Rrëfimi special i Goldi Halilit: Babai pika ime e dobët, kurrë nuk u dorëzova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2019 | 21:14

Rrëfimi special i Goldi Halilit: Babai pika ime e dobët, kurrë nuk u dorëzova

Goldi Halili, vajza e presidentit të Tiranës, Refik Halili, rrëfen jetën e saj në një intervistë për Bieta Sulën në emisionin “Ftesë në 5”. Me thjeshtësinë që e karakterizon, Goldi rrëfeu të kaluarën e saj, problemet me skoliozën dhe përballimin që i bëri situatës, duke u kthyer në një frymëzuese për të gjithë ata që kanë të njëjtin problem.

Goldi

Dy fjalë për marrëdhënien e veçantë me babain. Nuk mund të harrohet Tirona, që në këtë moment që flasim, për familjen Halili është diçka e veçantë…

KTHIMI – “Jam kthyer para pak kohësh nga Amerika dhe kam marrë një rol të ri, administrativ, pranë një klubi futbolli. Jam femra e parë në këtë rol, por kontributin e jap në ambient familjar, pasi babai im është presidenti i klubit. Tirona është pjesë e ADN-së sime. Jam rritur me këtë dashuri nga im atë dhe vëllai im, por puna ime te Tirana ka ardhur natyrshëm”.

SKOLIOZA – “Unë fillova studimet në Amerikë, shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Vijova edhe këtu studimet në të njëjtën degë pak a shumë, sepse nuk u diplomova në Amerikë për arsye shëndetësore. Gjatë këtij 100-vjetori dhe në vazhdim kemi bërë dhe do të bëjmë shumë, duke dhënë mesazhe ndërgjegjësimi për shumë probleme, përfshirë edhe skoliozën. Nuk e quaj sëmundje, por një konditë që të ndjek.

gOLDI

Konstatova skoliozën, një problem me shtyllën kurrizore kur isha 12 vjeçe. Kam ndjekur çdo procedurë, kryesisht lidhja me bustin 23 orë në ditë. E kam kaluar adoleshencën me këtë konditë, por jam krenare, pasi më ka bërë më kërkuese, të duruar dhe kjo që jam sot. Në Amerikë isha indipendente dhe ndryshe nga shtëpia u përballa me një realitet tjetër dhe të vështirë”.

KURRË NUK DORËZOHEM – “Kurrë nuk u dorëzova. Sprovat dhe kompromiset me fatin duhen bërë gjithmonë. Mjafton të gjesh forca. Kam kufizime në lëvizje, kam qenë ose aspiruar të bëhesha balerinë, këndoja pak, luaja në piano dhe fillova baletin. Kur shikon që privohesh nga diçka që e ke pasur të fortë, të vjen keq”.

MUZIKA – “Kam hyrë në botën e artit që pesë vjeç ose nuk kam hyrë pa trokitur. Do të them mirupafshim, por nuk e di se kur… Kam filluar të marr një drejtim tjetër ose “backstage”. Ndaj edhe Tirana këtë vit, shpresoj dhe uroj që të jetë një festë e madhe për të gjithë”.

TIRONA PËR TIRANËN – “Jemi duke ngritur një grup pune me personalitete të ndryshme që do të na ndihmojnë për përpilimin e eventeve për këtë 100-vjetor. Duam që këtë vit Tirona të bëjë për Tiranën. Ne, përtej stadiumit, kemi transmetuar vlera të qytetit tonë dhe kjo është pikërisht ajo që duhet. Prioriteti ynë është buzëqeshja. Jam e sigurt që gjithçka duhet ta kalojmë me sportivitet, pasi në momentin që i shohim gjërat në mënyrë pozitive, atëherë vetëm pozitivitet do të kemi”.

gOLDI HALILI

FAMILJA – “Në familje jemi rritur me parimin që duhet të punoni për të vendosur emrin tuaj dhe nëse keni ndihmë, bëhet për ta lartësuar emrin që keni. Sa më shumë rritesh, ke një lidhje me mamanë, por babi mbetet pika e dobët. Babi do të më tërheqë veshin me këtë që them. Unë në fakt po e bëj përkohësisht administrimin e klubit Tirana. Kam ngritur një strukturë ndryshe. Këtë vit kemi financa më të forta, ekip më të fortë në fushë e jashtë fushe, një përfshirje të femrave në sport si dhe të fëmijëve”.

OBJEKTIVI – “Ne femrat gjithmonë i shtojmë vlerë një ambienti mashkullor dhe kemi dëshirën më të mirë. Dhe kjo ka qenë e rëndësishme, sepse energjia që ne përçojmë është më pozitive. Të punosh për të ardhmen gjithmonë të vë në një përgjegjësi të madhe. Nuk e kam marrë përsipër këtë rol, sepse jam më e mira, por e kam marrë përsipër se e kuptoj se sporti është i lidhur ngushtë me emocionet e çdokujt dhe unë do të di të përcjell emocione”.

NDËRHYRJE TE BABI – “Jo, jam shumë krenare që kemi një organigramë të qëndrueshme brenda klubit. Drejtori ynë sportiv merret me këtë çështje dhe nuk shkel kompetencat e dikujt tjetër. Sigurisht që kam lojtarin tim të preferuar që kam në fushë. Ai është im vëlla”.

MESAZHE FLIRTI – “Jo. Lojtarët janë shumë të ndërgjegjësuar që profesioni është profesion dhe nuk mund të kalojë me diçka personale. Unë jam solare te ju, por jam e rreptë kur duhet të jem e rreptë”.

GRINDJET ME BABIN – “Ne nuk grindemi kurrë, por kemi debate konstruktive. Asnjëherë unë e im vëlla nuk jemi ushqyer me frymën se nëse gabojmë do të duhej të na tërhiqej veshi. Jemi fëmijë me këmbë në tokë. Unë debatoj me babin me faktin se është shumë zemërgjerë dhe këtë gjë e transmeton edhe në jetën e tij të përditshme, sidomos te futbollistët. Dhe një njeri kur i jep dorën, ka mundësi të të marrë dhe krahun. Dhe vetëm për këtë i ‘tërheq’ veshin”.

PËRBALLJA – “Unë përballem me situatën. Dhe jam e bindur se çdo gjë që të ndodhë në jetë, shtylla kurrizore është familja. Dhe ku më mirë se te familja sheshohen gjërat”.

HUMBJET E TIRONËS – “Çdo humbje e Tiranës më dhemb pa fund, por unë nuk pi. Është zgjedhja ime dhe shoqëria ime çuditet se si nuk provoj asnjë gllënjkë. Jam emotiv dhe qaj. Hera e fundit që kam qarë? Ishte për barazimin tonë të fundit me Teutën. Të mbash avantazhin në 90 minuta lojë dhe të pësosh një gol në shtesë, sigurisht të vjen keq. Sidomos kur pretendojmë për titullin.

NË STADIUM – “Ndeshjet i ndjek nga shtëpia në divan. Është më mirë kur je në shtëpi, sepse arrin të shpërthesh, sepse jam natyrë shpërthyese”.

E ARDHMJA – “Është shumë herët për të folur mbi të ardhmen. Nuk e di se ku do ta gjej veten. Jam në fazë tranzitore të jetës sime. I adhuroj ata që kanë synime të qarta. Jam natyrë kreative, por nuk bëj plane afatgjata. Me hapa të vegjël, e shoh veten në një sipërmarrje timen”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"