Rrëfimi rrëqethës i Samir Nasri: Futbolli është një botë hipokritësh, isha i vetmuar pranë vdekjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2017 | 20:31

Rrëfimi rrëqethës i Samir Nasri: Futbolli është një botë hipokritësh, isha i vetmuar pranë vdekjes

Mesfushori francez, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës turke të Antaliaspor bëri një rrëfim rrëqethës për “Canal+” ku tregoi për vështirësitë që ka kaluar në jetë, duke deklaruar se në botën e futbollit ka shumë hipokrizi.

Nasri

Sipas 30-vjeçarit kur gjërat shkonin mirë të gjithë ishin pranë tij, por në momentin që ai kishte nevojë nuk gjeti asnjë njeri që t’i qëndronte pranë. Nasri ka treguar se në momentin kur luante për Marsejën ka rrezikuar të vdiste për shkak të një sëmundje të rëndë dhe nuk është përkrahur nga askush.

Nasri

“Padyshim futbolli është një botë hipokritësh. Por unë mund të shihem në pasqyrë. E di që jam dinjitoz dhe se kam mbetur i njëjti person që isha edhe më parë. Disa mund të thonë se jam arrogant, ose që jam shumë krenar, por të paktën jam i sinqertë. Nëse të pëlqej ok, nëse nuk të pëlqej, është sërish ok”, u shpreh mesfushori.

“Gjatë vitit tim të fundit te Marseja kam qëndruar në spital për 12 ditë për shkak të melingjitit dhe kam parë fytyrën e vërtetë të njerëzve. Pashë se kur gjithçka shkonte mirë, kur isha princi i vogël i Marsejës, ishin të gjithë aty pranë meje, por kur u sëmura, isha gati duke vdekur, ndodhesha tërësisht i vetmuar. Nga ai moment nisa të kuptoj se si funksionojnë gjërat në realitet. Këtë sjellje vërejta edhe te gazetarët.

Nasri

Pasi u largova nga Arsenal, firmosa për Mançester Siti, fitova një mal me para dhe më quajtën mercenar. Kur bëhet fjalë për mua, atëherë jam mercenar, ndërsa kur bëhet fjalë për të tjerë, nuk vlen e njëjta gjë. Që nga koha kur kam kuptuar se si funksionojnë gjërat, kam ndryshuar dhe kam vendosur të bëhem ai që jam tani. I sinqertë, pa filtra, duke i thënë gjërat ashtu si janë. Nëse të pëlqen, atëherë është fantastike, nëse jo, punë e madhe,” përfundoi francezi Samir Nasri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"