e ekipeve dhe gjyqtarëve.

– Shmanget takimi para ndeshjes si dhe fotografitë e skuadrave.

– Arbitri i katërt do të duhet të mbajë doreza dhe maskë. Doreza gjatë gjithë kohës, për shkak se do të duhet të marrë tabelën e zëvendësimeve nga ekipet, për të sinjalizuar ndryshimet. Ndërsa maskën, është i detyruar ta ketë të vendosur në momentet kur komunikon me trajnerët. Gjatë ndeshjeve, është opsionale,  pasi pengon në komunikimin me kufje me gjyqtarët e tjerë. – Dushi është opsional për arbitrat. Duke qenë se janë pak persona, kanë mundësinë edhe të lahen pas ndeshjeve, duke respektuar edhe protokollin e distancës.

Maskat arbitrat logo

KËSHILLAT PËR ARBITRAT- Dje është dhënë OK-i nga Ministria e Shëndetësisë për zhvillimin e aktiviteteve sportive. Kësisoj, edhe arbitrat kanë zhvilluar mbledhjen e tyre me drejtuesit e komitetit të arbitrimit në vend. Në prani edhe të sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, gjyqtarët kanë marrë këshillat e fundit.

PROTESTAT – Të gjithë kryesorët në Shqipëri duhet të kopjojnë ata që kanë sistemin VAR në një moment: kur ka protesta. Në momentin që futbollistët i afrohen gjyqtarit për protestë, gjyqtarët duhet të zgjasin dorën përpara për të krijuar distancën me lojtarët. Për protestat e shumta, nuk ka asgjë më shumë për të bërë sesa rregullorja. Ndëshkim për cilindo që kalon limitet.

KOMUNIKIMI – Protokolli i rregullave kërkon edhe që lojtarët të mos festojnë bashkë në rast të shënimit të golave. Por arbitri? Rregullore nuk ka që të saktësojë ndëshkim, por gjyqtarit kryesor dhe të tjerëve u lind detyra që të këshillojnë sa më shumë. Në mënyrë që t’u kujtojnë lojtarëve rregullat strikte.

RIFILLIMI – Futbolli mund të jetë me ritëm edhe më të ulët sesa më parë. Shembull për këtë shërbejnë edhe ndeshjet e luajtura në Bundesligë. Mirëpo, një futboll i tillë mund të krijojë edhe situata më të shpeshta kontaktesh apo edhe ndërhyrjesh.

Të paktën për ndeshjet e para, arbitrat kanë marrë këshillimin që të jenë më të kujdesshëm dhe të rezervuar në ndëshkim. Më së shumti, do të duhet të kalojnë me këshillime rastet që e pranojnë një masë të tillë dhe nuk janë në limitet ekstreme të ndërhyrjes.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"