Rrëfimi në 360 gradë i Ikardit: Kam luajtur edhe portier, Interi më ka rritur. Ja çfarë më karikon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 19:58

Rrëfimi në 360 gradë i Ikardit: Kam luajtur edhe portier, Interi më ka rritur. Ja çfarë më karikon

“Për sa i përket rinovimit me Ikardin, nga klubi ekziston dëshira për të përmirësuar dhe rinovuar kontratën. Por, ka ende tri muaj në kontratë, ndaj procedurat mund të zgjasin një ditë ose disa muaj”. Një koment ky i Piero Auzilios, drejtuesit sportiv të Interit, gjatë një eventi të mbajtur dje në klinikën “Humanitas” të Milanos ka siguruar në njëfarë mënyre tifozët zikaltër, gjithmonë e më të lidhur me kapitenin e tyre.

“Interi më ka dhënë shumë, këtu jam rritur si person dhe futbollist. U transferova në Milano kur isha vetëm 20 vjeç. Falënderoj qytetin dhe klubin për jetën që bëj”. Komenti është i shkëputur nga një intervistë e Mauro Ikardit, që dje u ndal nga mikrofonat e “Inter TV”. Ku bomberi argjentinas, përtej besnikërisë dhe konsideratës ndaj Interit, ka prekur tema të ndryshme: nga idhujt e tij te hobit dhe jeta private.

ikardi

HERËT E PARA, IDHUJT E “SAN SIRO” – “Larg shtëpisë? Herën e parë u distancova nga Argjentina, më pas nga Barcelona, – ka vijuar Ikardi. – Fillimisht është e vështirë, por jam mësuar shumë shpejt dhe nuk e kam vuajtur shumë. Ndeshja e parë? Në Kanarie, mos gaboj. I vogël kam bërë gjithë rolet, edhe portierin. Goli i parë? Nuk e kujtoj, shënoja shumë gola. Idhulli? Batistuta, më pas te Barcelona më pëlqente Eto. ‘San Siro’ në një fjalë? Spektakolar. Më pëlqen kur këndojnë ‘Amala’: fëmijët e mi e dinë të gjithë, e mbajnë në ‘iPod’. Të luash në atë stadium është gjithmonë diçka fantastike”.

MUZIKA, USHQIMI E FAMILJA – Çfarë e karikon bomberin e Interit? “Nuk më pëlqen kur ambienti është në qetësi, vendos gjithmonë muzikë për të ndryshuar moralin. Më pëlqen kitara klasike. Rrjetet sociale? Publikoj shumë nga jeta ime private dhe nga jeta ime tek Interi. Më pëlqen të ndaj me tifozët ditën time. A gatuaj? Babai im është një kuzhinier i zoti, më pëlqen, por nuk gatuaj shpesh. Pjata e preferuar? ‘Asado’, mish argjentinas. Ndërsa në Itali jam mësuar të ha makaronat. Megjithëse nuk kam problem ushqimi, më pëlqen gjithçka. Në Afrikë provova edhe krokodilin. Hobet? Më pëlqen të qëndroj në shtëpi, por dhe peshkimi. Kohët e fundit qëndroj shumë në shtëpi me fëmijët. Vanda inatoset sepse do të dalë…”.

SERIALET TV, KAFSHËT DHE UDHËTIMET – Po si argëtohet Ikardi? “Serialet TV? Nuk jam fans, por për grumbullimet janë perfekte. Kafshët? Kam 4 qen, kam kërkuar një akuarium gjigant dhe do mbajmë një peshkaqen brenda. Dhurata e parë e Vitit të Ri? Një biçikletë, e dëshiroja shumë. Video-lojëra? Më pëlqen të luaj ‘play-station’ me fëmijët. Qyteti i preferuar? Në fillim thosha Barcelona. Nëse Milano do kishte detin… Për t’u vizituar? Tokio, Nagatomo më ka folur shumë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"