Rrëfimi special i Jasir Asanit: Silvinjo më thirri 5 ditë para, ja pse zgjodha Korenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2023 | 22:03

Rrëfimi special i Jasir Asanit: Silvinjo më thirri 5 ditë para, ja pse zgjodha Korenë

Jasir Asani ka realizuar katër gola për ekipin e tij Guangju, duke përfshirë një tripletë, e cila ishte e para në karrierën e tij. Anësori që e ka nisur karrierën në Maqedoninë e Veriut dhe ka luajtur me ekipet e moshave me këta të fundit, zbulon se trajneri Silvinjo e ka njoftuar pesë ditë para se të nisnin përgatitjet e ekipit kombëtar dhe gjithashtu ai shprehet se ëndrra e tij është plotësuar.

asani

Ai debutoi në ndeshjen me Poloninë, ku zhvilloi një paraqitje të mirë. 27-vjeçari ka folur në një intervistë për “K-League United”, ku tregon se përse ka zgjedhur që të vazhdojë karrierën në Korenë e Jugut, si ka qënë qyteti dhe ushqimi ku ai jeton, dhe çfarë mendimi ka për trajnerin dhe kampionatin.

Ishte një javë e mrekullueshme për ju para pauzës së kampionateve, ju shënuar një tripletë dhe më pas bëtë debutimin tuaj ndërkombëtar me fanellën e Shqipërisë?

Sigurisht, jam shumë i lumtur që shënova tre gola dhe ndihmova skuadrën të marrë tri pikë të rëndësishme. Sigurisht që jam shumë i lumtur për debutimin tim me Kombëtaren, kjo ka qenë gjithmonë ëndrra ime.

A kam të drejtë kur them se ky ishte tregolëshi juaj i parë në karrierë? Kjo do të thotë se është shumë e veçantë?

Po, jam shumë i lumtur për tripletën time dhe më duhet të vazhdoj dhe të shënoj më shumë gola për të ndihmuar ekipin të fitojë gjithmonë. Unë e kam marrë topin në shtëpinë time, do të vazhdoj të punoj shumë dhe të shënoj më shumë gola, pse jo më shumë tripleta? Kjo gjë do të më lumturojë pamasë.

Kur e mësuat se do të merrnit thirrjen për të luajtur me Kombëtaren shqiptare?

Kam marrë një përgjigje pesë ditë para mbledhjes së ekipit kombëtar. Gjithmonë kam qenë në pritje dhe gati për Kombëtaren shqiptare dhe është ndjenja më e mirë. Do të jap gjithçka, shpirtin tim për Kombëtaren, gjithmonë.

A ka pasur ndonjëherë një bisedë për të përfaqësuar Maqedoninë e Veriut, ju keni luajtur me disa klube aty dhe gjithashtu edhe me moshat dhe deri tek ekipi i U-21?

Unë kam luajtur për Maqedoninë U-21, kam lindur atje dhe familja ime jeton atje, por ne jemi shqiptarë të Maqedonisë.

Gjithmonë kam ëndërruar të luaj për Shqipërinë, sepse jam shqiptar dhe jam shumë i lumtur që debutova. Kam luajtur për shumë klube në Maqedoni, sepse aty ka nisur gjithçka, te Vardari kam bërë hapat e mi të parë në futboll.

Keni luajtur gjithmonë si anësor?

Po, unë kam luajtur gjithmonë si anësor dhe më pëlqen ai rol, por kam luajtur më shumë role, nuk është problem, do të luaj aty ku skuadra ka nevojë për mua.

E di që kanë qenë vetëm katër ndeshje për ju, por si krahasohet liga e Koresë së Jugut me ligat që keni luajtur në Europë?

Mendoj se ka shumë dallime mes Koresë, Suedisë dhe Hungarisë, por edhe këtu kampionati është shumë i vështirë dhe i shpejtë. Më pëlqen këtu.

Ju ka befasuar fillimi i mirë i sezonit? A ka shkuar më mirë nga sa prisnit?

Gjithmonë kam bërë gjithçka, sepse çdo lojë është e vështirë, jam shumë i lumtur që fillova të shënoj gola dhe të ndihmoj veten dhe ekipin të fitojë. Nuk është e rëndësishme kush shënon, e rëndësishme është që skuadra të fitojë dhe të arrijë tri pikë.

Nga erdhi kalimi në këtë ligë? Pse Koreja e Jugut?

Kam pasur disa oferta të mira nga disa klube në Europë, por më pëlqeu më shumë Koreja, sepse kam disa miq që kanë luajtur këtu më parë dhe më kanë treguar për futbollin korean, për njerëzit dhe jetën këtu. Më pëlqeu dhe doja ta provoja, më pëlqen gjithçka këtu dhe jam shumë i lumtur.

Çfarë ju bëri të zgjidhni skuadrën e Guangjusë?

Më pëlqejnë objektivat e klubit, prandaj zgjodha të vij këtu, është një klub që rritet çdo ditë, çdo lojtar në klub po bën mirë.

Si është qyteti, keni dalë dhe a ju pëlqen të jetoni në Korenë e Jugut?

Më pëlqen shumë qyteti, është shumë i bukur. Mund të them se më pëlqen të jetoj këtu dhe gjithçka më duket e bukur. Jam i lumtur që jam këtu.

Po ushqimi? Keni provuar ushqim korean përpara se të vini?

Jo, nuk e kam provuar kurrë, është e vështirë për mua, por duhet ta provoj (qesh). Më duhet edhe pak kohë për t’u mësuar këtu, është ndryshe nga Europa.

Ju shënuat që në debutimin tuaj me Guangjunë. Nga njëra anë u zhgënjyet që nuk e nisët titullar ndeshjen, por më pas keni ardhur nga pankina dhe gjetët golin, kështu që ishte pothuajse një fillim i përsosur në këtë kampionat?

Sigurisht, unë jap maksimumin tim çdo herë. Dua të shënoj më shumë për ekipin tim dhe ta ndihmoj të fitojë. Isha shumë i lumtur që isha në fushë dhe shënova, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua.

Si është raporti me trajnerin? Ai po ndërton një reputacion si një trajner i ri dhe është emocionuese, si një lojtar sulmues a ju jep lirinë për t’u shprehur?

Po, trajneri është një nga më të mirët, atë që ai thotë ne përpiqemi ta bëjmë më mirë, sepse ai po na ndihmon ne anësorët që të arrijmë të shënojmë më shumë gola ose si të jemi më të mirët në fushë. Trajneri na jep taktikat më të mira dhe ne po përpiqemi çdo ditë të bëjmë atë që thotë ai, ai ka një mentalitet fituesi dhe dëshiron të bëjë futboll të bukur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"