Rrëfimi ndryshe i Ze Marias: M’u duk vetja si femër kur vesha taka futbolli për herë të parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2017 | 19:40

Rrëfimi ndryshe i Ze Marias: M’u duk vetja si femër kur vesha taka futbolli për herë të parë

Futbolli për të është jeta. Që në momentin që iu fut këtij sporti nuk iu nda më. Pas karrierës së suksesshme si futbollist, tashmë po krijon terrenin për të pasur të njëjtën famë edhe si trajner. Ndalesa e radhës për Ze Marian është pikërisht Tirana, ku menjëherë fitoi edhe trofeun e Superkupës. Në një rrëfim krejt ndryshe të dhënë për “Exclusive” në “Top Channel”, ai ka zbuluar gjithçka për fëmijërinë e tij, Kombëtaren, aventurën në Itali dhe në fund Tiranën.

ze maria

TOPI DHE KËPUCËT – “Në Brazil, dhurata e parë që bëjnë kur lind një fëmijë mashkull, është topi i futbollit. Unë jam rritur me atë top në krahun tim, ndonjëherë edhe më i madh se mua. Që nga ajo kohë, ai (topi) u bë gjëja më rëndësishme e jetës sime”, kështu e ka nisur fjalën e tij Ze Maria. Më tej, zbuloi se kur veshi për të parën herë këpucët e sportit, iu duk vetja si një femër që nuk di të ecë mbi taka.

“Jam rritur në një lagje italiane të viteve ’60, në San Paolo dhe luaja futboll rrugëve me miqtë, nëpër parqe. Një ditë, mes shokësh vendosëm që të shkonim të bënim një provë te Portugesa, që ishte një nga klubet e mëdha të San Paolos dhe ndodhej më afër me shtëpinë tonë. Ishte një ditë e shtunë e vitit 1985. Shkuam atje dhe e gjetëm mbyllur, ditët e provave tek ajo skuadër ishin e marta dhe e enjtja.

Duke qenë aty e bëmë një provë në një skuadër tjetër, që ishte afër. Ai ishte ekip amator, por provën e kaluam me sukses. Binte shume shi, isha vetëm 11 vjeç dhe ishte hera e parë që vesha një palë këpucë me taka dhe ecja si një femër kur mbath për herë të parë këpucë me taka të larta, që sigurisht nuk di as të ecë. Ishim një grup prej 6-7 fëmijësh të kësaj moshe që ecëm rreth 8 km në këmbë për të shkuar aty, por kjo është një sakrificë që e bën çdo brazilian për futbollin. Gjithsesi, shkoi mirë. Më pas erdhi dita e martë dhe bëmë provën e duhur te Portugesa. Dalëngadalë nga ata 6-7 shokë që ishim, mbeta vetëm unë dhe, më pas, bëra karrierë”, shprehet 44-vjeçari, ndërsa kujton fillesën e karrierës së tij.

ze maria

POZICIONI NË FUSHË – Ka luajtur në çdo rol, megjithatë gjatë rrugës përfundoi si lojtar krahu. “Unë luaja edhe portier, kur nuk kishte vend tjetër. Futesha ku të më aktivizonin, rëndësi kishte që të luaja. Jam rritur në epokën e Sokrates, Zikos, Serezos, emrat e mëdhenj të mesfushës, apo Pele që ishte emri më i madh i numrit 10. Kjo ishte një arsye që të gjithë të rinjtë e asaj periudhe donin të luanin në mesfushë. Por unë doja të luaja me numrin 5 përpara mbrojtjes, ishte numri i Falkaos, një numër shumë i bukur.

E provova, por dalëngadalë më spostuan në krah, në fillim më vendosën mesfushor-sulmues dhe, më pas, më tërhoqën më poshtë, por sërish në krah. Me pak fjalë, i kam luajtur nga pak të gjitha pozicionet, nga mesfushor i djathtë, në mbrojtës të majtë. Kjo më ndihmoi shumë, sepse unë mendoj që një lojtar, kur arrin në njëfarë niveli, duhet të dijë të luajë me të dyja këmbët, të majtën dhe të djathtën. Në Brazil, nëse ke mundësi të luash me një skuadër të madhe të qytetit tënd, është thuajse e detyrueshme të luash me të dyja këmbët”, tregon ai.

Ze Maria Kenia

KOMBËTARJA DHE ARRITJET – Në një vend ku prodhimin më të madh venës ka futbollin dhe futbollistët si Brazili, arritja deri në përfaqësuesen më të titulluar në botë, me 5 Kupa Bote është një ëndërr shumë e madhe. “Dashuria ime për kombëtaren nisi në vitin 1982, kur humbëm me Italinë në Botëror. Ishte viti 1996 kur unë po shihja një ndeshje të përfaqësues dhe i them një miku: ‘vitin tjetër do të jem edhe unë me ata’. M’u përgjigj ‘lëre këtë histori sepse nuk do të arrish kurrë’.

ze-maria

Por në vitin pasardhës u grumbullova për herë të parë. Fitova çmimin si lojtari më i mirë i krahut të djathtë në kampionatin brazilian, luaja me Flamengon. Ishte Zagalo ai që më thërriti. U emocionova shumë, pasi shkova në kombëtare dhe gjeta lojtarë si Romario, Bebeto apo Tafarel, o Zot, ishin njerëz që unë i kisha parë vetëm në televizor, ndërkohë në një moment u shndërruan në shokët e mi të skuadrës. Ishte si një ëndërr, nuk arrita as të flija atë natë. Luajta në ndeshjen kundër Kolumbisë të Asprilias e disa lojtarëve të tjerë të mëdhenj, ndeshje që e fituam 2-0 dhe nga aty filloi karriera ime me Kombëtaren”, thotë plot nostalgji Ze Maria.

TRANSFERIMI NË EUROPË – Është i fiksuar pas kampionatit të Italisë dhe motivin na e zbulon vetë braziliani: “Nuk pendohem aspak për asgjë në karrierën time sepse kam arritur maksimumin, kam luajtur deri me Interin në Itali, kam refuzuar oferta të Barcelonës, Çelsit apo Real Madridit.

Dikush ndoshta mendon që jam i çmendur, por unë zgjodha të jetoj në Itali, sepse ëndrra ime ishte që të luaja në kampionatin italian. Përpara se të firmosja me Parmën më kërkoi Barcelona, Real Madrid dhe u thashë ‘jo’. Sapo kisha firmosur me Parmën dhe kisha kaluar aty, më kërkoi Çelsi dhe i thashë sërish jo, sepse doja që të qëndroja në Itali, prandaj them që jam i kënaqur me karrierën time si futbollist”.

halili ze maria

TËRHEQJA NGA FUTBOLLI – Ze Maria në vitin 2008 vendosi që të mbyllte karrierën e tij futbollistike, sërish tek Portugesa, në vendlindjen e tij, për të filluar një aventurë të re si trajner. “Unë kam pasur trajner që nga Skolari që ka fituar tituj kampion bote, te Zagalo që ka fituar edhe ai 4-5 tituj, kështu që shembuj të mirë kam shumë.

Kam pasur trajner gjithashtu edhe Karlo Ançelotin, që, sipas meje, nëse nuk është më i miri, pa dyshim që është mes më të mirëve. E kam pasur trajner te Parma për dy vite dhe në atë periudhë ai arriti të drejtonte një grup që ishte i vështirë të drejtohej sepse praktikisht ishin 22 kombe të ndryshme, me mentalitete të ndryshme dhe mënyrë loje të ndryshme.

Bufon sa po fillonte karrierën e tij, isha unë si mbrojtës i krahut të djathtë, në atë kohë lojtar titullar i Kombëtares së Brazilit, Thuram që ishte titullar i kombëtares franceze, Kanavaro që po futej në kombëtaren italiane, Sensini i kombëtares argjentinase, Staniç që ishte kroat, Blonkuist i kombëtares suedeze… Vetëm tani, në një vështrim të shpejt, ju thashë 7 kombe të ndryshme, plus italianëve, dhe ai ia doli që ta menaxhonte një skuadër të tillë”.

ze maria1

ANÇELOTI DHE PARMA – Ze Maria e konsideron Ançelotin si një shembull, ndërsa kujton momentin kur lojtarët te Parma vendosën që ta largonin. “Kam dëgjuar në dhomat e zhveshjes shpeshherë shumë fjalë kundër trajnerit. Ne te Parma ishim një skuadër e formuar për të fituar titullin kampion, ndërkohë që në dhjetor ishim në vendin e parafundit. Aty vendosëm të bënim një mbledhje dhe e sulmuam të gjithë. Ai kërkoi falje dhe ndihmën e secilit për të kaluar situatën.

Në fund të kampionatit ishim dy pikë larg Juventusit, në vendin e dytë, dhe Parma për herë të parë mori pjesë në Champions League. E kam ndjekur më pas misterin kur ishte te Çelsi, shkoja të shihja stërvitjet e tij, pasi edhe niveli i tij ishte rritur shumë. Pashë që ishte po i njëjti, një njeri shumë korrekt dhe u qëndronte fjalëve që thoshte. Ai është një njeri i tillë, për këtë arsye është një shembull që më pëlqen ta ndjek. Sigurisht ka shumë trajnerë të tjerë të mirë si Guardiola që ka fituar kudo ku ka shkuar, Murinjo po ashtu apo Simeone, por unë gjithmonë mundohem të jem vetvetja”, thotë trajneri i Tiranës.

KARRIERA SI TRAJNER – “Unë, kur luaja futboll, mendoja për trajnerin që ky nuk bën asgjë, gjithçka e bëjmë ne lojtarët. Por, në të vërtetë nuk është kështu. Trajneri është ai që vjen një orë përpara stërvitjes dhe ikën një orë pas stërvitjes. Edhe gjatë javës qëndron gjithë kohës duke programuar stërvitjen e përditshme dhe mendon se çfarë bëra gabim, si ta përmirë- soj këtë, e kështu me radhë. Nëse je futbollist mjafton të mbash regjim, të flesh e stërvitesh mirë, rezultati është që luan mirë. Ndërkohë trajneri duhet të bashkojë mendjen e 11 apo 18 lojtarëve. Pritshmëritë për mua kanë qenë gjithmonë të larta që nga skuadra e parë që kam marrë deri te Tirana”, rrëfen Ze Maria.

Ze MARIA

AVENTURA TE TIRANA – “Me kishim folur më herët për Shqipërinë, por nuk u entuziazmova. Më donte një tjetër ekip. Kur më thanë për së dyti që të vija për të drejtuar një tjetër skuadër të madhe këtu, sërish refuzova sepse unë kur e filloj një projekt duhet ta mbaroj. Fillova një projekt në Kenia dhe mora një skuadër që ishte në vendin e tretë nga fundi në kampionat, e çova në finalen e Kupës dhe e mbylla kampionatin në vendin e dytë. Më pas më erdhi oferta e radhës nga Shqipëria dhe vendosa ta pranoj sepse duhet të vija afër familjes time. Kur punoja në Kenia, jetoja vetëm dhe në dy vitet që isha atje, e shihja familjen vetëm dy herë në vit, kjo ishte një tjetër shtysë që më detyroi të pranoj.

DJALI I PRESIDENTIT – Ze Maria te Tirana duhet të menaxhojë jo vetëm një ekip të demoralizuar nga rënia, por edhe me lojtarë të rinj që njëherësh kanë edhe status, siç mund të jetë djali i presidentit. Megjithatë, ai thekson se gjithçka e ka zgjidhur më parë sa i përket ndë- rhyrjeve. “Nuk më intereson nëse është djali i presidentit, i sponsorit apo i kujtdo, djali duhet të vrapojë me këmbët e tij. Për mua, të gjithë janë thjesht futbollistë dhe duhet të sillen si të gjithë të tjerët.

ze maria

Unë nuk bëj diferencime. Nëse është në gjendje të mirë dhe më shërben, do të luajë, nëse jo, të jeni të sigurt, ju, tifozët, por edhe presidenti se ai nuk do të luajë. Unë jam shumë i qartë me lojtarët dhe këdo, çfarë them e mbaj, kështu nuk do të kemi probleme. Italianët thonë që marrëveshjet e qarta, zgjasin miqësinë. Synimi i parë është që të arrijmë të çojmë Tiranën aty ku e ka vendin, në Kategorinë Superiore dhe nga aty mund të filloj të mendoj që drejtoj skuadrën më të fortë në Shqipëri. Tirana erdhi në momentin e duhur të jetës sime dhe asgjë nuk vjen rastësisht”, thekson ai.

NJOHJA ME PANUÇIN – Prej rreth 7 vitesh, Ze Maria ka luajtur në Itali dhe, në të gjitha këto vite, ai është përballur me Kristian Panucin, trajnerin aktual të Kombëtares shqiptare. “Me Panuçin jam përballur për shumë vite në kampionatin italian, ai ishte me skuadra të mëdha ndërkohë që unë ende nuk kisha mbërritur tek Interi. Megjithatë, sa i përket karrierës aktuale, mund të them se Panuçi te Kombëtarja Shqiptare ka trashëguar një ekip shumë të mirë sepse De Biazi ka bërë një punë shumë të mirë. Për të, situata është shumë më e vështirë, pasi te kombëtarja njerëzit presin gjithmonë e më shumë. Unë jam tifoz i Kristianit tani sepse jetoj këtu dhe sigurisht që jam shndërruar në tifoz të Shqipërisë”, përfundon braziliani i bardhebluve.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"